Lajme

Konstantin Kaçifas, profili i një ekstremisti të MAVI-t

Mentor Kasa – Familja Kaçifa në Bularat ka hapur dyert e mortit. Mes lotësh e protestës, për të afërmit e Konstantin Kaçifas vrasja e tij nuk duhej të kishte ndodhur. Varrimi, që ishte paralajmëruar për t’u kryer pasditen e kësaj të hëne, është shtyrë për të martën, për të shuar të gjitha pretendimet e të afërmve dhe banorëve të fshatit mbi dinamikën e vdekjes së 35-vjeçarit.

“Ne duam drejtësi. Si mundet policia të vrasë? Kaq e vështirë ishte ta kapnin? Na kanë prekur të gjithëve, gjithë fshatin. Nuk menduan për prindërit e tij, për moshën e re. Kjo vdekje na ka plagosur shumë”, thonë banorët në Bularat.

Përfundimet e ekspertizës mjeko-ligjore nuk kanë dalë ende dhe për ngjarjen është vënë në lëvizje edhe konsullata greke në Gjirokastër, që ka kërkuar sqarime. Policia thotë se i riu refuzoi të dorëzohej dhe qëlloi me breshëri automatike ndaj forcave RENEA, që iu kundërpërgjigjen. Në shkëmbimin e zjarrit, ekstremisti grek gjeti vdekjen.

Për një pjesë të grekëve, sot ai është një hero, pavarësisht plumbave që derdhi fillimisht ndaj patrullës së zakonshme të policisë në Bularat dhe më vonë edhe ndaj forcave speciale. Hero apo ekstremist do të jetë pyetja që do të ngrihet më së shumti matanë kufirit. Por, kush ishte Konstantin Koçifa?

Mjafton një vizitë e thjeshtë në profilet e hapura prej tij në rrjetet sociale për të kuptuar qëllimet e të riut. 35-vjeçari, i lindur në Bularat të Gjirokastrës postonte vazhdimisht mesazhe “rebelimi kundër shtypjes”, që sipas tij po vuanin minoritarët grekë në Shqipëri.

I divorcuar dhe baba i një fëmije, ai jetonte në Athinë. Në vendlindje ishte rikthyer ditët e para të tetorit dhe në dukje me misionin e qartë për të “ngritur në këmbë” minoritarët për më shumë të drejta.

Në Facebook poston shpesh flamurin grek me simbolet ekstremiste të organizatës famëkeqe MAVI, ose “Fronti për Çlirimin e Epirit të Veriut”, organizatë terroriste greke, të cilës i faturohet edhe sulmi ndaj postës ushtarake shqiptare në fshatin Peshkëpi 24 vite më parë.

Organizata është themeluar në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore dhe objektivi i saj ka qenë krijimi i kaosit, pasigurisë dhe gjoja shfaqjes së një situate të rëndë për minoritarët grekë në vendin tonë. Paralelisht me këtë, gazetari grek i “Kathimerinit”, Stavros Ximas, në librin e publikuar disa vite më parë dhe titulluar “Në yllëzimin e Nacionalizmit” flet edhe për fonde të fshehta që derdhen për mediat greke dhe ato progreke në Shqipëri për të paraqitur gjendjen e minoritarëve në vendin tonë si të mjerueshme dhe të shtypur. Ximas thotë se kjo organizatë është përpjekur të eleminojë edhe minoritarët grekë që ishin kundër linjës së ndjekur prej saj.

“Nëse grekët e Vorio-Epirit do të ishin ngritur, Vorio-Epiri sot do të ishte bashkuar me Greqinë. Shkurt, nëse grekët e Vorio-Epirit duan lirinë, ata duhet të marrin malet”, shkruan në një postim të 14 tetorit Konstantinos Kaçifas.

"Θέλει αρετήν και τόλμην η ελευθερία". Προϋπόθεση της ελευθερίας είναι η ευψυχία, η γενναιότητα και η ανδρεία. Η δειλία…

Gepostet von Katsifas Konstantinos am Mittwoch, 26. Juli 2017

Në një tjetër postim, ai hedh një foto nga zona e Dropullit, me mbishkrimin: “Grekët e skllavëruar të Dropullit”. Nuk ndalet me kaq, por në një koment që i bëjnë miqtë në këtë rrjet social shkruan se zgjidhja është vetëm një: “Greqia duhet të kufizohet me Serbinë”, duke nënkuptuar këtu planin e Megalli Idesë, që e ndan Shqipërinë nga Shkumbini e poshtë për Greqinë dhe nga Shkumbini e Lartë për Serbinë.

Thuajse çdo postim të tijin, i ndjeri e shoqëron me sloganin “Vorio-Epiri është Greqi”, ndërsa në një mesazh më të freskët i kundërvihet si kryeministrit grek, Alexis Tsipras, ashtu edhe atij shqiptar, Edi Rama.

“Tsipras dhe Rama thurin plane pa të zotin e shtëpisë. Por, të rinjtë e Vorio-Epirit nuk do të qëndrojnë duarkryq përballë këtyre planeve. Ftoj të gjithë grekët e Vorio-Epirit që më 28 tetor t’u dërgojmë një mesazh të fortë. Greqi deri në vdekje!”, shkruan ai.

Τσίπρας και Ράμα κάνουν σχέδια χωρίς το Νοικοκύρη….. Για ένα πράγμα να είναι σίγουροι, Η σκληροπυρηνική Νεολαία τής…

Gepostet von Katsifas Konstantinos am Dienstag, 23. Oktober 2018

Thirrjes së tij për “rebelim” nuk iu përgjigj njeri më 28 tetor, por vetë Kaçifas e vijoi “luftën” e tij me parimet e organizatës terroriste MAVI dhe mbeti i vrarë gjatë dyluftimit me forcat speciale RENEA.

Veç gjithë këtyre, 35-vjeçari ishte një prej organizatorëve kryesorë të një tjetër tubimi të mbajtur në muajin maj të këtij viti. Tubimi përkujtonte Protokollin e Korfuzit, nënshkruar më 17 maj të 1914, mes Princ Vidit, që në atë kohë drejtonte Shqipërinë dhe të ashtuquajturës “Republika Autonome e Epirit të Veriut”.

Gjatë këtij tubimi Konstantinos Kaçifas ka mbajtur një fjalim të ashpër kundër qeverisë shqiptare duke e akuzuar për mosnjohjen e identitetit etnik për një pjesë të madhe të jugut të Shqipërisë. Ai fliste për minoritarë grekë në Korçë, Përmet dhe Himrarë, të cilët deklaronte se nuk gëzonin asnjë të drejtë.

Sot e në vijim, për nacionalistët grekë dhe sidmos Agimin e Artë, ai do të jetë një hero, ndërsa për të tjerët dhe për shqiptarët, një ekstremist që qëlloi me armë ndaj forcave të policisë.

Në bazë të postimeve të tij sot nuk ka më asnjë dyshim se Konstantinos Kacifas ishte një ekstremist e nacionalist i vijës së ashpër greke, por dyshimet që lë pas janë disa. A veproi ai i vetëm, apo ishte pjesë e një grupimi më të gjerë, që për synim ka trazimin e jugut të Shqipërisë?

 

Më Shumë