Lajme

Kërkoi shuarjen e masës, Gjykata rrëzon kërkesën e Shullazit

gazetasishullazi

Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e Emiljano Shullazit për shuarjen e masës së sigurisë. Emiljano Shullazi dhe grupi i tij kërkuan një ditë më parë rivlerësimin e masës së sigurisë.

Në seancën e sotme gjyqësore, Këshilli i Lartë Gjyqësor, depozitoi një shkresë ku legjitimon gjyqtarët Albana Boksi, Artur Kalaja dhe Etleva Temo për të gjykuar dosjen Shullazi.

Një ditë më parë, përmes avokatëve mbrojtës Emiljano Shullazi paraqiti kërkesën për rivlerësim të masës së sigurisë. Duke qenë se Gjykata e Krimeve të Rënda është mbyllur dhe tani është formuar Gjykata kundër Krimit dhe Korrupsionit të Organizuar, grupi kërkoi rivlerësimin e masës.

Pra, për efekt të mbylljes së Gjykatës së Krimeve të Rënda do duhej që brenda dhjetë ditësh të ishte rivlerësuar nga gjykata e re masa ndaj Shullazit dhe katër të tjerëve.

Banda e Shullazit akuzohet për krijimin e grupit të strukturuar kriminal, kanosje për shkak të detyrës ndaj Mynyr Konit e Dhori Kules dhe shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie kundër Ylvi Beqjes për ish-hotel “Vollgën” në Durrës.  

Emrat e të dënuarve janë: Emiljano Shullazi 14 vjet, Gilmando Dani 12 vjet burg, Endri Qyqa 10 vjet burg, Endri Zela 10 vjet burg dhe për Blerim Shullazi 9 vjet burg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë