Këshilli i Europës anuloi misionin vëzhgues të zgjedhjeve të 30 qershorit duke dhënë si arsye pasigurinë me të cilën mund të përballen vëzhguesit e këtij institucioni në disa zona të vendit. Por, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se pas këtij vendimi ka një tjetër arsye.
Në një konferencë të shkurtër për mediat, Basha e cilësoi vendimin krejtësisht politik dhe sinjal i qartë dhe i prerë që 30 qershori nuk është datë zgjedhjesh.
“Vendimi i Kongresit të Autoriteteve Rajonale e Lokale të Këshillit të Europës për të anuluar dërgimin e Delegacionit Vëzhgues për farsën elektorale që po tenton të zhvillojë Edi Rama, është fakt kuptimplotë se në 30 Qershor nuk ka zgjedhje në Shqipëri. Ky është një vendim qartësisht politik, sepse është një tërheqje që Këshilli i Europës nuk e ka bërë as për zgjedhje të zhvilluara në zona konfliktesh të armatosura, apo konflikti civil nga Ukraina në Gjeorgji nga Armenia dhe Azerbajxhani apo edhe gjatë konfliktit të armatosur në Maqedoni”, deklaroi Basha.
Për herë të parë nga rënia e komunizmit, Këshilli i Europës ka vendosur të mos dërgojë Delegacion Vëzhgues për zgjedhjet, pavarësisht ftesës që i ka bërë Qeveria shqiptare. Këtë vendim Këshilli i Europës e ka marrë jo sepse ia ka kërkuar opozita, por sepse 30 Qershori nuk është ligjërisht ditë zgjedhjesh në Shqipëri”, tha Basha.
Kreu i PD-së e interpreton këtë vendim të KiE si qëndrim të këtij institucioni që vlerësoi se 30 qershori nuk është datë zgjedhjesh.
“Tërheqja e Këshillit të Europës, institucionit kryesor europian të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe demokracisë, është distancim i qartë nga votimet farsë njëpartiake, antidemokratike dhe antikushtetuese që kërkon të bëjë Edi Rama”, tha Basha.
Kjo ishte pjesa e parë e deklaratës së kreut të PD-së. Në pjesën e dytë të konferencës, Basha u përqëndrua tek përçimi i mesazhit të hershëm se më 30 qershor opozita nuk do të lejojë zhvillimin e zgjedhjeve.
“Votimet e 30 qershorit janë nul, janë dhe do të jenë zero. Ato janë tentativë për grusht shteti i Edi Ramës për të rrëmbyer të gjithë qeverisjen vendore të Shqipërisë, me të njejtat banda dhe kriminelë që ka vjedhur edhe zgjedhjet e 2015-s dhe të 2017-s. Opozita dhe qytetarët janë në këmbë në mbrojtje të Kushtetutës dhe demokracisë! Ne nuk do të lejojmë votime të paligjshme dhe farsë! Nuk do të lejojmë që në Shqipëri të instalohet përfundmisht regjimi autokratik kriminal i Edi Ramës. Ne nuk do të lejojmë që Edi Rama t’i shkojë deri në fund planit të tij kriminal për të mbajtur me dhunë pushtetin dhe për të destabilizuar vendin. Asnjë hap pas! Ne do t’i dalim për zot Shqipërisë”, u shpreh Basha.
Sipas kreut të PD-së, në Shqipëri nuk ka për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme përsa kohë në krye të Qeverisë qendron si Kryeministër Edi Rama.
Kryeministri Edi Rama nuk komentoi vetë vendimin e Këshillit të Europës, por komentoi interpretimin e bërë nga Lulzim Basha për këtë vendim.
“Sajo artist sajo! Cdo ditë një sajesë! S’zhgënjen asnjë ditë o Njish! Po si mund t’u thuash shqiptarëve Këshilli i Europës mori vendim politik për t’u tërhequr nga zgjedhjet se janë të paligjshme? Tani mezi pres çfarë do thuash kur të dalë rrena në shesh, apo rrena tjetër gati?”, shkruan Kryeministri në rrjetet sociale.
Kreu i grupit parlamentar të socialistëve, Taulant Balla thotë se së pari nuk bëhet fjalë për një vendim të KiE-së, por për një prej institucioneve përbërëse të këtij organizmi dhe deklaratën e Bashës e cilësoi një alibi që nuk qëndron. Balla nënkuptoi gjithashtu se KiE mund të ketë anuluar misionin edhe për çështje financiare.
“Është si ai i mbyturi që kërkon të kapet pas çdo çengeli që i del para. Brenda KiE kjo javë ka qenë shumë intensive, bëhet fjalë për çështje të buxhetit, që prej pezullimit të Rusisë, KiE ka problem prej muajsh trë buxhetit për shumë aktivitete të vetat. Zgjedhjet monitorohen nga OSBE/ODIHR dhe keni parë prezencë shumë aktive të drejtueses së këtij institucioni, Glover”, deklaroi Balla për News24.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.