Dosje

Foto / Kapet në Kolumbi shqiptari Klodian Zaimi i njohur si ‘El Gringo’, trafikanti i tretë i drogës brenda një viti

Gazeta Si - Trafiku i drogës nga shtetas shqiptarë nga Amerika Latine drejt Europës dhe SHBA-ve, duket se nuk është përqendruar vetëm në Ekuador.

Drejtoria e Hetimit Kriminal dhe Interpoli i Policisë Kombëtare të Kolumbisë (Dijín), në bashkëpunim me DEA-n amerikane (Agjencia e Administratës së Kontrollit të Drogës), kanë arrestuar në Kolumbi shqiptarin Klodian Zaimi. Bëhet fjalë për trafikantin e tretë shqiptar të drogës të kapur në Kolumbi thuajse brenda një viti.

I njohur ndryshe edhe me nofkën “El Gringo” (një term që përdoret për t'iu referuar të huajve, sidomos amerikanëve, por mund të përdoret edhe me miqtë e huaj), Zaimi kishte si detyrë kryesore marrjen e parave nga shitja e kokainës në Shtetet e Bashkuara dhe herë pas here në Evropë, për ta pastruar dhe dërguar në organizatën kriminale në Kolumbi.

Sipas mediave kolumbiane, shqiptari ishte përgjegjës për koordinimin e dërgesës së sasive të mëdha të lëndëve narkotike nga portet e Kartagjenës drejt Amerikës Qendrore dhe Shteteve të Bashkuara, duke përdorur varka të shpejta.

“Hidrokloridi i kokainës i dërguar u prodhua në departamentin e Valle del Cauca dhe u transportua me rrugë tokësore në bregdetin e Karaibeve. Pasi atje, anëtarët e organizatës janë përgjegjës për dërgimin e alkaloidit nga deti në destinacionin e tij përfundimtar”, tha Dijín në një deklaratë.

Në këtë operacion është kapur edhe një person tjetër, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Si “El Gringo”, ashtu edhe i ndaluari tjetër, kërkohen nga një gjykatë e distriktit jugor të Floridës në SHBA për krimet e pastrimit të parave, trafikut të paligjshëm të drogës dhe komplotit për të kryer një krim.

Klodian Zaimi është shqiptari i tretë i arrestuar nga autoritetet kolumbiane thuajse brenda një viti i akuzuar si trafikant i drogës.

Në shtator 2022, u kap nga policia kolumbiane një nga trafikantët më të klërkuar shqiptarë në Europë, Denis Klironomi, i cili njihej me nofkën “Gucci”, i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i regjistruar me “Kod të Kuq” nga Interpoli.

Ndërsa në gusht të këtij viti, ra në pranga në Kolumbi, Besnik Nikolli, alias Niko ose “El Gordo” (I shëndoshi).

Ai ishte shpallur në kërkim nga 180 shtete pas një urdhri të Interpolit dhe sipas shtypit vendas, u "tradhëtua" nga dobësia e tij për femrat.

“El Gordo”, kujdesej për rishitjen e kokainës, heroinës dhe drogave të tjera të forta nga Amerika Latine, në rajonin e Lionit të Francës.

Vetëm pak ditë më parë, në Turqi u arrestua Dritan Rexhepi, “Mbreti i kokainës”, i cilësuar si trafikanti më i rrezikshëm i drogës nga Ekuadori drejt Europës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë