Politike

Flakadanë, zhurmë, karrige përmbys, përplasje mes Gardës e grupit Bardhi-Berisha, Kuvendi si skenë Déjà Vu-je (foto, video)

Në seancën plenare të së hënës paradite është përsëritur i njëjti film i dy muajve të fundit.

Seanca e mbledhur për hallet e qytetarëve, por edhe për të miratuar procesverbalin e miratimit në parim të projektbuxhetit të seancës 20 nëntor u kthye sërish në një arenë përplasjesh fillimisht mes deputetëve të grupit ‘Bardhi-Berisha’ dhe Gardës.

Këta të fundit kanë kontrolluar çantat e gjithësecilit duke filluar nga gratë deputete, më pas janë konfrontuar me deputetin Flamur Noka. Një prej gardistëve dëgjohet duke i thënë se ai ka një flakadan në xhep.

Ne foto: Deputetet e PD perplasje me Garden

“Ik er p... mos mu afro, do më tregosh ti mua”, iu drejtua Noka gardistit.

“Mos e prek me dorë. Mos e prek me dorë”, reagonte Bardhi duke u përplasur gardistëve një rregullore te brendshme të deputetëve, sa herë që ndaloheshin deputetët e opozitës për kontroll. Vigjilent pas Bardhit u shfaq edhe deputeti tjetër Saimir Korreshi. Ndërkohë në sallën e madhe të seancave plenare ishin rreshtuar sërish karriget përmbys.

Pavarësisht kontrollit të rreptë nga Garda ndaj disa deputeteve femra si Albana Vokshi apo Ina Zhupa, ajo që kishte mbushur çantën me flakadanë kësaj here ishte deputetja e PD-së, Elda Hoti.

Por në sallë i hodhi Flamur Noka që u përjashtua nga Lindita Nikolla.

Noka ishte i kudogjendur për të krijuar bllokimin e seancës nga hedhja e flakadanëve, më pas dogji ca letra dokumente duke u përpjekur t’i verë zjarrin karrigeve i ndihmuar në fund nga deputeti Edi Paloka.

Në anën tjetër deputetët e PS vijonin sikur të ishte një seancë normale duke ‘u qarë hallin’ qytetarëve.

Seanca zgjati vetëm 20 minuta, më shumë se seanca e fundit 5 minutashe për tu mbledhur sërish ditën e enjte për miratimin nen për nen të projektbuxhetit, por me një ndryshim të madh.

“Grupi i zjarrit” siç njihet një pjesë e deputetëve të PD-së me të gjitha gjasat do të përjashtohen nga punimet për 10 ditë referuar asaj që ndodhi sot.

Ndërkohë zyra e shtypit e Kuvendit njoftoi se në orën 11.00 Kuvendi do të vijonte punimet përmes komisioneve parlamentare mbledhur online, konkretisht ai për punët e Jashtme dhe Komisioni i Sigurisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë