Politike

Meta takon ambasadorët, por mban qëndrim të distancuar: Ka një fajtor nëse dështon konsensusi

Pas një takimi me ambasadorët e BE-së në Tiranë të kërkuar nga vetë ai, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, tha për mediat se në debatin për zgjedhjet nuk ka dy fajtor; por vetëm një.

Ndryshe nga qëndrimi unik i ambasadorëve që kërkojnë bashkëpunim dhe konsensus duke përfshirë dy palë në proces, Meta, në një prononcim për mediat, paralajmëroi se në fund të një produkti jo konsensual ka vetëm një përgjegjës dhe jo dy.

Meta kërkoi reflektim por nuk dihet nëse këtë gjë e kishte edhe për opozitën, sa kohe që në prononcimin e tij, Meta u shpreh se  opozita e kishte bërë lëshimin e saj qysh me tërheqjen nga kërkesa për qeveri teknike, madje kishte kontribuuar edhe vete ai në këtë vendim.

“Për mua si President ka qenë dhe mbetet e rëndësishme respektimi i marrëveshjes së 5 qershorit, për të cilën falënderova dhe ambasadorët për kontributin që ata dhanë ku dhe unë u përpoqa të jap kontributin tim sidomos në drejtim të insistimit që opozita të mos vendoste si kusht, qeverinë teknike për zgjedhjet e ardhshme edhe pse janë të gjitha provat që nga dosja e Shijakut, që nga dosja e Dibrës dhe sjelljet e tjera se kjo qeveri vë dorë mbi zgjedhjet në mënyrë të hapur dhe brutale.

Opozita bëri lëshimin shumë të madh duke pranuar të mos vërë një kusht të tillë, me qëllim që të mbyllej kjo marrëveshje dhe të jepej një mesazh pozitiv dhe shpresëdhënës për të gjithë shqiptarët por dhe për të gjithë ata që punojnë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda partnerëve tanë. Kështu që gjërat janë të qarta.

Unë mendoj se ka mbetur dhe pak kohë për të reflektuar dhe uroj të ketë reflektim, përndryshe kuptohet se përgjegjësia do të jetë vetëm e një fajtori. Nuk do të ketë dy fajtorë në rast se shkelet marrëveshja e 5 qershorit, nuk do të ketë as 4 fajtorë, do të ketë vetëm një fajtor, i cili për fatin e tij personal, kërkon të vërë në pikëpyetje fatin e 4 milion  shqiptarëve. Jo vetëm kaq.

Çështjet shtetërore dhe interesi kombëtar janë të paprekshëm dhe duhet të respektohen njësoj nga të gjithë. Kush mendon se fati i tij është më i rëndësishëm se e ardhmja europiane e Shqipërisë e ka shumë gabim dhe është në kohë për të reflektuar dhe ndryshuar opozitën e vet”, tha Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë