Politike

KiE tërhiqet nga monitorimi i zgjedhjeve, shkak pasiguria dhe rreziqet në disa zona të vendit

Katër ditë përpara zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, Këshilli i Europës ka vendosur që të tërheqë vëzhguesit e miratuar dhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Situata e tensionuar politike dhe debati për zhdekretimin e zgjedhjeve ka qenë një ndër vendimet që Këshilli i Europës të mos dërgojë të dielën vëzhguesit ndërkombëtarë. Kjo mësohet se është bërë e ditur nga një email i shpërndarë nga vetë zyra e Këshillit të Europës në Tiranë në adresë misioneve të tjera të monitorimit dhe të institucioneve shtetërore. Këtë e konfirmoi edhe për Gazeta SI, përfaqësuesja e Zyrës së Shtypit të KiE-së në Tiranë, Jutbina Hoxha, ndërsa në orët në vijim do të ketë edhe një qëndrim zyrtar nga Kongresi i Autoritetit Rajonal e Lokal të KiE.
Për njoftimin janë vënë në dijeni edhe deputetët e Kuvendit. “Në vijim të emailit të mëposhtëm, me të cilin ju ftojmë në një takim me një delegacion të Kongresit të Autoriteteve Rajonale e Lokale të Këshillit të Evropës, po ju informojmë se udhëheqja e Kongresit (Presidenti në konsultim me dy Presidentët e Dhomave, në përputhje me rregullat e Kongresit) ka vendosur të mos dërgojë në Shqipëri një Delegacion Vëzhgues Zgjedhjesh nga Kongresi për shkak të pasigurisë së vazhdueshme në lidhje me organizimin e zgjedhjeve lokale në Shqipëri më 30 qershor dhe për shkak të rreziqeve të mundshme për sigurinë në disa zona të caktuara”, thuhet në emailin që zëdhënësja e zyrës së KiE në Tiranë ka shpërndarë.

Emaili i shpërndarë që njofton anulimin e delegacioneve të KiE


Përbërja e delegacionit
Vetëm më 21 qershor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të miratonte kërkesën për vëzhgues ndërkombëtarë të Këshillit të Europës me 19 persona dhe 8 përkthyes. Ata do të ishin vëzhgues afatshkurët çfarë nënkupton se do të ishin prezent vetëm ditën e zgjedhjeve. Lista e miratuar nga KQZ përbëhej nga Christina Binder; Zdenek Broz; Pedro Cegonho; Violeta Crudu; Steëart Dickson; Adam Drnovsky; Mario Gauci; Gyorgy Illes; Isabelle Joiret; Jean-Pierre Liouville; Josan Meijers; Cristian Menghetti; Vladimir Prebilic; Eduar Rivas Mateo; Martine Roudolff; Soren Schumacher; Bernd Strobl; Jelena Trifunovic dhe Renate Zikmund.

Lista e vëzhguesve e miratuar nga KQZ


Por pas 5 ditësh nga vendim, mësohet se ky mision është anuluar dhe për këtë shkaktar duket se është është kriza politike, e siç theksohet për shkak të rreziqeve të mundshme për sigurinë.
Këshilli i Europës nëpërmjet Kongresit të Autoritetit Rajonale Lokale të Këshillit të Europës monitoron zgjedhjet lokale në Shqipëri prej vitesh, madje edhe zgjedhjet parlamentare jo vetëm ato vendore. Në 2015 ato mbajtën një raport mbi monitorimin e zgjedhjeve lokale, ndërsa ishin pjesë e vëzhgimit të zgjedhjeve parlamentar të vitit 2013 dhe ato lokale të vitit 2011. Sipas procedurave misionet e vëzhguesve kryhen me kërkesë zyrtare të autoriteteve kombëtare përkatëse (p.sh. një ministri ose Komisioni Qendror Zgjedhor). Me marrjen e një kërkese të tillë, Kongresi krijon një delegacion përgjegjës për vëzhgimin e zgjedhjeve, zakonisht përbëhet nga 10 deri në 15 anëtarë të saj (përfaqësues të zgjedhur të bashkësive territoriale në 47 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës). Para ditës së zgjedhjeve trupa e vëzhguesve zhvillon disa takime për të vlerësuar gjendjen e demokracisë zgjedhore, me pjesëmarrjen e institucioneve qeveritare, përfaqësuesve të zgjedhur lokalë dhe rajonalë, përfaqësuesve të administratës publike (komisionet zgjedhore), partive politike (qeveria dhe opozita) mediat, rrethet diplomatike dhe shoqëria civile. Në varësi të një vendimi nga Byroja e Kongresit, një delegacion parazgjedhor (që përbëhet nga dy deri në pesë anëtarë) mund të detajojë gjithashtu për të vlerësuar situatën e përgjithshme politike të vendit dhe fushatën zgjedhore dhe të hetojë kuadrin ligjor për zgjedhjet.
Përbërja politike e delegacioneve është proporcionale me përfaqësimin e grupeve politike në Kongres. Kongresi gjithashtu siguron përfaqësim të drejtë të anëtarëve të saj të paregjistruar.
Opozita ka paralajmëruar bllokimin të procesit zgjedhor më 30 qershor dhe pikat më të nxehta duket se janë në ato njësi vendore ku janë drejtuar nga PD dhe LSI. Kështu Kukësi, Lezha, Shkodra, Kavaja, Pogradeci, Tropoja janë disa bashkitë e drejtuara nga opozita ku gjatë këtyre ditëve ka pasur tensione të ashpra, duke djegur materialet e fletëve të votimit pranë Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor. Në total janë 27 njësi vendore që drejtohen nga opozita, ku krerët e tyre në bllok i janë drejtuar me shkresë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të liruar ambientet që janë në pronësi të tyre si KZAZ, Qendra Votimit apo Vende të Numërimit të Votave.

Mos prezencën e Këshillit të Europës e ka konfirmuar edhe OSBE/ODIHR. Tashmë monitoruesit e vetëm të zgjedhjeve nga prezenca e ndërkombëtarëve do të jetë vetëm OSBE dhe ODIHR, e cila e ka deklaruar se do të vijojë misionin pavarësisht vendimit të KiE-së.

Përbërja e delegacionit, lista e miratuar nga KQZ
Christina Binder
Zdenek Broz
Pedro Cegonho
Violeta Crudu
Steëart Dickson
Adam Drnovsky
Mario Gauci
Gyorgy Illes
Isabelle Joiret
Jean-Pierre Liouville
Josan Meijers
Cristian Menghetti
Vladimir Prebilic
Eduar Rivas Mateo
Martine Roudolff
Soren Schumacher
Bernd Strobl
Jelena Trifunovic
Renate Zikmund


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë