Trend

Karkalecat, krimbat e buburrecat. Ushqimi i së ardhmes janë insektet

Insektet janë një burim natyror i pasur me proteina dhe përdoren si ushqim për një pjesë të madhe të shtazorëve. Edhe pse për njerëzit kjo duket e neveritshme, insektet në të ardhmen mund të bëhen një ushqim kryesor në tavolinat tona. Gjallesat e vogla janë duke u kthyer në biznesin më të madh të sektorit të ushqimit dhe bujqësisë dhe kjo është një shenjë e mirë.
Perëndimorët po shohin gjithnjë e më shumë insektet si një ushqim me shumë proteina të cilat janë të rëndësishme për trupin e njeriut.

Insektet ofrojnë të gjitha aminoacidet esenciale për dietën njerëzore, të ngjashme me proteinat e kafshëve, por jo vetëm për të ushqyerit. Qëndrueshmëria mjedisore e kultivimit të insekteve përbën një arsye bindëse, për t’u drejtuar drejt kësaj kulture ushqimore që për njerëzit është e neveritshme. Këto gjallesa, edhe pse të vogla ofrojnë aq proteina sa kafshët e mëdha. Për më tepër, ato kanë nevojë për më pak burime natyrore, sesa prodhimi i mishit të gjedhëve ose shpenzëve, të cilët shkaktojnë një pjesë rritjes së gazeve serrë në atmosferë. Ky është një lajm i madh për sektorin e bujqësisë, i cili nuk është vetëm shfrytëzuesi më i madh i tokës dhe i ujit në botë, por edhe një nga shkaktarët më të mëdhenj të gazit serrë.

Shenjat e tregut janë premtuese pasi sipas një raporti nga Global Market Insights me bazë në ShBA, tregu i insekteve të ngrënshëm parashikohet të rritet me një vlerë prej 710 milionë dollarësh deri në vitin 2024, nxitur nga kërkesa për ushqime me proteina.
Karkalecat e tokës, krimbat dhe buburrecat përdoren më shumë në restorantet që shërbejnë këto ushqime. Sektori i bujqësisë është i interesuar për prodhimin e vazhdueshëm të insekteve që konsumohen sepse këto gjallesa kërkojnë shumë pak burime ushqimore për t’u rritur. Duke iu përgjigjur potencialit të industrisë, një trup tregtar amerikan i sapoformuar (Koalicioni Amerikan për Bujqësinë e Insekteve) aktualisht është duke lobuar me Administratën e Ushqimit dhe Ilaçeve për të njohur insektet si ushqim dhe për të vendosur standardet e prodhimit. Në BE, Rregullat e Ushqimit Nivel, të vitit 2018, kanë filluar të krijojnë një kornizë legjislative për përfshirjen e insekteve në prodhimin kryesor të ushqimit.
Ky lloj ushqimi nuk është asgjë e re në shumë vende të botës. Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, vlerëson se insektet janë pjesë e dietës së rregullt të dy miliardë njerëzve në botë.

Insekte me perime

Në Tajlandë, insektet e Azisë shpërndahen si pjatë e dytë në restorantet lokale. Kohët e fundit, të vetmit perëndimorë që kanë provuar insektet ishin turistët kuriozë, por Tajlanda po i sheh vendet perëndimore si një nga eksportuesit më të mëdhenj për insektet e ngrënshme. Në vitin 2017 Ministria e Bujqësisë në Tajlandë ishte e para në botë e cila zbatoi praktikat për të përpunuar insektet në mënyrë që të jenë të ngrënshme, duke përcaktuar disa udhëzime për prodhimin e sigurt dhe efikas të insekteve.
Megjithatë shumica e fermave të insekteve në këtë vend po operojnë në mënyrë të ngadaltë, edhe pse studiuesit dhe investitorët po vlerësojnë mënyrat e rritjes së këtyre gjallesave.
"Ferma Criceket Lab, e themeluar në vitin 2016 në Ciang Mai, është duke kërkuar procese të automatizuara për përpunimin e gjallesave të vogla. Kjo fermë ka potencial për të prodhuar 3.5 ton insekte në muaj. E vetmja gjë që mungon është kërkesa," thotë bashkëthemeluesi Radek Hušek.
Insektet si krimbat dhe buburrecat janë po aq të pasura me proteina dhe kanë lehtësi rritjeje në rrethana të ndryshme, madje dhe në klimën e ftohtë. Sidoqoftë, ende ekziston ndjenja e neverisë te njerëzit dhe kjo është një sfidë për marketingun e insekteve në Perëndim.

Restoranti Chang Cui

Në Bankok, Mai Thitwat, shef ekzekutiv i restorantit “Chang Cui”, thotë se ushqimet më të mira mund t'i gjejmë në oborrin e shtëpisë. Mai bëri një vit hulumtime për të kuptuar proceset e ndryshme bujqësore të insekteve, përfitimet e tyre ushqyese, qëndrueshmërinë, aromat e tyre dhe përdorimin në ushqim. Ai mësoi nga kuzhina tradicionale tajlandeze dhe përdori aftësitë e tij, për të sjellë insektet si një ushqim kryesor në kuzhinën italiane dhe franceze.
Shumë restorante në botë kanë klientë të etur për të provuar gjëra të reja dhe shumë prej tyre parapëlqejnë, pilafin me krimbat e tokës dhe karkaleca. Gjithashtu, një ndër pjatat më të mira të restoranteve që shërbejnë gjallesat e vogla është cilësuar "ravioli me brumbull uji".
“Nëse i përgatisni insektet mirë, ato do të duken shumë të mira për t’u ngrënë. Ndoshta do të duhen dekada që njerëzit të mësohen me këtë kulturë ushqimore, por në të ardhmen do të bëhet shumë e preferuar nga të gjithë njerëzit në botë,” thotë Mai. /BBC/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë