Ne rrjet

Kërkesa nga Kosova për Ramën: Anuloje takimin me Vuçiçin

Deputetja e sapo-zgjedhur e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama, që të mos organizojë samitin e radhës për mini-Shëngenin Ballkanik, në Durrës.

Presidenti serb Aleksandër Vuçic vjen në 21 dhjetor në Durrës, ndërsa mohoi masakrën e Reçakut, duke e konsideruar atë si një trillim, shkruan ajo.

Reshitaj tha se kryeministri Rama nuk duhet të ulet në një tavolinë me Vuçic, i cili vazhdon të mohojë krimet e kryera nga serbët gjatë luftës në Kosovë. Sipas saj, kjo do të ishte fyerje jo vetëm për familjarët e viktimave dhe shtetin e Kosovës, por edhe fyerje e rëndë ndaj të gjithë shqiptarëve.

“Duke kujtuar se 20 vite më parë, nën petkun e flamurit shqiptar, pikërisht nën petkun e flamurit që ju përfaqësoni si kryeministër i shtetit shqiptar, u varrosën shumë fëmijë, pleq, gra e burra të pafajshëm, pas masakrës që cilësohet si njëra ndër ngjarjet më të tmerrshme që ka ndodhur në Ballkan. Pikë së pari, si një bashkëkombëse e Juaja, por edhe si një deputete e zgjedhur e Kuvendit të Kosovës, kërkoj nga ju, që së paku në bazë të përgjegjësisë morale, të anuloni takimin tuaj të paraparë për 21 dhjetor në Durrës, me njeriun që në vend se të kërkojë falje, ai vazhdon t’i mohojë krimet e pushtetit të atëhershëm serb, pjesë e të cilit ishte edhe vetë si ministër”, ka shkruar deputetja Reshitaj.

“I nderuar kryeministër i Shqipërisë, ju nuk duhet të uleni e të flisni sërish me të, deri sa ai të reflektojë për deklaratën e dhënë. Kjo nuk është fyerje vetëm për familjarët e viktimave, apo vetëm për shtetin e Kosovës, por është fyerje e rëndë ndaj të gjithë shqiptarëve”, shkruan Reshitaj në një postim në Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë