Politike

Këshilli i BE-së kaloi raportin e IBAR, Rama ironizon kritikët: Thanë negociatat u bllokuan

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me ecurinë e procesit të integrimit europian, duke deklaruar se Shqipëria është drejt një tjetër momenti të rëndësishëm në negociatat me Bashkimin Europian.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u ndal te deklaratat dhe kritikat e bëra gjatë muajve të fundit për procesin e negociatave, duke thënë se parashikimet për bllokim apo ndëshkim të Shqipërisë nga Bashkimi Europian nuk rezultuan të vërteta.

“Thanë negociatat u bllokuan. Thanë Shqipëria u ndëshkua. Thanë Europa u zgjua dhe narkoregjimi u zbulua. U lëshuan rrugëve me molotovë për ta djegur Shqipërinë në sytë e të huajve. U lëshuan nëpër Europë me thasë balte e llumi për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e të huajve”, shkroi Rama.

Kreu i qeverisë tha se, sipas tij, pavarësisht kritikave dhe kundërshtimeve politike, Shqipëria ka vijuar përpara në rrugën e integrimit.

“Humbën përsëri. Dhe Shqipëria përsëri fitoi”, u shpreh ai.

Rama njoftoi se më 26 maj në Bruksel pritet të zhvillohet Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri–BE, të cilën e konsideroi si momentin që vulos përfundimin e fazës hyrëse dhe kalimin në fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit.

Në mesazhin e tij, Rama e cilësoi procesin e integrimit si një “histori suksesi”, duke e lidhur atë me punën e institucioneve dhe me mbështetjen e qytetarëve.

Ai shprehu mirënjohje për administratën publike, shumicën parlamentare, qeverinë, institucionet e përfshira në negociata dhe qytetarët që, sipas tij, kanë mbështetur objektivin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

“Kjo është një tjetër ditë krenarie për Shqipërinë, për skuadrën tonë të madhe dhe për të gjithë ata që punojnë në tryezën e negociatave për Shqipërinë 2030 në BE”, shkroi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë