Ne rrjet

Kievi thotë se ka nisur eksportin e grurit përmes porteve kroate

Ukraina ka filluar eksportin e grurit përmes porteve detare kroate, tha të enjten një zyrtar i lartë ukrainas.

Ukraina përdor si rrugë kryesore për dërgimin e drithit portet e saj në Detin e Zi, por Kievi ka kërkuar rrugë alternative që pas agresionit të Rusisë dhe vendimit të Moskës në muajin korrik për të hequr dorë nga marrëveshja që lejonte eksportin e grurit përmes porteve në Detin e Zi.

Ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba tha gjatë një vizite në Zagreb në fund të korrikut se Ukraina dhe Kroacia kishin rënë dakord mbi mundësinë e përdorimit të porteve kroate në Danub dhe Detin Adriatik për eksportin e grurit ukrainas.

"Gruri ukrainas tashmë është eksportuar përmes porteve kroate. Ne jemi mirënjohës për këtë mundësi", tha në një deklaratë me shkrim zëvendëskryeministrja e parë ukrainase, Julia Svyrydenko.

“Ne besojmë se kjo rrugë logjistike do të luajë një rol të rëndësishëm në tregtinë dypalëshe midis vendeve tona edhe pas luftës”, tha ajo.

Zonja Svyrydenko nuk tha se sa drithë ukrainas ishte eksportuar përmes porteve kroate.

Qëkurse Rusia u tërhoq nga marrëveshja e ndërmjetësur nga Kombet e Bashkuara që lejonte eksportin në mënyrë të sigurt të drithit ukrainas përmes porteve në Detin e Zi, Kievi ka rritur përdorimin e porteve në lumin Danub për eksportet e saj. Megjithatë, infrastruktura e këtyre porteve ka qenë objektiv i sulmeve ruse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë