Futboll

Kaos total në Kupën Libertadores, tifozët pushtojnë fushën

Kupa Libertadores dihet që nuk është një turne për njerëz me zemër të dobët. E ka treguar edhe një herë ndeshja mes Santosit dhe Independienten, e mbyllur me shumë polemika dhe me kualifikimin e argjentinasve për në turin tjetër. Si ndeshja e parë, ashtu edhe e dyta, kanë sjellë shumë probleme dhe sfida në Brazil është mbyllur në një kaos total. Ndeshja e parë u mbyll me rezultatin 0-0, por iu dha në tavolinë 3-0 skuadrës argjentinase. Ky ishte vendimi i Comnebol (Federata e Amerikës së Jugut), sepse Santosi kishte aktivizuar uruguaianin Karlos Sançez, i skualifikuar që në kohën kur luante ende për River Plejtin.

Bëhet fjalë për një dënim që Sançez nuk e kishte shlyer, pasi tre sezonet e fundit ka luajtur në Europë. Dënimi kishte mbetur në fuqi dhe i kushtoi Santosit humbjen në tavolinë. Klubi brazilian kishte bërë ankimim, duke u mbrojtur me rastin analog të Bruno Zukulinit, edhe ky i aktivizuar me klubin e ri, River Plejtin, edhe pse ishte i skualifikuar. Independiente nuk u ndëshkua nga Comnebol, pasi klubi argjentinas kishte komunikuar me organizatorët e turneut për të ditur, nëse mund ta aktivizonte lojtarin e tij apo jo. Ishte një gabim i kësaj Federate, që më pas e lejoi Zukulinin ta shlyente pezullimin në ndeshjet e ardhshme. Santosi nuk kishte bërë kërkesë dhe pavarësisht se Sançez figuronte në sistem, nuk i shpëtoi ndëshkimit ai dhe klubi i tij. Një situatë që tifozët e ekipit brazilian e interpretuan si qëndrim me dy standarde nga Federata e turneut më të rëndësishëm në Amerikën e Jugut.

Forcat e rendit dhe tifozët e irrituar të Santosit

Vendimi bëri që tifozët brazilianë të shpërthenin në ndeshjen e kthimit. Ndeshja, sipas “Marca”, u mbyll 12 minuta para kohe nga arbitri, që pa se ishte e pamundur të luhej pas hedhjes së sendeve të forta dhe futjes së tifozëve në fushë. Veprimi i tifozëve është justifikuar nga Rodrigo Goes, ylli i ri brazilian që është blerë nga Reali i Madridit. Talenti i Santosit tha: “Tifozët bënë mirë. Ndeshja u mbyll kur u bë i ditur vendimi për rezultatin në tavolinë, është një turp. Mund të them shumë gjëra, por më mirë të mos flas më shumë”.

Nga përleshja e tifozëve brazilianë me forcat e rendit

Polemikat do të vazhdojnë gjatë, sidomos pas videos të shpërndarë në rrjetet sociale, ku Rodrigo shfaqet duke sulmuar Federatën amerikanojugore për vendimin, sipas tij, të njëanshëm të çështjes  “Sançez”. Comnebol, bij ku.....”, është fjalia që tashmë është bërë virale dhe që mund t’i kushtojë shumë lojtarit të Santosit. Vështirë që Comnebol të mos marrë masa dhe pritet një dënim i rëndë për talentin brazilian. Një motiv më shumë për të shkuar më shpejt te Reali. Por Rodrigo duhet të presë korrikun e 2019-s, sepse pa mbushur 18 vjeç, nuk mund ta lërë Brazilin.

https://twitter.com/twitter/statuses/1034626229255766019

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë