Opinion

Kardhiqi, preludi i Unazës

Nga Klodian Tomorri* - Përplasja e fortë për tenderin 20 milionë euro të rrugës Kardhiq-Delvinë është vetëm një nga frontet e luftës së ashpër që ka shpërthyer mes klaneve ekonomike brenda maxhorancës. Fronti tjetër i kësaj lufte pritet të shpërthejë brenda pak ditësh dhe është ai i Unazës së Madhe të Tiranës.

Janë të njëjtët aktorë dhe është e njëjta përplasje identike. Në 22 korrik, Autoriteti Rrugor Shqiptar hapi ofertat e tenderit për ndërtimin e lotit të parë të Unazës, në segmentin që përfshin rrethrrotullimin e Shqiponjës. Në garë morën pjesë 8 kompani, ku oferta më e ulët u paraqit nga Alb Building me 1.72 miliardë lekë, ose 14.2 milionë euro, ndërsa e dyta ishte e Salillarit me 1.77 miliardë lekë.

Por, ashtu si në rastin e Kardhiqit, pas shqyrtimit të ofertave, Autoriteti Rrugor Shqiptar skualifikoi për mospërmbushje të kritereve dy ofertat më të ulëta duke shpallur fituese kompaninë e vendit të tretë, Vëllezërit Hysa, e cila ka ofruar ta ndërtojë veprën me 14.7 milione euro, pra 500 mije euro më shumë se oferta më e ulët.

Edhe në tenderin e Unazës, vendimi i ARRSH është kundërshtuar nga kompanitë me ofertat më të ulëta, përkatësisht Alb Building dhe Salillari, të cilat e ankimuan shpalljen e fituesit në Komisonin e Prokurimeve. Ashtu siç parashikon procedura, me marrjen e ankesës KPP ka pezulluar menjëherë lidhjen e kontratës, deri në vendimin përfundimtar që do të marrë pas shqyrtimit të dokumentave. Dosja ka tre javë që qëndron në KPP dhe deri tani nuk ka asnjë vendim.

Ngjashmëria mes dy tenderave është e frikshme. Në të dy rastet ARRSH ka skualifikuar ofertat më të ulëta. Në tenderin e Kardhiq-Delvinë ajo shpalli fituese kompaninë me ofertën më të lartë duke skualifikuar 5 ofertat më të ulëta, ndërsa në tenderin e Unazës u shpall fituese oferta e tretë më e lartë dhe u skualifikuam dy kompanitë me ofertat më të ulëta.

Por, kjo nuk është koincidenca e vetme. Në të dy tenderat, fituesi është i njëjti, ose më saktë prokurimi ka shkuar në kompani me lidhje të forta me njëra-tjetrën. Bëhet fjalë për kompaninë Vëllezërit Hysa. Edhe pse në tenderin e Kardhiqit kjo kompani nuk figuron vetë në konsorciumin fitues, ajo merr pjesë përmes kompanisë satelit të saj, Sulova. Kjo e fundit është një kompani që figuron në pronësi të Elton Mustës, për vite të tëra ish-ekonomist i kompanisë Vëllezërit Hysa.

Por, vendimi i ARRSH-së për t’i çuar dy tenderat më të mëdhenj të infrastrukturës rrugore për vitin 2019 në të njëjtën dorë duket se nuk ka qenë i koordinuar në të gjithë hierarkinë e pushtetit. Prova për këtë ishte ndryshimi i fituesit nga Komisioni i Prokurimit.

Në tenderin e Kardhiqit vendimi i ARRSH-së për të shpallur fituese ofertën më të lartë u cilësua si i paligjshëm nga Komisioni i Prokurimeve, i cili përmbysi fituesin duke urdhëruar kualifikimin e ofertës më të ulët, asaj të konsorciumit të përbërë nga Gjoka dhe Cobial me ofertë 4 milionë euro më të ulët. Por, pas refuzimit të Sonila Qatos për të ndryshuar fituesin dhe kur gjërat dolën totalisht jashtë kontrollit, në lojë hyri Ministria e Infrastrukturës që urdhëroi anulimin e tenderit.

Gjasat janë që edhe në rastin e Unazës vendimi i ARRSH-së të rrëzohet sërish dhe fituesi të ndryshojë. Në këtë situatë ka dy skenarë; ose Sonila Qato zbaton vendimin e KPP-së dhe ndryshon fituesin, ose e refuzon sërish, ashtu siç bëri me Kardhiqin dhe tenderi i Unazës mund të shkojë drejt anulimit. Gjithmonë nëse nuk do të ketë ndryshime në kupolën drejtuese të ARRSH-së dhe Ministrisë së Infrastrukturës, një skenar ky që pas këtyre që kanë ndodhur nuk është më i paimagjinueshëm.

Tenderat 40 milionë euro të rrugës Kardhiq-Delvinë dhe Unazës së Tiranës nxorrën në sytë e opinionit publik luftën e ashpër mes klaneve ekonomike të maxhorances. Por, mbi te gjitha ato ekspozuan në dritën e diellit pazaret dhe korrupsionin në tenderat publike në Shqipëri. Tashmë, Partia Socialiste nuk është më një parti politike, por një organizatë e mirëfilltë interesash, të cilat tani janë në luftë të ashpër brenda llojit. Bishat tashmë kanë dalë nga kafazi. Qytetarëve u mbetet vetëm të paguajnë faturën.

*Marrë nga profili në Facebook i autorit


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë