Njerez

Karantina në kontenier, ditët e vështira të banorëve që tërmeti i la pa shtëpi

Ergi po pret me sytë nga televizori dhe me librin e matematikës në dorë. Shkolla që gjendet pas krahëve të tij është mbyllur nga pandemia globale e Covid-19. Por për të miturin janë ëndrra me sy hapur orët e mësimit online dhe në distancë. Televizori që është sajuar në ato pak metra sipërfaqe, është e vetmja rrugë për të që të mësojë diçka. Në kontenierin ku fëmija jeton bashkë me prindërit dhe motrën e vëllain nuk ka as internet dhe as kompjuter. I zhvendosur pas tërmetit të 26 nëntorit, një tërmet që shkaktoi 51 viktima në vend, fëmija përqëndrohet sa të mundet para televizorit, por shpesh ngre supet.

“Kam qenë nxënës i mirë, për mua kjo është një vështirësi e madhe, ia pres orën 10.30 ose orën 1.00, varet si është planifikuar. Ndonjëherë i shoh të gjitha. Mezi pres të nisë shkolla, i mbyllur në kontenier nuk jetohet”, shprehet për gazetën “Si” Ergi, shqetësimi më i madh i të cilit është të mos shkëputet nga ritmi i mësimeve.

Banorët e Manzës që jetojnë në kontenier gjatë këtyre ditëve të karantinës

Por për prindërit e tij, veç ecurisë së shkollës së fëmijëve, problemi më i madh është ushqimi. Tërmeti i la pa shtëpi. Në një hapësirë të ngushtë ata janë pa punë dhe sytë e tyre tashmë kanë mbetur nga hyrja kryesore ku janë vendosur kontenierët për të strehuar 46 familje të mbetura të pastreha në Manzë.

Babait të Ergit mbysh sytë me lot. Ka sajuar pak qumësht të holluar me sheqer për fëmijën e vogël që e mban në krahë dhe izolimi nga pandemia i ka dhënë shuplakën e radhës. Klemant Jonuzi mundohet të vetëpërmbahet, por i quan njësoj si tërmetin si pandeminë e Covid-19. “Gjatë tërmetit, nëna ime Naxhije Jonuzi kaloi parainfarkt dhe dy javë pas tërmetit ndërrroi jetë në koma në spital. Të humbisje çdo gjë ishte e vështirë. Tani nuk dal dot të gjej punë, fëmijët janë të uritur, vinin të gjithë në fillim na premtonin, por pa shtëpi dhe me pandemi vështirë se do ia dalim”, tregon burri që ngjan i dorëzuar.

Ai kujton se gruaja ka punuar në një fabrikë këpucësh, ndërsa të dy tani kanë mbetur pa punë, pasi nuk dalin dot dhe duhet të qëndrojnë të izoluar. Na solli ushtria pesë kilogramë sheqer, pesë oriz, dhjetë pako makarona, por a mbahet shtëpia me të falur, skemi asgjë. Dëgjoj që thonë distancim social, po ne përplasemi me njëri-tjetrin aq ngushtë jemi në kontenier”, shton kryefamiljari që apelon dhe kërkon ndihmë sociale, pasi sipas tij asnjë shtëpi nuk mbahet me miell hua.

Asime Doda jeton bashkë me gjashtë anëtarë të tjerë të familjes në kontenierin ngjitur. Pyet se sa mund të zgjasë dhe sa kohë i duhet qeverisë t’i bëjë me shtëpi, pastaj ngre duart nga qielli. “Na sollën nga pesë e pesë, po ku dalin ushqimet, ne rrimë brenda dhe mendjen e kemi veç tek buka, qenka diçka e pashpjegueshme”, shton gruaja, e cila si të tjerët bën apel për kujtesë dhe jo për lëmoshë.

"Do Zoti na ruan se po erdhi këtu koronavirusi - ndërhyn Albina Qatolli - do bëjë kërdinë. Nuk dalim dot, marrim ushqime me listë, këta banorët e dinë hallin tonë dhe na japin. S’dimë më deri kur, deri kur do kemi një zgjidhje".

Në kampin me kontenerierë të Manzës jetojnë 130 banorë, të cilët mbetën pa shtëpi. disa prej tyre kanë fëmijë. Të tjerë jetojnë me të moshuarit. Të gjithë i kanë sytë nga porta. “Para virusit vinin të kishës dhe na sillnin, tani edhe ata nuk dalin më se kanë frikë, - psherëtin Albina e cila si zonjë shtëpie që është kujton një mijë probleme që hasin në kontenier.

"Ujë kemi mos të qahemi kot për këtë gjë, drita kemi, po me këtë sëmundjen sheshit as dezinfektantë as gjë prej gjëje dhe kaq ngushtë. Detyrohem shkoj e vë veten në rrezik, ngjitem tek pallati i pabanueshëm vë lavatriçen dhe i sjell rrobat këtu”, tregon duke iu dridhur mjekra. Nuk e di po këto problemet njëra pas tjetrës qenkan të pakapërdishme, kur s’ke shtëpi, s’ke asgjë, dhe askush s’të sheh. Nuk jetohet me pesë pako makarnona, e mbyll frazën gruaja, e cila të vetmen shaka që bën në mes të atyre problemeve është “kot themi që jemi 46 famillje, ne jemi një familje po pa kryefamiljar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë