Nga Gazeta Si- Raporti final i vendeve anëtare të BE për ecurinë e Shqipërisë në grup-kapitullin “Themeloret” është politikisht më i fortë, më kritik ndaj qeverisë shqiptare, më specifik në kërkesa dhe më mbrojtës ndaj institucioneve dhe grupeve (SPAK, pakicat, gazetarët, qeverisja vendore) që BE i konsideron nën presion.
Krahasuar me tekstin e shkurtit, në raportin e majit që Gazetasi.al ka siguruar, vendoset fokusi te kushtet konkrete që duhet të përmbushen për mbylljen e Kapitullit 1.
Në variantin final shtetet anëtare kanë forcuar ndjeshëm gjuhën për korrupsionin dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë.
SPAK përmendet specifikisht në dokument dhe shoqërohet me shqetësimin për “sulme të shtuara dhe shqetësuese”, përfshirë edhe në nivele të larta politike.
Ndryshe nga drafti fillestar, ku BE kërkonte në mënyrë të përgjithshme shmangien e ndërhyrjeve ndaj drejtësisë, në variantin final theksohet qartë nevoja për mbrojtjen e SPAK-ut dhe respektimin e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë.
Dokumenti nënvizon se korrupsioni mbetet i përhapur në administratë, pushtetin vendor dhe sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë.
Madje, në gjuhën diplomatike të BE-së, korrupsioni nuk cilësohet më si “shqetësim serioz”, por si “shqetësim thelbësor”.
Për herë të parë, në një dokument të tillë për Shqipërinë, përmenden edhe “rrjetet patronazhiste”, si një problem i qeverisjes zgjedhore.
Në raport shtohen gjithashtu kritika dhe kushte të reja për pronat, zonat bregdetare dhe të drejtat e minoriteteve. Gjithashtu, shtohen kërkesa më të forta për respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, transparencën e ndërmarrjeve shtetërore, reformën në polici dhe mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve.
Ndryshimet kryesore politike në tekstin e majit 2026 përfshijnë:
– SPAK-u përmendet dhe mbrohet në mënyrë eksplicite- sulmet politike cilësohen si “në rritje dhe shqetësuese, përfshirë në nivele të larta”;
– Korrupsioni ngrihet nga një shqetësim “serioz” në një shqetësim “thelbësor”- një gjuhë pranë vijës së kuqe;
– Rrjetet patronazhiste përmenden për herë të parë si problem i qeverisjes zgjedhore;
– Ndërhyrja parlamentare në hetimet në vijim të SPAK-ut trajtohet specifikisht;
– Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe standardet e Komisionit të Venecias për imunitetin ngrihen në nivel kushti për mbylljen e benchmark-ut;
– Abuzimet me pronat lidhen me zonat e pakicave dhe zonat bregdetare; përmenden shpronësimet pa kompensim të drejtë;
– Integriteti i policisë, autonomia e pushtetit vendor dhe transparenca e ndërmarrjeve shtetërore kthehen në kërkesa specifike dhe të matshme;
Bashkimi Evropian lidh drejtpërdrejt sektorin e ndërtimit dhe të pasurive të paluajtshme me korrupsionin dhe informalitetin.
Dokumenti i majit thekson se Shqipëria duhet të adresojë problemet në tregun e pasurive të paluajtshme dhe industrinë e ndërtimit, të lidhura me korrupsionin, mungesën e titujve të plotë të pronësisë, dobësitë ligjore dhe transaksionet jo-financiare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje