Futboll

Kaos në Libertadores, 14 minuta shtesë dhe sulm ndaj arbitrit 

Kur luajnë një skuadër argjentinase me një skuadër braziliane nuk është kurrë një ndeshje e zakonshme. Për më tepër kur ajo është një gjysmëfinale e Kupës Libertadores dhe mund të vlejë një “Superclasico” në aktin e fundit.

Këtë sezon, kalendari i Championsit amerikanojugor ka bërë që të ketë spektakël më shumë se çdo herë tjetër. Boka Zhunior-Palmeiras dhe River Plejt-Gremio janë dy sfidat e nxehta që vlejnë finalen, por jo vetëm kaq. Një nga këto katër skuadra e ka fituar tashmë vendin për në finale. Ka kaluar River Plejti me ndihmën e golave të shënuar në fushë kundërshtare. Kuptohet që tensioni pas ndeshjes në radhët e brazilianëve të Gremios ka qenë i lartë, për faj të…VAR-it.

Lojtarët e Gremios kontestojnë vendimin e arbitrit Kunja

Deri në minutën e 85-të, rezultati ishte 1-1 dhe kualifikonte të zotët e shtëpisë, Gremion, që e kishte fituar 0-1 ndeshjen e parë në “Monumental”. Por në atë moment arbitri uruguaian Kunja, me ndihmën e teknologjisë, gjykoi se prekja me dorë e topit nga Bresan ishte jo vetëm penallti, por edhe karton i dytë i verdhë për këtë lojtar. Një vendim që solli kaos, siç raporton britanikja “Mirror”. Bresan është nxjerrë me forcë nga fusha dhe për 10 minuta loja është ndërprerë. Penalltia e akorduar në minutën e 85-të është gjuajtur në minutën e 5-të shtesë nga 14 të tilla që u dhanë nga arbitri Kunja. Ky i fundit e ka parë punën keq pas mbylljes së ndeshjes.

River Plejti feston kalimin në finale, Gremio sulmon arbitrin 

Në momentin që ai vërshëlleu për të sinjalizuar fundin e ndeshjes, reagimet e lojtarëve të Gremios ishin të fuqishme dhe të ashpra. Teksa lojtarët e River Plejtit po festonin në mes të fushës kalimin në finale, një objektiv që para 20 minutash dukej diçka e pamundur, pasi argjentinasit barazuan vetëm 5 minuta para penalltisë, ata të Gremios kanë shfryrë inatin ndaj arbitrit Kunja. Për ta nxjerrë këtë të fundit nga fushë u desh ndërhyrja e forcave të policisë. Ata që po përpiqeshin ta sulmonin arbitrin nuk ishin tifozët e Gremios, por vetë futbollistët, të cilët tani rrezikojnë një pezullim të mirë. River Plejti po përgatitet tani për finalen, që mund të jetë historike. Boka Zhunior luan gjysmëfinalen e kthimit me Palmeirasin e favorizuar nga fitorja me 2 gola e ndeshjes së parë. “Superclasico” është shumë pranë dhe në rast se do të ketë vendime të kontestuara në finale, policët me shkopinj gome dhe skafandra mund të mos mjaftojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë