Futboll

Kënduan “Vritini shqiptarët!”, por nacionalist quajnë gjestin e “Shqiponjës”

Mediat serbe kishin raportuar ditën e ndeshjes se Rusia i kishte kërkuar federatës zvicerane të futbollit që t’u ndalonte tifozëve të saj simbolet shqiptare dhe nga ajo që u pa nga ekrani të paktën, në ndeshjen mes Zvicrës dhe Serbisë nuk pati asnjë simbol shqiptar, as flamuri i Kombëtar dhe as ai i Kosovës.

Por, nëse në shkallët e stadiumit simbolet shqiptare munguan, në fushë ishte tjetër gjë. Ishte parashikuar më herët që mes Zvicrës me një trajner kroat, katër shqiptarë dhe një boshnjak në fushë dhe Serbisë nuk do të ishte një ndeshje normale, të paktën jashtë fushës.

Në fushë gjithçka rrodhi normalisht. Serbët luajtën më mirë në minutat e para të takimit dhe gjetën golin shumë shpejt, por kaq. Zvicra mori në kontroll frenat e lojës dhe rrezikoi disa herë, por në pjesën e parë nuk e gjeti dot golin e barazimit.

E dyta, falë edhe zëvendësimeve të gjetura të trajnerit Vladimir Petkoviç ishte një tjetër gjë. Xhaka barazon 10 minuta pas rifillimit të lojës. Ishte krejtësisht një aksion “shqiptar”. Shaqiri kishte goditur më herët, por topi u përplas në shpinën e një mbrojtësi serb dhe më pas rrëshqiti drejt Xhakës. Ky i fundit godit me të majtën direkt, megjithëse ishte në pozicion disi të prirët dhe distancë të konsiderueshme.

Topi përfundoi në rrjetë dhe Xhaka nis festën për zviceranët, por pa harruar që të përshëndesë tifozët rusë e serbë, që gjatë gjithë ndeshje fërshëllyen lojtarët me origjinë shqiptare, madje në disa raste u dëgjua slogani i famshëm racist i serbëve, Vritni shqiptarët (Ubije Siptara). Xhaka i përshëndeti sipas mënyrë tradicionale, duke formuar shqiponjën dykrenare me dy duart.

Barazimi u dha zemër zviceranëve, që këmbëngulën më shumë për të gjetur golin e fitores. Përpjekjet u shpërblyen në minutën e fundit, kur Gavranoviç, lojtar me origjinë kroate nxjerr bukur një asist për Shaqirin. Ky i fundit përshkon thuajse gjysmën e fushës me shpejtësi dhe përpjekja e Tadiç për të ndaluar ishte e kotë.

Përballë portierit, Shaqiri godet qetësisht me të majtën duke dërguar topin tokazi në rrjetë. Festa ishte më e çmendur se e Xhakës. Shaqiri e dinte që do të ndëshkohej me karton të verdhë, por sërish e hoqi fanelën dhe bëri simbolin e shqiponjës me duar. Xhaka e ndoqi duke bërë edhe ai sërish shqiponjën, ndërsa festës iu bashkua edhe kapiteni zviceran, Lichtsteiner, që formon gjithashtu shqiponjën së bashku me Xhakën e Shaqirin.

Gjesti nuk u interpretua askundi si fyes, nacionalist apo racist, përveçse në mediat serbe. “Të turpshëm”, e quanin ato, duke i kërkuar FIFA-s që të ndëshkojë lojtarët, që sipas tyre “çuan në botëror tensionet e Ballkanit”.

Shqiptarë të Kosovës festojnë golin e Shaqirit në Prishtinë

Ndoshta e nxitur nga mediat serbe, edhe britanikja “The Guardian” në një artikull të publikuar këtë të shtunë në versionin e vet online fliste për një gjest nacionalist, që çoi në Rusi politikën ballkanike.

Edhe në Zvicër ka patur reagime të ndryshme. Përgjegjësitë e detyrës që ka e detyruan trajnerin Petkoviç që të ishte më i përmbajtur dhe të qortonte me diplomaci lojtarët me origjinë shqiptare që drejton tek helvetët.

“Nuk duhet të përziejmë asnjëherë politikën me futbollin. Është e qartë që në momente të caktuara lojtarët përfshihen nga emocionet. Në, të gjithë së bashku duhet të mbajmë politikën larg futbollit dhe të përqendrohemi tek ky sport i mrekullueshëm që bën njerëzit bashkë”, deklaroi Petkoviç.

Qortimi nuk ra në vesh të shurdhër.

“U përfshimë nga emocionet, por ajo nuk ishte më shumë se vetëm një ndeshje futbolli. Kaq ishte”, deklaroi Xherdan Shaqiri pas ndeshjes.

Por, benzinë zjarrit i hodhën serbët me deklaratat e tyre para ndeshjes. Ata shënjestruan pikërisht Shaqirin dhe faktin se tek këpucët e tij ka vendosur flamurin e Kosovës dhe të Shqipërisë.

“Nëse e do kaq shumë Kosovën, sa vendos flamurin e saj, pse e refuzoi mundësinë për të luajtur për të?”, deklaronte Mitroviç.

Edhe këtu ishte trajneri që mori rolin e qetësuesit të situatës.

“Nuk kam asnjë koment. Unë jam njeri i sportit dhe nuk më interesojnë gjërat e tjera”, deklaronte trajneri serb, Mladen Krstajiç.

Pas fitores me Serbinë, Zvicrës i mjafton që të shmangë humbjen me Kosta Rikan që të sigurojë kualifikimin, ndërkohë që Serbia do të përballet me Brazilin po në të njëjtën orë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë