Mendim

Kina mund të çojë në falimentimin e Malit të Zi!

Kina ka zyrtarizuar ndërtimin e autostradës Bar-Boljare, e cila do të lidhë Serbinë, Malin e Zi dhe Italinë, por ky projekt duket se ka ngritur pikëpyetje serioze në Podgoricë.

Sipas një sërë ekspertësh, ndërtimi i autostradës do ta çonte vendin në një situatë shumë kritike financiare nëse Mali i Zi nuk do të ishte në gjendje të shlyente kreditë e ofruara nga Kina brenda afatit të caktuar. Ata kanë paralajmëruar madje se falimentimi i shtetit është një nga skenarët më të këqij, por edhe të mundshëm.

Lidhja e qytetit bregdetar të Barit (Tivarit) dhe Boljares në Serbi, në kufirin me Malin e Zi, është pjesë e autostradës Beograd-Bar. Pjesa që do të kalojë përmes Malit të Zi është investimi më i madh në Malin e Zi që kur vendi fqinj fitoi pavarësinë në vitin 2006. Ajo do të përfshijë rreth 165 km rrugë, 48 tunele dhe 107 ura. Shuma prej 809 milionë eurosh duket jashtëzakonisht e lartë për një vend si Mali i Zi, ndërkohë që asnjë prej politikanë në Podgoricë nuk di të përgjigjet sesi do të shlyen kreditë kineze.

Një sërë ekspertësh pyesin nëse Mali i Zi duhet të përfshihet një projekt kaq ambicioz, duke marrë parasysh numrin e banorëve dhe mbi të gjitha, nëse autostrada do të jetë fitimprurëse, duke pasur parasysh se kalon nëpër një terren malor pothuajse të pabanuar.

Shumë analistë europianë po përpiqen të paralajmërojnë publikun e gjerë për rreziqet që vijnë nga marrëveshjet dypalëshe jo-transparente me Republikën Popullore të Kinës. Shumë prej tyre po heqin paralele me Sri Lankan, e cila është “kapur” nga qeveria kineze pas nuk mundi të shlyente në kohë kreditë për projektet infrastrukturore.

Edhe pse rreziqet janë të mëdha, presidenti Milo Gjukanoviç mbështet jo vetëm këtë projekt por edhe investime të tjera të ngjashme që vijnë nga Kina. Në vitin 2005, në kohën e Unionit Shtetëror të Serbisë dhe Malit të Zi, Gjukanoviç ishte një nga mbështetësit më të hershëm të autostradës Bar-Boljare. Qeveria argumentoi se ky projekt do të sillte rritje ekonomike në rajonin e pazhvilluar ku do të kalojë, përmirësimin e tregtisë me Serbinë, si dhe përmirësimin e infrastrukturës malazeze.

I gjithë ndërtimi është planifikuar në katër faza, e para prej të cilave do të jetë një rrugë 41 kilometra e gjatë që shtrihet në veriun kodrinor të vendit fqinj dhe do të përfundojë në maj të këtij viti. Tre fazat e tjerat do të jenë të vështira, për arsyen e thjeshtë se shteti malazez nuk mund të marrë hua shtesë.

Si zgjidhje për problemin, qeveria sugjeron një partneritet publiko-privat sipas të cilit një palë e tretë do të vazhdojë të ndërtojë dhe të operojë autostradën nën një koncesion tridhjetë vjeçar në mënyrë që të mbulojë borxhin.

Projekti është financuar nga banka kineze “Exim” dhe po ndërtohet nga një kompani e madhe shtetërore kineze, e cila nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me Malin e Zi këtë mars për të përfunduar punën e papërfunduar.

Dy të tretat e punëtorëve janë kineze dhe kompania kontraktore ka lidhur një marrëveshje me Podgoricën që materialet dhe pajisjet e importuara të ndërtimit të kalojnë pa paguar tarifa shtesë.

Siç pritej, ekspertët paralajmërojnë se borxhet e reja vetëm sa do të përkeqësojnë gjendjen financiare ekzistuese të Malit të Zi. Fondi Monetar Ndërkombëtar i këshilloi vendit fqinj të shtyjë përfundimin e ndërtimit të autostradës derisa të hyjë në Bashkimin Europian.

Megjithatë, afati më i hershëm i pranimit të Malit të Zi në BE vlerësohet të jetë viti 2025, duke marrë parasysh se reformat në Mal të Zi janë ende në fazën fillestare.

Dy studime fizibiliteti treguan se autostrada Bar-Boljare nuk do të jetë financiarisht e qëndrueshme për shkak të numrit të pamjaftueshëm të automjeteve në atë rrugë. Pjesa më e ngarkuar e rrugës Podgoricë-Bar do të mundësonte kalimin e 6,000 automjete në ditë dhe për të arritur përfitmin afatgjatë, vlerësohet se ky numër duhet të jetë ndërmjet 22,000 dhe 25,000 automjete në ditë.

Propozimi i një kompanie amerikane që ka punuar një, nga dy studimet e sipërpërmendura, ishte që Mali i Zi të modernizojë vetëm rrugët ekzistuese dhe të mos ndërtojë autostradë të re. Por kryeministri aktual Dusko Markoviç tha se jo vetëm që ky investim do të përfundonte por se Mali i Zi do të vazhdojë të bashkëpunojë me Kinën në fushat e hidrocentraleve dhe turizmit.

Kinezët janë të gatshëm të japin 809 milionë euro për të mbuluar 85% të kostos së pjesës së parë të rrugës, me një normë interesi prej 2%, një afat pagese prej 20 vjetësh dhe një periudhe gjashtëvjeçare.

Me fjalë të tjera, malazezët do të kenë 890 milion euro borxh në vitin 2021. Kjo mund të mos jetë shumë problem për ekonomitë më të forta, por jo për një vend të vogël si Mali i Zi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë