Futboll

Kaos total në “Monumental”, Tevez akuzon CONMEBOL

Tension i madh në Buenos Ajres. Finalja e dytë e Kupës Libertadores, River Plejt-Boka Zhunior është shtyrë tri herë mbëmjen e së shtunës, sepse situata ka qenë mjaft e tensionuar. Autobusi i Bokës po i drejtohej stadiumit “Monumental”, por është sulmuar me gurë, tymuese dhe gas lotasjellës nga një grup tifozësh të River Plejtit. Një xham i autobusit është thyer dhe dy nga lojtarët e Bokës, Pablo Perez dhe Gonzalo Lamardo, janë transportuar për në spital me urgjencë.

CONMEBOL është detyruar të reagojë tri herë për shtyrjen e ndeshjes, fillimisht duke e shtyrë një orë, por më pas ka ardhur një shtyrje tjetër dhe në fund u vendos që të luhet të dielën, në orën 21:00. Personeli mjekësor, i shumtë në ambientet e stadiumit, ka shkuar në dhomat e zhveshjes së Bokës për të ndihmuar lojtarët e saj, pas sulmit nga tifozët e skuadrës kundërshtare, që janë konfrontuar edhe me policinë. Këta tifozë kanë përdorur edhe gas lotsjellës dhe pasojat i kanë vuajtur  Tevez e Izquierdoz. Drejtuesit e “punëtorëve” kanë bërë me dije se 5 lojtarë kanë qenë me të vjella dhe vështirësi në frymëmarrje. Boka ka kërkuar shtyrjen e ndeshjes, në një moment edhe pezullimin e saj. Konfederata e Futbollit Amerikano-jugor, me anë të një komunikate, ka bërë të ditur vendimin për shtyrjen e ndeshjes për të dielën.

Autobusi i Bokës sulmohet nga tifozët e River Plejtit

Në stadium ka qenë i pranishëm edhe presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino. COMNEBOL ka insistuar deri në fund që ndeshja të luhej, por në fund u dorëzua. Zëvendëspresidenti i Bokës, Dario Rikarte, shumë i alarmuar, theksoi: “Qëndrimi i klubit tonë është shumë i qartë: nuk duam të luajmë!” Sipas shtypit argjentinas, me këtë qëndrim ka qenë dakord edhe trajneri i River Plejtit, Marselo Gajardo. Situata në Argjentinë ka marrë vëmendjen e shtypit sportiv botëror dhe ka dyshime edhe për zhvillimin e ndeshjes ditën e diel, duke parë situatën. 

Lamardo, me syrin e fashur, takon trajnerin e River Plejtit, Gajardo

Sulmuesi i njohur i Bokës, Karlos Tevez, e ka quajtur një turp të madh atë që ndodhi, duke akuzuar edhe Konfederatën se po i detyronte të luanin me zor: “Ne ishim duke vjellë dhe CONMEBOL donte të na detyronte të luanim. Më mirë le t’ia jepnin direkt Kupën Libertadores River Plejtit, pse nuk ia japin? Gjithmonë kanë bërë atë që kanë dashur. Ishte e turpshme, janë sjellë vërtet shumë keq me ne. Nëse janë kundër meje, nuk ka problem, por donin që ne të luanim, kur Pablo Perez ishte në spital. Shtyrja? Çfarë ndryshon një ditë? Ngjarja ka ndodhur tashmë. Nëse do ta kishte bërë Boka Zhuniors këtë gjë, me do të ishim jashtë turneut dhe Riveri do të festonte me Kupën. Asnjë nga lojtarët e Riverit nuk erdhi të na pyeste si ishim. I njëjti mjek që ditën e gazit lotsjellës ishte në “Bombonera” dhe vendosi që të mos luhej ndeshja, në këtë rast bëri gjithçka që ne të luanim”,- është shprehur Tevez.

Karlos Tevez


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë