Rend dhe Ligj

Emërimet në Gjykatën e Lartë, KLGJ i propozon Metës 4 emra

Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka përcjellë sot Presidentit të Republikës Ilir Meta propozimin për emërim në Gjykatën e Lartë, për katër pozicionet e lira në fushën e të drejtës penale, të shpallura me vendimet numër 241, 242, 243 dhe 244, datë 09.07.2020.

Emrat e propozuar nga KLGJ janë: Sokol Binaj, Albana Boksi, Sandër Simoni dhe Klodian Kurushi.

Në procedurat e ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, për katër pozicionet e lira në fushën e të drejtës penale, brenda afatit të kandidimit, kandiduan gjithsej tetë kandidatë.

“Me synimin për plotësimin në kohë të pozicioneve të lira, me qëllim bërjen e Gjykatës së Lartë funksionale në një kohë sa më të shpejtë, Këshilli, konsideroi zhvillimin paralelisht të procedurës së verifikimit të kritereve të kandidimit, me atë të vlerësimit etik dhe profesional të kandidatëve për secilin nga pozicionet e lira, duke qenë se për ngritjen në detyrë në gjykatat më të larta kërkohen dy vlerësime etike dhe profesionale të kandidatëve, për të bërë renditjen e tyre dhe përcaktimin e kandidatit të renditur më lart, - thuhet në njoftimin e KLGJ-së.

Pas përfundimit të procedurave të ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë për dy kandidatë, respektivisht për shkak të tërheqjes nga kandidimi dhe të skualifikimit dhe përjashtimit nga procedurat e emërimit në Gjykatën e Lartë, si rrjedhojë e vendimmarjes së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për gjashtë kandidatët e tjerë, Këshilli ka verifikuar plotësimin prej tyre të të gjitha kritereve të kandidimit, duke vendosur kualifikimin e tyre.

Në vijim, Këshilli vendosi fillimin e fazës së dytë të ngritjes në detyrë, procedurën e përzgjedhjes për emërim në Gjykatën e Lartë, duke caktuar edhe relatorin përkatës, pas zhvillimit të shortit.

Gjatë kësaj faze, një nga kandidatët u tërhoq nga kandidimi dhe Këshilli vendosi përfundimin e procedurave të ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë për këtë kandidate.

KLGJ thotë se pas shqyrtimit të dokumentacionit të administruar, është realizuar renditja e kandidatëve për secilin pozicion të lirë në fushën e të drejtës penale, sipas së cilës Këshilli vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin e katër kandidatëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë