Dosje

U kap në Kolumbi, bosi shqiptar i drogës ‘El Gordo’ u josh nga agjentja e infiltruar në rrjetet sociale

Gazeta Si - Një trafikant shqiptar droge, Besnik Nikolli alias Niko ose “El Gordo” (I shëndoshi), i kapur disa ditë më parë në Kolumbi dhe i shpallur në kërkim nga 180 shtete pas një urdhri të Interpolit, “u tradhëtua” nga dobësia e tij për femrat.

Oficerët e inteligjencës nga të paktën katër vende për më shumë se dhjetë vite kanë qenë në kërkim të drejtuesit të një organizate shqiptare, që kujdesej për rishitjen e kokainës, heroinës dhe drogave të tjera të forta në rajonin e Lionit të Francës.

LEXO EDHE:
Video/ Kapet në Kolumbi super-trafikanti shqiptar i drogës ‘Gucci’, u zbulua nga tatuazhi

Sipas medias kolumbiane "El Tiempo", oficerët e inteligjencës së Europol, pohojnë se “El Gordo” u transferua në vitin 2021 në Kolumbi për të krijuar aleanca me kartelet lokale.

Ai jetonte në një lagje të njohur të Santa Martas dhe qëndroi atje për dy vjet pa u zbuluar, por çelësi i kapjes së tij ishin një seri fotosh që i dërgonte një gruaje me të cilën mbante lidhje në rrjetet sociale.

Shqiptari siguroi se jetonte në Bogota dhe mburrej me fotografi të udhëtimeve në Evropë.

Nikolli ishte një person i shpallur në kërkim nga Franca dhe Interpoli i akuzuar për trafik droge dhe pastrim parash.

Ndër të tjera thuhet se “Niko”, sipas hetimeve së inteligjencës, kishte lidhje me strukturat e trafikut të drogës në Shqipëri, Holandë dhe Gjermani, të cilët ishin partnerë të tij në Evropë dhe ishin përgjegjës për transportin e drogës.

Megjithatë, edhe ai kishte pikën e tij “të dobëta”. Atë për femrat, pasi bosi shqiptar u kap pikërisht falë pas kurthit nga agjentët e inteligjencës franceze.

“Hetuesit përdorën si karrem në internet një grua dhe ai e pësoi. Ajo ishte një agjente e fshehtë, e cila fitoi besimin e ‘Nikos’ dhe e shtoi atë në rrjetet sociale”, tha një burim gjyqësor për “El Tiempo”-n.

Sipas autoriteteve, shqiptari rrallëherë dilte nga banesa e tij në një apartament modest në lagjen “San Pablo” të Santa Martës, ku organizonte festa me femra të punësura për evente të tilla.

Pas njohjes me agjenten e infiltruar, ai filloi t’i dërgonte foto të përditshmërisë së tij, udhëtimeve dhe pasurive që zotëronte.

“Një nga ato imazhe kishte vendndodhjen gjeografike në metadata. Që nga ai moment filloi detyra për të gjetur vendndodhjen e saktë për kapjen e tij”, thonë hetuesit.

Nga ana tjetër, fqinjët e tij filluan të raportojnë te autoriteteve se stili i jetës ekstravagante dhe në formë të izoluar i tij u dukej shumë i dyshimtë.

Në media janë publikuar foto ku shqiptari ka pozuar para automjeteve luksoze, në ferma në Evropë dhe madje edhe në një lokal në Santa Marta.

Në fakt, fotografia e fundit ka qenë ajo që ka bërë të mundur lokalizimin e vendndodhjes së të ‘El Gordos”.

“Ne e dinim vetëm se ai ishte në Kolumbi, sepse kishte hyrë përmes Bogotas, por ai nuk figuronte në të dhënat e policisë. Franca këmbënguli që ‘Niko’ ishte në Kolumbi”, - vijon hetuesi. Arrestimi i tij është bërë në fundjavën e shkuar në Santa Marta (Magdalena).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë