Futboll

Katër gjërat që mësuam nga ndeshja hapëse e Botërorit

Organizatorët e Kupës së Botës nuk kanë humbur në ndeshjen hapëse të Botërorit dhe mjaftuan 12 minuta që Rusia të sigurohej që të ndiqte traditën.

Vendasit fituan 5-0 përballë Arabisë Saudite, duke vulosur në mënyrën më të mirë një atmosferë festive, që nisi me ceremoninë e hapjes alla-NFL dhe vazhdoi edhe me një “incident” të vogël të Robie Ëilliams, kur këngëtari britanik u tregoi gishtin e mesit kamerave.

Por, le të rikthehemi tek futbolli. Dy gola të Denis Cheryshev dhe golat e Yuri Gazinsky, Artem Dzuyba dhe Aleksandr Golovin i dhanë tri pikë Rusisë dhe pavarësisht se përballë kishte një skuadër modeste, paraqitja zbehu kritikat e medias vendase, që shkruanin vazhdimisht se kombëtarja aktuale ruse është më e dobta e të gjitha kohërave.

Mediat e kritikonin me të drejtë. Në shtatë ndeshjet e luajtura para se të niste Botërori, skuadra nuk kishte fituar asnjë. Vërtet Arabia Saudite është një rival i dobët, por paraqitja e rusëve përpara Presidentit të tyre ishte një sinjal i fortë për Uruguajin dhe Egjiptin.

Golovin, njeriu i ndeshjes

Aleksandr Golovin dhe Denis Cheryshev festojnë fitoren ndaj Arabisë Saudite

Askush më shumë se ai nuk e pati topin nën kontroll gjatë kësaj ndeshjeje. Ishte autori i pasave kyçe që pasuan golat para se të shënonte edhe vetë. 71.4 për qind të 35 pasave të tij ishin të sakta, një shifër e rendisin 22-vjeçarin në nivelin e një mesfushori cilësor, që jo më kot ka tërhequr vëmendjen e Juventusit dhe të Manchester United.

Para ndeshjes hapëse, mesfushori vlerësohej 25 milionë euro në merkato dhe me siguri paraqitja e tij ndaj Arabisë Saudite e ka rritur me disa milionë këtë vlerë.

Dzagoev, çfarë penalizimi

Tek sulmuesi 27-vjeçar i CSKA-së së Moskës janë sytë e të gjithë rusëve për të marrë prej dore skuadra dhe të paktën të kalojë grupin. Por, 22 minuta nga nisja e ndeshjes dhe kur Rusia kryesonte me rezultatin 1-0, Dzagoev u dëmtua dhe la fushën e lojës.

Ai është arkitekti i kundërsulmeve të skuadrës. Në 58 ndeshje ka shënuar nëntë gola dhe dhuruar 8 asiste për skuadrën e vet, skuadër që me gjasa duhet të bëjë pa të ndaj Egjiptit dhe Uruguajit.

Cheryshev në superformë

Zuri vendin e Dzagoev të dëmtuar dhe nuk zhgënjeu. U bë lojtari i parë që hyn si zëvendësues dhe shënon gol në ndeshjen hapëse të një botërori.

Është thërritur në kombëtare edhe pse ka zhvilluar një sezon më shumë se zhgënjyes me Vilarealin, ku ka shënuar vetëm dy gola në 27 ndeshje të La Ligas. Por, ndaj Arabisë Saudite ishte një histori tjetër dhe ai e gjeti rrugën e rrjetës dy herë.

Arabia Saudite nuk di të mbrohet

Edhe vetë sauditët e dinë që mundësitë për të kaluar grupin i kanë thuajse zero dhe pas ndeshjes së parë me Rusinë objektivi jo vetëm që nuk është më kalimi i grupit, por edhe shmangia e një përfaqësimi turpërues, të ngjashëm me atë të 2002.

Në atë botëror, Arabia Saudite pësoi plot 12 gola, 8 prej të cilëve në një ndeshje të vetme, atë kundër Gjermanisë. Me pesë të pësuar nga Rusia dhe kur përballë do të ketë Uruguajin e Suarez e Cavanit dhe Egjiptin e Salah mundësitë që ky rekord negativ të thyhet janë reale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë