Politike

Dogji rregulloren, Balla-Nokës: Dënohesh me 5 vite burg. Bardhi: Ju keni 10 vjet që digjni Shqipërinë  

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar pas tensioneve në Kuvend.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Balla i citoi Flamur Nokës, Kodin Penal.

“Kodi Penal përcakton qartësisht në nenet 151 dhe 154 veprat penale të shkatërrimit/dëmtimit me dashje të pronës me zjarr dhe me mjete të tjera, të cilat dënohen deri në pesë vite burg.

Ndërsa këto akte të rënda janë referuar në mënyrë të përsëritur në Prokurori, institucioni i akuzës duhet të garantojë se ligji zbatohet njëlloj për të gjithë dhe deputeti nuk mund t’i shmanget ligjit kurrsesi, duke përfituar apo duke u fshehur pas imunitetit!”, shkruan Balla duke iu referuar zjarrit që ndezi Flamur Noka duke djegur rregulloren e Kuvendit gjatë seancës të së hënës. Pas deklaratës së Ballës reagoi edhe Gazment Bardhi.

“Edi Rama dhe Taulant Balla i kanë vënë zjarrin Shqipërisë prej 10 vitesh dhe e kanë shndërruar prej kohësh sallën e seancave plenare në një skenë krimi, ku kalohen ligje korruptive për të favorizuar përfaqësues të krimit të organizuar apo ortakët e tyre në biznes.

Vetëm me kontratën e koncesionit të sterilizimit gjykata dhe prokuroria e posaçme kanë konstatuar se kanë vjedhur plot 60 milion euro. Vetëm me zgjatjen e afatit të ligjit për investimet strategjike i siguruat më shumë para një përfaqësuesi të krimit të organizuar në Shkodër që sot është në burg se ka urdhëruar vrasje. Vetëm me ndryshimet e ligjit të koncesioneve i hapën rrugë vjedhjes së miliona eruove me kontratat e inceneratorëve sipas interesit të Klodian Zotës dhe Mirel Mërtirit. Këto janë skena krimi që kanë nevojë të hetohen nga drejtësia, jo karriget e opozitës në foltoren e Kuvendit.

Boll u fshehët pas Gardës dhe boll u ankuat për protestën e opozitës në Parlament që shpreh mospajtimin me këto çështje. Interesi i qytetarëve e kërkon që aferat korruptive të Qeverisë Rama-Balla të hetohen, nga Parlamenti dhe nga drejtësia. Përmes mohimit të hetimit parlamentare, ju po kërkoni të shpëtoni nga transparenca dhe llogaridhënia, me besimin se do shpëtoni edhe nga drejtësia!”, shkruan Bardhi

Më tej ai vëren: “Parlamenti nuk mund të jetë skenë krimi permanente ku ju miratoni ligje me porosi dhe më pas nuk lejoni opozitën të ushtrojë të drejtën e saj të kontrollit parlamentar mbi zbatimin e këtyre ligjeve. Kthimi në normalitet i Parlamentit kalon përmes respektimit të Kushtetutës. Në të kundërt, ju do ta vazhdoni ta trajtoni Kuvendin si sallë ku votoni për të pasuruar veten dhe varfëruar shqiptarët”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë