Kinema

Kinema Propaganda

“Më i rëndësishmi i arteve për ne është filmi”, tha Vladimir Iliç Lenini para se të merrte përsipër industrinë e filmit në Bashkimin Sovjetik dhe të bënte prej saj instrumentin themelor të ideologjisë komuniste.

Udhëheqësi i Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha do t’i kërkonte Stalinit një fabrikë. Ky i fundit, duke e njohur mirë fuqinë e kinemasë, i dhuroi Kinostudion “Shqipëria e Re”, që siç do të thoshte drejtoresha e Arkivit Qendror të Filmit, Iris Elezi në një debat mbi Filmat e Komunizmit, ishte një arsye e vetme: propaganda.

Më 17 korrik të vitit 1952, mori jetë Kinostudioja, e cila prodhoi deri më 1989-n, 247 filma artistikë, 122 vizatimorë, 1145 dokumentarë dhe 1006 reportazhe.

Pak muaj pas themelimit të Studios së vetme të prodhimeve kinematografike në vend, me pronësi shtetin, Byroja nxori një vendim mbi instrumentalizimin e artit, si mjet i propagandës ideologjike. Tematika e re do të përfaqësonte frymën e Partisë dhe do të kishte në bazë Njeriun e Ri.

Në vitet 1950, filma si “Skënderbeu” i regjisorit rus Sergei Yutkevich simbolizuan miqësinë shqiptaro-sovjetike, e cila thuhej se ishte e pavdekshme. Sovjetikët sollën teknologjinë dhe aktorët e tyre të famshëm në këtë cep të Mesdheut dhe ngritën Kinostudion, që u pagëzua “Shqipëria e Re”, ashtu si edhe qëllimi i klikës në pushtet për të ndërtuar njeriun e ri, sipas ideologjisë komuniste.

Filmi "Tomka dhe Shokët e Tij"

Filmat e prodhuar pas perdes së hekurt nuk konsideroheshin prodhime të pastra. Ata ishin

instrument i shprehjes artistike, i ideologjisë, por edhe i protestës dhe dëshmisë. Historia e Çekisë, industria sllovake, polake ose hungareze e filmit, fati dhe dilema morale e saj më e talentuar personalitetet dhe gjuha specifike e fortë e filmit para dhe pas ndryshimit politik në Europë të vitit 1989, janë sot burim i pasur për studiues jo vetwm tw kinematografisw, por edhe i fushave tw tjera mw tw gjera.  

Më 1989-n, kur shumica e diktaturave në Europë po rrëzohej, ajo në Shqipëri si ta vlerësonte atë krijimtari të diktaturës. U propozua që Kinostudioja “Shqipëria e Re” të dekorohej me Urdhrin e Flamurit me rastin e 45 vjetorit të Çlirimit të vendit. Motivacioni?

“ rolin e shquar që ka dhënë në zhvillimin e artit tonë kinematografik në gjinitë e filmit artistik, dokumentar dhe vizatimor. Si art militant dhe i dashur për masat, si armë e fuqishme për edukimin komunist të tyre, nëpërmjet përmbajtjes socialiste, karakterit kombëtar e popullor, ka transmetuar tek shikuesit mesazhe historike nëpër të cilat kalojnë njerëzit dhe vendi ynë, ka pasqyruar gjallërisht epokën e ndritur të Partisë”

“Vetë sistemi e konsideronte kinostudion fabrikë propagande që në gjenezë”, do të shprehej studiuesi Erblin Vukaj, ndërsa prezantonte punimin e tij me temë “Filmat e Kinostudios, propagandë apo  pasuri kombëtare”, i cili qe edhe kryetema e diskutimit organizuar të enjten në Rogner nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë.

Por, ndërsa me shkrirjen e Kinostudios pas rënies së regjimit filmat e prodhuar prej saj ushfaqën në mënyrë sporadike deri në vitet 2000, pas 2007-s ku edhe u prezantuan platformat e para digjitale, ata nisën të shpërndaheshin masivisht- ndonëse konteksti kohor, politik dhe social kishte ndryshuar.

Sipas drejtores së IDMC-së, Jonila Godole, Shqipëria është ndoshta rasti unik ku këta filma të propagandës së një regjimit autoritar shfaqen ende, pa asnjë filtër.

Më 2016-n, ishte Bilal Kola, kreu i Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë që nisi debatin mbi këta filma, të cilin më pas e vijuan Godole dhe Agron Tufa, atë kohë kreu i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.

Filmi "Duel i Heshtur"

Mes opinioneve për të mos u transmetuar më, të paktën një pjesë e mirë e tyre dhe mendimeve për t’u shoqëruar të paktën me diskutime paraprake tematike apo të paktën fasha shpjeguese, u lobua nga grupet e interesit të paktën për të fundit.

Katër vite më vonë, asgjë nuk ka ndryshuar, ndërsa jo vetëm platformat digjitale, por edhe kanale të dedikuara të Radiotelevizionit Shqiptar, si RTSH Film, RTSH Shqip, RTSH Korça e RTSH Gjirokastra mbushin programacionin me shfaqjen e këtyre filmave, ndwrsa paguhen nga para publike. Askush nuk i detyron t’i shfaqë e megjithatë ende vijojnë, pa i shoqwruar me asnjw shpjegim tw kontekstit.

Studiuesi Kastriot Dervishi analizoi atëkohë dhe gjeti se ishin të paktën 60 filma që paraqisnin problematikë në sferën e propagandës. Duke kërkuar nga praktika e vendeve ish-komuniste, IDMC propozoi rastin rumun, ku filmat shoqëroheshin me fasha shpjeguese mbi kontekstin social-politik kur u realizuan filmat.

“Propozova që një grup pune apo aktorë të sektorëve të ndryshëm të mblidheshin dhe të diskutonin si zgjidhej ky problem”, do të shprehej Godole, duke vërejtur jo vetëm elementë të propagandës por edhe qëllimin denigrues për kategori të caktuara të shoqërisë.

Jonila Godole ngre shqetësimin për brezat e rinj.

"Njësiti Gueril"

“...dhe nëse shfaqen pa  shënuar kontekstin,  kjo nuk i shërben fare ndërgjegjësimit të brezit të ri. Në kontekstin e Shqipërisë nuk kemi një brez tëri që është i ndërgjegjësuar me informacion, nuk kemi  një revolucionarizim të kurrikulës ku të flitet dhe reflektohet për atë kohë”, vijoi Godole. Ajo vuri në dukje se problem janë edhe mësuesit e shkollave, të cilët kanë nostalgji për atë periudhë. Sipas saj  duhet që për këta filma  të diskutohet, të gjendet një zgjidhje e të shfaqen me një kontekst. Një propozim do të ishin Ditët Tematike, ku filmat të transmetoheshin gjatë gjithë ditës shoqëruar me panele diskutimi me ekspertë, një rast i ngjashëm me Gjermaninë dhe Austrinë që e bëjnë këtë në televizionet publike, në ditë të dedikuara.

“Kjo do të ishte diçka që do të thosha “Po” dhe do e dinim kontekstin. Nuk  mund të shfaqen si karamele për të mbushur programin dhe është fyerje për të përndjekurit politikë, që ende nuk e kanë marrë dëmshpërblimin e tyre moral dhe kjo është t’i vrasësh vazhdimisht,  duke u kujtuar të afërmit përmes manipulimit dhe propagandës”, shtoi Godole.

Iris Elezi, Drejtore e Arkivit Qendror të Filmit  Shqiptar, ndërsa pohon qëllimin e pastër të propaganës në prodhimet kinematografike shqiptare, druhet se vendi mund të shkojë drejt zhdukjes së kujtesës filmike. I dyti, thotë ajo, pas Kamboxhias. Ajo fton për ta parë diskutimin më të thellë e të nuancuar. Mes këtyre nuancave, sipas saj, do të ishte e panevojshme shoqërimi me fasha shpjeguese.

"Debatiku"

Sipas saj të gjithë, edhe më të vegjlit, e kuptojnë gënjeshtrën në filmat e regjimit.

“Nuk mund të jemi naivë që dikush nuk mund ta dallojë gënjeshtrën.  Menjëherë kur e sheh atë imazh di ta lexosh të vërtetën apo gënjeshtrën. Të mos e kemi hallin “a e dinë rinia”, por të punojmë që ata që studiojnë filmin të rriten në numër”, do të thoshte Elezi, e cila shtoi se diskutimi mbi këtë temë ka mbetur në sferën e opinioneve.

Ajo bën fajtorë ndër të tjera, televizione private që morën materialet filmike, në pronësi të Kinostudios deri para ’90 dhe piratuan shumë prej tyre, edhe mbi vrasjen e standardit të audios dhe figurës duke transmetuar me cilësi të ulët.

Elezi bie dakord me Godolen mbi ngritjen e emisioneve të dedikuara televizive ku të flitet e diskutohet mbi kontekstin, por nga platformat digjitale përgjigja ka qenë se kjo do të ishte e kushtueshme për buxhetet e tyre.

Sipas Jonila Godoles ka disa filma që nuk duhen transmetuar fare, ndërsa të tjerë të kenë mbi të një baner gjatë gjithë kohëzgjatjes, derisa të vijë një kohë kur ata filma të mos shfaqen më. Ndjeshmëria e filmave të komunizmit është e konsiderueshme. Vetëm nga Youtube llogariten të paktën 7.4 milionë shikime të 80 filmave të asaj periudhe e të analizuara si problematike përsa i përket propagandës.

"Partizani i vogël Velo"

Sipas Suela Mustës nga Autoriteti i Medias Audiovizive, duhet më shumë presion nga shoqëria civile për të çuar në  ndryshime ligjore që rregullojnë transmetimin e filmave.

Por filmat e prodhuara nga Kinostudioja “Shqipëria e Re”, për 37 vjet kishin brenda jo vetëm një propagandë; ata reflektonin edhe prishjen e aleancave me vendet ish-mike dhe lidhjen e të rejave apo edhe tablonë e gjerë të Luftës së Ftohtë mes Lindjes komuniste dhe Perëndimit.

Në mënyrë ironike, edhe ata filma që u censuruan gjatë diktaturës, u shfaqën lirshëm pas viteve 2000. Kishin qenë filma që kishin guxuar t’i dilnin kundër aparatit të shtetit- siç kishte ndodhur fjala vjen me kineastët e Valës së Re Çeke, që në vitet ’60 me prodhimet e tyre i dolën kundër shtetit që i paguante – apo ishte ndryshim i kontekstit të aleancave të kohës?

Një kinematografi e tërë për gënjeshtrën, thotë Iris Elezi, dhe 69 vite më pas, ajo vijon e pandryshuar, megjithë kontekstet e reja dhe brezat që i shohin pa e jetuar atë epokë. A munden të jenë thjesht filma artistikë? A munden të propagandojnë një ideologji, për të cilën edhe u krijuan shekullin e shkuar apo do ta humbasin vlerën – ashtu siç kanë humbur cilësinë e transmetimit – me kohën?/ Përgatiti: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë