Futboll

Kamza gjen trajnerin e ri, firmos Ernest Gjoka

Trajneri i tretë për këtë kampionat i Kamzës do të jetë Ernest Gjoka. Ish-tekniku i Vllaznisë sezonin e shkuar, ka firmosur me ekipin kamzali pas largimit të Klodian Duros. Lajmi është bërë zyrtarë mbrëmjen e kësaj të enjte përmes rrjeteve sociale nga vetë klubi i Kamzës, ku shkruhet: “Zyrtare. Ernest Gjoka është trajneri i skuadrës sonë.”

Gjoka do e marrë skuadrën në dorëzim duke filluar që nga dita e premte, ku pas prezantimit do të fillojë menjëherë nga përgatitja për javën e ardhshme të Superiores. 48-vjeçari ishte i papunë që pasi u largua nga drejtimi i Vllaznisë, të cilën nuk mundi ta shpëtonte nga zbritja një kategori më poshtë sezonin e shkuar. Vlen të përmendet që tekniku tiranas është shpallur kampion me Kukësin dy sezone më herët, por që nga ai moment karriera e tij pati një bllokim dhe do të mbetet për t’u parë se nëse do t’ia arrijë që ta shpëtojë Kamzën nga rënia nga kategoria.

Kamza deri në këtë fazë të kampionatit ka grumbulluar vetëm 8 pikë, duke u renditur në vendin e parafundit. Misioni për ta shpëtuar Kamzën, për Ernest Gjokën fillon në shtëpi ku do të presë Kukësin, më pas do të udhëtojë drejt Kurbinit për t’u përballur me Laçin. Dy sfida këto shumë vendimtare për ecurinë e Kamzës këtë sezon, por edhe aventurën e re të Ernest Gjokës, i cili do të përpiqet që të mos jetë i shkarkuari i radhës nga drejtuesit e Kamzës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë