Bota

Kate Middleton u spiunua kur ishte në spital, mediat britanike: U tentuan të dhënat mjekësore

Gazeta Si - Kate Middleton mund të jetë spiunuar gjatë shtrimit të saj në Klinikën e Londrës, ku kreu një operacion abdominal.

Kështu zbulon tabloidi britanik “Mirror”, sipas të cilit “të paktën një anëtar i stafit u kap duke u përpjekur të hynte në të dhënat mjekësore” të princeshës.

Kensington Palace as konfirmon dhe as mohon lajmin, por Zyra e Komisionerëve të Informacionit, tha se kishte marrë njoftim për një shkelje. Ndërkohë spitali ka nisur hetimet.

Kate Middleton u shtrua në spital në janar në Klinikën e Londrës për një operacion misterioz abdominal për të cilin nuk u zbuluan asnjëherë arsyet edhe pse teoritë më absurde për Princeshën janë shfaqur me kalimin e muajve.

Për të garantuar privatësinë e saj, dera kryesore e strukturës drejtohej ditë e natë nga dy police, por mesa duket masa nuk ishte e mjaftueshme.

Rreziku, në fakt, ishte brenda. Të paktën një punonjës është përpjekur të hakonte skedarin e kompjuterit që përmbante kartelën mjekësore me informacion konfidencial mbi kushtet shëndetësore të Princeshës së Uellsit.

Nga klinika, përmes një deklarate për “Mirror”, thonë: “Ne besojmë fuqishëm se të gjithë pacientët tanë, pavarësisht statusit të tyre, kanë të drejtën e privatësisë dhe konfidencialitetit në lidhje me informacionin mjekësor”.

Autoriteti i pavarur për Mbrojtjen e të Dhënave në Mbretërinë e Bashkuar (ICO) ka nisur një hetim administrativ.

Pas operacionit që iu nënshtrua në janar, Kate Middleton është ende duke u rikuperuar, por dalëngadalë po rifillon jetën e saj të përditshme.

Mund të duhet pak kohë para se të shihet në një dalje zyrtare, por javët e fundit ajo është parë në makinë me nënën e saj Carole (me sa duket pasi ka marrë fëmijët e saj George, Charlotte dhe Louis në shkollë) dhe më pas me Princin Ëilliam, duke buzëqeshur dhe të shkujdesur gjatë blerjeve në tregun e Ëindsor.

Për Ditën e Nënës, Princesha postoi një foto në rrjetet sociale, e cila, megjithatë, pati një efekt bumerang: në vend që ta qetësonte për gjendjen e saj shëndetësore, ajo ngriti edhe më shumë pyetje duke pasur parasysh gabimet e mëdha të retushimit të fotografisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë