Ka nënshtetësi zvicerane dhe shqiptare dhe deri tani është aktivizuar me të gjitha kombëtaret e moshave të Zvicrës, por Kastrijot Ndau tani ka vendosur të luajë për ekipin Shpresa të Shqipërisë. Futbollisti 19-vjeçar do të jetë shumë shpejt nën urdhrat e trajnerit Alban Bushi, i cili ka fituar një element premtues, që në të ardhmen mund të jetë edhe kontingjent i Kombëtares së madhe.
Ndau ka lindur në Brug të Zvicrës dhe luan në mesfushë. Aktualisht është pjesë e ekipit të 21-vjeçarëve të Zyrihut, ndërkohë që me këtë ekip është e lidhur e gjithë karriera e deritanishme e tij. Mesfushori është grumbulluar nga kombëtaret U-17, U-19 dhe U-21 të Zvicrës. Por tani, në bazë të rregullave të reja të FIFA-s, ai ka vendosur të lërë Zvicrën dhe të luajë për Shqipërinë. Një zgjedhje zemre, por ndoshta e ndikuar edhe nga fakti se me Shqipërinë mund të ketë më shumë hapësira. Trajneri Alban Bushi po mendon që të freskojë ekipin Shpresa me elementë të rinj dhe njëri mes tyre është edhe Kastrijot Ndau.
Në fakt, nuk bëhet fjalë për ndonjë “betejë” të fituar nga Shqipëria kundrejt Zvicrës, sepse në këtë rast vendimtare është dëshira e vetë lojtarit, por edhe interesi i drejtuesve të Kombëtares U-21. Është si rasti i Taulant Seferit, i cili ishte aktivizuar më parë me kombëtaret e moshave të Maqedonisë dhe tani luan me ekipin Shpresa të Shqipërisë.
Një lëvizje që vjen në një moment, kur futbolli zviceran është përfshirë nga polemikat, për shkak të revolucionit që drejtuesit e tij kërkojnë të bëjnë, duke spostuar nga kombëtarja lojtarët me origjinë kosovare. Pak kohë më parë u përjashtua nga Zvicra mesfushori Valon Behrami dhe pritet që të njëjtin fat të kenë edhe disa lojtarë të tjerë. Një çështje që vazhdon të debatohet në Zvicrës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.