Para

Karantina, shqiptarët tkurrën shpenzimet për mallrat afatgjatë dhe shërbime

Qëndrimi brenda mureve të shtëpisë për tre muaj, si detyrim për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të COVID-19, ka tkurrur shpenzimet për mallra afatgjatë dhe shërbime nga ana e shqiptarëve, të cilët janë ndjerë të pasigurtë në lidhje me mbarëvajtjen e ekonomisë dhe të paqartë për zhvillimet e mëtejshme.

Të dhënat e rapoortit të Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se kërkesa e brendshme u tkurr me 7.7% në terma vjetorë, në tremujorin e dytë të vitit 2020. Rënia vjetore është dukshëm më e lartë krahasuar me tremujorin e mëparshëm, duke reflektuar të plotë goditjen nga pandemia Covid-19. Ndikim kryesor ka patur konsumi privat, i cili ra me 7.6% krahasuar me një vit më parë.

Investimet vazhduan tkurrjen dyshifrore, me 11.1%. Rënia e investimeve vlerësohet se është shkaktuar kryesisht nga sektori publik.

Raporti thotë se disa tregues sugjerojnë një gjallërim relativ të kërkesës së brendshme gjatë tremujorit të tretë, si reagim i ekonomisë kundrejt lehtësimit të masave anti-Covid. Megjithatë, ecuria e saj mbetet poshtë niveleve para epidemisë dhe normalizimi i kërkesës së brendshme kërkon ende kohë.

Konsumi privat

Konsumi privat pati rënie vjetore prej 7.6% në tremujorin e dytë, rënia më e ulët e dhjetë viteve të fundit. Kategoritë e konsumit të goditura më rëndë janë shpenzimet për mallra afatgjatë dhe për shërbime. Këto të fundit, përveç rritjes së pasigurisë, janë ndikuar dhe nga mbyllja e detyruar e aktiviteteve. Të dhëna e tregtisë me pakicë flasin për rënie vjetore me 8.7% për mallrat joushqimore. Tregtia me pakicë e mallrave ushqimore, megjithëse e ngadalësuar, pati rritje vjetore 1.4% në tremujorin e dytë. Rënia e shpenzimeve për shërbime dëshmohet në rënien me 38.7% të vlerës së shtuar në degën hotele, restorante, bare, transport dhe telekomunikacion.

Faktorët, sqaron BSH, që kanë ndikuar ecurinë e konsumit privat gjatë këtij viti lidhen me pandeminë dhe kulmuan në tremujorin e dytë, kur edhe pasiguria u rrit ndjeshëm. Kjo u reflektua në rënien e besimit konsumator gjatë këtij tremujori në pikën më të ulët historike të tij.

Banka bën me dije se të dhënat sugjerojnë një pikë kthese të konsumit në tremujorin e tretë të vitit. Kjo ecuri sinjalizohet nga ulja e treguesit të pasigurisë konsumatore dhe përmirësimi i balancës së blerjeve të mëdha nga vrojtimi i besimit të konsumatorëve, përmirësimi i besimit në sektorin e shërbimeve dhe rritja e lehtë e importit të automjeteve në periudhën korrik – gusht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë