Futboll

Klaudio Markizio ikën nga Juventusi pas 25 vitesh

Besnikëria e disa lojtarëve ndaj fanellës së ekipit që i ka rritur, i bën ata legjenda për tifozët, edhe pse në fushë mund të mos kenë qenë “yje”. I tillë është për Juventusin mesfushori Klaudio Markizio, i njohur me nofkën “Princi”. Ka ardhur tashmë zyrtarisht lajmi që pritej, lamtumira e Markizios nga Juventusi pas plot 25 vitesh.

Mesfushori bardhezi ka ndërprerë zyrtarisht dhe në mënyrë konsensuale kontratën me Juventusin. Një lajm që i ka pezmatuar tifozët e Juves. Ende nuk dihet ku do të luajë, sepse për të ka pasur interes nga disa skuadra, mes tyre edhe nga Monako. Numrat e tij thonë shumë: 25 vjet histori me fanellën e “Zonjës”, 389 ndeshje zyrtare, 37 gola, 7 tituj kampion, 4 Kupa të Italisë dhe 3 Superkupa të Italisë. Një lojtar flamur.

Klaudio Markizio dhe Xhorxhio Kielini

Letra e lamtumirës

"Një mijë mendime më kanë shoqëruar gjatë gjithë natës. Nuk ngopem së pari këto foto me fanellën bardhezi dhe këto vija, mbi të cilat kam shkruar jetën time si njeri dhe si futbollist. E dua këtë fanellë deri në pikën ku, pavarësisht gjithçkaje, jam i bindur se vjen e para ajo që është në të mirë të skuadrës. Gjithmonë”. Me këto fjalë Klaudio Markizio përshëndet pas 25 vitesh tifozët e Juventusit. Në postimin e tij në Instagram është edhe një foto e fëmijërisë, ku ai shfaqet me fanellën bardhezi. "Në një ditë të vështirë si kjo, dua t’ju them se jeni pjesa më e bukur e kësaj historie të jashtëzakonshme. Për këtë arsye, pas pak ditësh do të përshëndetemi në një mënyrë speciale”, - ka shkruar mesfushori pas vendimit për prishjen e kontratës.

https://twitter.com/i/status/1030360077461377024

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë