Lajme

Kandidoi në Himarë, Fredi Beleri merret në pyetje për masakrën e Peshkëpisë

Në Prokurorinë për Krimet e Rënda është rihapur dosja për masakrën e Peshkëpisë, ngjarje e ndodhur më 10 prill të 1994, kur shtatë persona të armatosur dhe me uniforma të ushtrisë greke sulmuan një repart ushtarak shqiptar në rrethin e Gjirokastrës.

Mes personave të akuzuar si pjesëmarrës në këtë masakër është edhe emri i Fredi Belerit, në atë kohë 23 vjeç. Me rihapjen e dosjes, Beleri është thirrur për t’u pyetur për sulmin terrorist të 25 viteve më parë, ku ranë dëshmorë ushtarakët Fatmir Shehu e Arsen Gjini dhe u plagosën tre ushtarë të tjerë.

Prej 25 vitesh qarkullojnë emrat e shtatë personave si të përfshirë në këtë ngjarje. Ata janë Jorgo Anastasulis, në atë kohë 34 vjeç dhe oficer i ushtrisë greke, Apostolos Karvelas, 26 vjeç, punonjës i policisë greke, Mario Kutullas, qytetar shqiptar, në atë kohë 25 vjeç dhe banues e punëtor në Athinë, Fredi Beleri, në atë kohë 23 vjeç, qytetar shqiptar banues gjithashtu në Athinë, ku punonte si hidraulik, Jorgo Kristo, qytetar shqiptar dhe vëllezërit Harallamb Papa dhe Jorgo Papa, 21 vjeç dhe 30 vjeç në atë kohë. Sulmi u mor përsipër nga e ashtuquajtur organizata “MAVI”.

Prokuroria dyshon se personat në fjalë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë autorët e sulmit. Përveç provave të grumbulluara ndër vite nga dëshmitarë dhe në rrugë operacionale prej Policisë së Shtetit dhe shërbimeve inteligjente, prokuroria ka marrë si prova edhe dokumentarët e gazetarëve Marin Mema dhe Artan Hoxha për këtë masakër. Përveç kësaj, Prokuroria ka një listë me rreth 30 persona, që kanë dijeni, ose janë përfshirë në ngjarjen në fjalë, të cilët pritet t’i marrë në pyetje në ditët në vazhdim.

Në një reportazh të Memës dhe në dy reportazhe të Artan Hoxhës del emri i Fredi Belerit si i përfshirë i drejtpërdrejtë në këtë masakër, për të cilën është arrestuar në vitin 1995 nga ana e policisë greke së bashku me një grup personash të tjerë.

Arrestimi në atë kohë mendohet se ka ndodhur pas një përpjekjeje të dështuar për të ndërmarrë një sulm të ngjashëm brenda territorit shqiptar. Policia greke ka sekuestruar në atë kohë uniforma ushtarake dhe armë zjarri. Por, të gjithë të ndaluarit u lanë të lirë brenda një kohe të shkurtër për mungesë provash.

Në Shqipëri dosja u mbyll pa shumë zhurmë me të ndëshkuarit e vetëm ushtarakët që drejtonin repartin e Peshkëpisë. Shtatë emrat e mësipërm mohuan dhe mohojnë përfshirjen dhe të njëjtën gjë Fredi Beleri e përsëriti edhe në përfundim të marrjes në pyetje nga ana e Prokurorisë.

“Erdha që të mbaroj baltosjen e figurës time për një çështje që nuk kam asnjë lidhje. Në ditën dhe muajin që është bërë veprimi kam qenë në Qipro dhe autoritetet greke dhe shqiptare i kanë provat për të mos hedhur më baltë mbi emrin tim”, deklaroi për Top Channel vetë Fredi Beleri.

Beleri thotë se akuzat ndaj tij janë një sulm për shkak të aktivitetit politike. Ai nuk iu përgjigj pyetjes së gazetares Anila Hoxha mbi arrestimin e vitit 1995 nga policia greke për këtë çështje. Marrja në pyetje e Fredi Belerit ndodh pak ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të refuzojë kandidaturën e tij për kryetar të Bashkisë së Himarës.

Refuzimi nuk lidhej me akuzat për ngjarjen e Peshkëpisë, por mbi bazën e një vendimit të Gjykatës së Vlorës, që e kishte dënuar me 3 vite burg për nxitje të urrejtjes ndëretnike dhe përdhosje të simboleve kombëtare. Akuzat lidheshin me ngjarjet e ndodhura në vitin 2003 në procesin zgjedhor në Himarë, ku Fredi Beleri u përfshi në përleshjet e ndodhura në një qendër votimi, ku u hoqën prej andej simbolet e shtetit shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë