Art dhe Kulture

Këngëtarja Laura Pausini, protagoniste e filmit që tregon jetën e saj

Laura Pausini, gruaja e parë në historinë e muzikës italiane e nominuar për Çmimet e Akademisë, po përjeton një vit plot kënaqësi. Pas fitores së fundit të Globit të Artë për Këngën më të Mirë Origjinale për këngën “Io Sì”, lindur nga bashkëpunimi me Diane Warren dhe nominimi për Oskar në 2021 do të interpretojë në filmin e ri italian nga Amazon Prime Video, prodhuar nga Endemol Shine Italy. Projekti, i lindur nga një ide origjinale e këngëtares, do të shkruhet nga Ivan Cotroneo - i cili gjithashtu do të kujdeset dhe për regjinë - dhe Monica Rametta, ndërsa Gherardo Gossi do të jetë drejtori i fotografisë.

Kishte kaluar një kohë e gjatë që kur Laura kishte ëndërruar t’i përkushtohej një projekti filmik, por ajo ende nuk kishte arritur të gjente diçka “aq të veçantë sa t’i kushtoja kohë dhe energji. Unë po kërkoja diçka inovative në skenarët që ata më propozuan, por nuk ndjeva ndonjë urgjencë të shprehesha”. Pastaj, në shkurt të vitit 2020, takimi me Amazon Studios shënoi kthesën: “Në një nga takimet tona kuptova se kishte diçka që nuk e kisha thënë kurrë më parë - shpjegoi ajo -, diçka e rëndësishme për mua dhe që më në fund doja ta ndaja. Jam e lumtur që ata menjëherë e mbështetën idenë time artistike me entuziazëm: do të përpiqemi ta tregojmë në mënyrën që ndihem më e sinqertë, siç e kam bërë gjithmonë me muzikë, kësaj here me gjithë pasionin që kam për kinemanë”.

Këngëtarja thotë se është e bindur që ky film artistik, xhirimet e të cilit tashmë kanë filluar, do të befasojë publikun dhe fansat e saj të shumtë në të gjithë botën: “Pak para fitores së Globit të Artë fillova të punoj me një nga autorët dhe regjisorët italianë që vlerësoj më shumë dhe nga bashkëpunimi ynë lindi kjo çmenduri, të cilën jam duke u përgatitur ta përballoj me shumë përkushtim dhe jam e sigurt se do të mahnitë edhe ata që mendojnë se më njohin mirë”.

Vjen në vitin 2022

Filmi, i cili do të sillet rreth saj dhe historisë së saj, do të jetë, parashikon Amazon, “një film me një metrazh inovativ që shpik një zhanër të ri dhe konfirmon dashurinë e Laurës për artin e shtatë duke zbuluar shpirtin e saj të vërtetë për publikun, përmes paraqitjeve të jetës së saj private dhe profesionale dhe duke i dhënë vetes mundësinë e madhe për të zbuluar aspekte të vetes dhe botës së saj kurrë të njohur më parë dhe imagjinuar që do t'i zbulohen publikut për herë të parë”, do të mbërrijë ekskluzivisht në Amazon Prime Video në 240 vende dhe territore në të gjithë botën në vitin 2022.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë