Futboll

KAS-i i Lozanës humb “forcën”, lajm i mirë për Skënderbeun

Fati i Skënderbeut së shpejti mund të mos jetë më në dorë të KAS-it të Lozanës (Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv), por në dorë të Gjykatës Civile në Shqipëri. Klubi korçar vazhdon betejën ligjore me UEFA-n për heqjen e dënimit 10-vjeçar nga Kupat e Europës dhe e ka apeluar çështjen në KAS-it, një lëvizje e detyruar për të kërkuar të drejtën, por kjo gjykatë pritet të humbë ekskluzivitetin e të qenit shkalla më e lartë e gjykimit për çështjet sportive. Kompetencat e deritanishme të KAS-it pritet të shfuqizohen nga vendimi i Gjykatës së Apelit në Bruksel dhe lajmi ka bërë bujë menjëherë më shtypin sportiv, sepse bëhet fjalë për një vendim historik.

Shkak për ndryshimin e kompetencave të KAS-it është bërë klubi belg, RFC Seraing, që ka hapur një çështje ligjore kundër UEFA-s dhe FIFA-s, sepse këto organizata nuk e kanë lejuar të kishte një tjetër aksioner, që mund të investonte për të blerë kartonin e futbollistëve si palë e tretë. Gjykata e Apelit në Bruksel ka njohur pretendimet e klubit belg, duke i dhënë të drejtën për të bërë rekurs në gjykatat e shtetit përkatës, duke mos e cilësuar përfundimtar vendimin e KAS-it. Klubi belg akuzon gjithashtu se KAS-i në Lozanë në shumicën e rasteve mbron federatat, sepse financohet nga vetë FIFA dhe UEFA.

Skënderbeu duke festuar

Seanca e radhës është parashikuar më 4 tetor dhe nëse procesi mbyllet me një vendim kundër FIFA-s dhe UEFA-s, merr fund kështu edhe apelimi i çështjeve të ndryshme në KAS-in e Lozanës, që do të thotë se më pas çështjet ndiqen nga gjykatat civile të shtetit përkatës për çdo klub. Pra, nëse ndodh kështu, Skënderbeu mund ta ndjekë çështjen e dënimit nga UEFA në Shqipëri. Në Lozanë nuk është zhvilluar asnjë seancë deri tani. Në klubin korçar janë tashmë në dijeni të kësaj çështjeje, por nuk kanë dashur të japin asnjë deklaratë, sepse më parë duhet të mësojnë me saktësi se për çfarë bëhet fjalë.

Qëllimi i avokatëve të klubit belg, Seraing, është që merret një vendim që do t’i jepte fund përgjithmonë apelimit të detyruar të çështjeve sportive në KAS, pasi nuk është një gjykatë e pavarur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë