Keshilla

Keni dy mundësi pune? Si të zgjidhni më të mirën

Ne marrim shumë vendime të mëdha dhe të vogla çdo ditë. Por, kur ju paraqitet më shumë se një mundësi e mirë pune, mund të jetë e vështirë të peshoni se cili do të jetë hapi tjetër në rrugëtimin e punës.

Herët a vonë, kushdo do të përballet me trysninë e marrjes së një vendimi për karrierën. Kur ekspertë të karrierës u pyetën se si ata e bëjnë llogaritjen e kostove kundrejt përfitimeve për çaste vendimtare, këshillat e tyre janë si më poshtë:

Pyesni veten se cila mundësi do t’ju shkaktojë më pak keqardhje

Nëse e gjeni veten duke menduar e rimenduar midis dy mundësive, pyesni veten: “Cila është mundësia të cilën, nëse nuk e zgjedh do të pendohem më pak?” tha Gorick Ng, këshilltar karriere në Universitetin e Harvardit.

Mund të pyesni veten se cili vendim do t’ju jepte më shumë paqe. Ng përshkroi faktorë të ndryshëm, që mund t’ju ndihmojnë të vendosni se cila rrugë karriere do të shkaktonte më pak keqardhje:

“Cila mundësi do të më ndihmonte të ndërtoj reputacion të mirë profesional? Cila mundësi do të dukej më i mirë në CV?”

“Cila mundësi do të më ndihmonte të ndërtoj kapital shoqëror? Cila mundësi do të më ndihmonte të takohesha me njerëzit më të mirë?”

“Cila mundësi do të më ndihmonte të ndërtoj kapital financiar? Cila mundësi do të më jepte stilin e jetës që dua?”

“Asnjë mundësi nuk do të jetë e përsosur, por nëse një mundësi ju jep më shumë pikë, mund të jetë mundësi më e mirë,” tha ai.

Njihni vlerat tuaja dhe shikoni nëse ato përputhen me atë që ofrohet

Lauren Appio, psikologe, trajnere dhe konsulente ekzekutive në Nju Jork këshillon: “Bëni një listë ose shkruani një deklaratë misioni të prioriteteve tuaja kryesore: çfarë dëshironi të përfitoni nga ky hap tjetër në karrierën tuaj? Pastaj, krahasoni zgjedhjet tuaja me këto prioritete. Cila mundësi plotëson më shumë nga prioritetet tuaja?”

“Pasi të jeni të qartë për vlerat tuaja, shikoni nëse ato përputhen me vlerat e kompanisë” tha Ebony Joyce, trajnere karriere dhe konsulent diversiteti.

“Nëse nuk është një përshtatje e mirë kulture, nëse nuk është një mjedis i mirë, nëse ato gjëra nuk janë në përputhje me atë që po kërkoni, këta janë tregues të fortë,” tha ajo.

Joyce sugjeroi t’u kërkoni kolegëve të ardhshëm të mundshëm, informacione nëpërmjet LinkedIn, për të mësuar më shumë rreth kulturës së kompanisë.

Pyesni veten se cila mundësi i përshtatet më shumë pikave tuaja të forta

Një mënyrë tjetër për të vendosur, është të mendoni thellë, për atë që bëni më mirë dhe çfarë është më e rëndësishme në karrierën tuaj, tha trajnerja e karrierës Anne Genduso.

Zgjedhjet mund të duken të pamundura, por zgjedhja e diçkaje, që ju duket më tërheqëse, është çelësi për kënaqësi dhe një ndjenjë përmbushjeje në punë.

“Të jesh në gjendje të përdorësh pikat e tua të forta në punë, mund të ndikojë për mirë ose për keq në kënaqësinë në punë, ” tha Genduso, duke cituar studimin e Gallup, që zbulon se punonjësit, që përdorin pikat e tyre të forta në proçesin e punës, janë më të angazhuar, performojnë më mirë dhe kanë më pak gjasa të largohen.

“Njohja e pikave të forta dhe vlerave, mund t’ju ndihmojë të ngushtoni zgjedhjet e karrierës, duke analizuar se sa mirë përputhen ato me nevojat tuaja,” tha Genduso.

Pyesni intuitën 

Ndjesitë tona mund të na tregojnë se kur diçka është e mirë apo jo, edhe para se mendja të mund ta artikulojë plotësisht atë.

Kontrolloni intuitën duke pyetur veten: “Nëse nuk do të më duhej të shqetësohesha se si ndihet dikush tjetër për vendimin tim, ose se si vendimi im do të ndikonte tek të tjerët, çfarë do të mendoja dhe dëshiroja?” tha Appio.

“Më pas, mund të rishqyrtoni nevojat dhe perspektivat e të tjerëve, dhe se si mund të zgjidhni çdo problem që mund të lindë.”

Nëse bëni zgjedhjen e gabuar, mund të bëni një zgjedhje tjetër në të ardhmen

Shumë prej nesh mund të shqetësohen së tepërmi, për ndikimin e zgjedhjes në të ardhmen, prandaj është e rëndësishme t’i vëmë zgjedhjet në perspektivë.

Edhe nëse e kuptoni disa javë më vonë, se mundësia tjetër mund të ketë qenë zgjedhja më e mirë, gjithsesi mund të bëni një zgjedhje tjetër karriere, si largimi nga vendi i punës, ose të zhvendoseni në një departament tjetër.

Është normale, që rrugët tona të karrierës të mos jenë lineare.

Kur Oprah Winfrey po fliste me një grup studentësh të ekonomisë në Stanford në vitin 2014, ajo tha se e vetmja këshillë për karrierën që donte t’u jepte, është se ndodh që të largohemi nga rruga duke bërë punën e gabuar, dhe ky është gjithashtu një mësim i rëndësishëm.

“Nuk ka rrugë të gabuara. Nuk ka dështime, prandaj mësoni si nga humbjet edhe nga fitoret.”

Edhe nëse merr një vendim dhe thua: ‘Kjo nuk ishte zgjedhja e duhur’, mund të bësh një zgjedhje tjetër.

Burimi: HuffPost


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë