Ai është mbrojtësi më i mirë i Lacios së këtij sezoni, por që fati e deshi që në ndeshjen e fundit ta vendosë përballë skuadrës, fanelën e së cilës do të mbrojë sezonin e ardhshëm.
Stefan De Vrij është shndërruar në një kazus në shtëpinë e Lacios. Mbrojtësi holandez ka nënshkruar me Interin, me të cilin Lacio përballet në javën e fundit të Serisë A dhe nëse Sasuolo nuk bën ndonjë surprizë ndaj “Zikaltërve”, kjo ndeshje do të jetë vendimtare për një vend në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Pra, nuk bëhet fjalë për një ndeshje dosido, por për ndeshjen e sezonit për të dyja ekipet dhe me të drejtë pyetja që ngrihet nga të gjithë është: a duhet të luajë De Vrij apo jo?
Dyshimet
Për të vendosur nuk është e lehtë. Është një ndeshje që ka vlerën e një finaleje. Nëse De Vrij luan dhe Lacio fiton, atëherë do t’i shtonte vetes meritën që dërgoi në Ligën e Kampionëve një skuadër që e nisi pa shumë pretendime këtë kampionat. Por, nga ana tjetër do të vetëpërjashtohej nga pjesëmarrja në skenën më të madhe të futbollit europian, Champions League.
Pino Wilson, kapiteni i Lacios që ka fituar skudeton e parë e sheh si një vendim tejet delikat. “Për mua, i vetmi që mund të vendosë dhe që duhet të pyetet për këtë është vetë De Vrij. Cilido qoftë vendimi i tij, duhet respektuar. Nëse ka mëdyshjen më të vogël, atëherë të isha në vend të Simone Inzaghit nuk do ta aktivizoja”, këshillon ai.
![](https://online1.gazetasi.al/wp-content/uploads/2018/05/dvrij1.jpg)
Wilson fajëson pjesërisht edhe vetë mbrojtësin holandez për këtë situatë në të cilën ndodhet. “Përflitet prej muajsh që ndeshja e fundit e kampionatit mund të ishte vendimtare për të dyja skuadrat. De Vrij mund të priste fundin e sezonit dhe pastaj të nënshkruante, ose të paktën t’u kishte kërkuar drejtuesve të Interit që të mos e publikonin lajmin”, shton ai.
Një mendim të ngjashëm ndan edhe Sebastiano Siviglia, ish-lojtar i Lacios nga viti 2004 deri në 2010. “Po luan mirë në javët e fundit, por në ndeshjen ndaj Interit do të jetë në një presion të madh. Për këtë, Inzaghi duhet të vlerësojë me kujdes dhe të kuptojë nëse De Vrij është i qetë e i gatshëm për të luajtur në një sfidë të tillë. Është e qartë se një gabim i vogël do t’i vërsulte kritika të rënda. Megjithatë, unë personalisht besoj se ai është një profesionist dhe nëse psikologjikisht është i bindur, duhet të luajë, në të kundërt, jo”, thotë ai.
Besimi
Ka nga ata që besojnë tek lojtari. Njëri prej tyre është Vincenzo D’Amico, një tjetër ish-lojtar i Lacios kampione të vitit 1974. “Ajo ndeshje do të presë biletën e De Vrij për në Milano. Do të jetë prezantimi me shokët e rinj, tifozët e rinj, drejtuesit e rinj dhe të shfaqej si i pandershëm, do ta penalizojë në të ardhmen. Në Milano do të mendonin se nuk mund t’i besohet dhe me të drejtë. Unë jam i bindur që ai do të japë maksimumin”, thotë ai.
D’Amico dhe Wilson bien dakort plotësisht në një gjë; dyshimi që lajmi i blerjes së tij prej “zikaltërve” nuk ka dalë rastësisht tani.
“Ta mendosh të qëllimshme pa prova duket e guximshme, por dyshimet janë. Kush na siguron që lajmi nuk doli për të pështjelluar ambientin bardhekaltër në këtë fund sezoni”, pohojnë ata.
Tifozët
![](https://online1.gazetasi.al/wp-content/uploads/2018/05/lacio1.jpeg)
Edhe ata janë të ndarë! Në radiot lokale të Lacios mendimet që mbërrijnë janë të ndryshme. “De Vrij është mbrojtësi më i mirë që kemi në skuadër dhe nëse do të jetë i shpërqendruar, duhet të luajë”, thotë një tifoz i Lacios.
“Rrezikojmë shumë me aktivizimin e tij! Na tradhtoi një herë duke vendosur që të largohet nga klubi, mund ta bëjë sërish”, shton një tjetër.
Kokë a pil? Ai që vendos është Simone Inzaghi dhe nuk do të jetë e lehtë për të.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.