Politike

Berisha: Raporti i IBAR pasqyron me vërtetësi problemet madhore të regjimit të Ramës

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi raportin e IBAR-it të miratuar më 21 maj në strukturat e Bashkimit Europian, duke e cilësuar atë si një dokument që, sipas tij, përmban kritika të forta ndaj procesit zgjedhor në Shqipëri.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se krahasimi mes draftit të shkurtit dhe versionit final të miratuar nga COELA tregon se nga dokumenti janë hequr pjesë të konsiderueshme që, sipas tij, përshkruanin progresin e vendit, duke u zëvendësuar me kërkesa konkrete ndaj autoriteteve shqiptare.

Ai theksoi se në versionin final është shtuar gjuha që kërkon zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR në prag të zgjedhjeve të ardhshme, duke e interpretuar këtë si sinjal të mungesës së besimit ndaj standardeve zgjedhore.

Berisha gjithashtu u ndal te përfshirja, sipas tij për herë të parë në një dokument evropian, e termit “rrjete patronazhimi”, të cilat ai i cilësoi si mekanizma presioni elektoral të lidhura me Qeverinë dhe përdorimin e burimeve shtetërore gjatë zgjedhjeve.

Sipas tij, dokumenti i ri i Bashkimit Europian nuk fokusohet më te narrativa e progresit, por kalon drejtpërdrejt te kushtet dhe standardet që Shqipëria duhet të përmbushë, veçanërisht në fushën e zgjedhjeve dhe administrimit publik.

Sipas tij raporti i IBAR shpreh shqetësim edhe për vetingun.

“Standardet e vetingut, qëndrueshmëria. Thekson hapat drejt vetingut në shkurt. Në maj shtohet: Thekson nevojën për Shqipërinë të ruajë dhe të mbajë standarde të qëndrueshme.
Sepse është konstatuar që po i shkelmojnë, nuk po i respektojnë dhe po dalin shumë gjëra të zeza mbi ujë.
Qëndrueshmëria e rezultate të vetingut bëhet kërkesë eksplicite si përgjigje ndaj shqetësimeve për vetingun.
Imagjinoni ju si mund të bëjë veting Altin Troplini? A e patë ju? A e patë se si kishte mashtruar ai?
Kishte paraqitur në veting deklaratën e firmosur nga noteri, të prindërve të bashkëshortes së tij, se vila trekatëshe ku banon Altin Troplini është ndërtuar në një kohë kur ai nuk ishte fejuar me Alketën, vajzën e tyre, në një kohë kur dokumentet e shtetit faktonin se në atë periudhë që pretendonte familja e Altin Troplinit, ajo ka qenë tokë arë pa asnjë tullë. Dhe ky tani bëhet kryevetor’, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë