Futboll

Ish-lojtari i Kombëtares, Duro, trajner te Kamza

Ish-mesfushori i Kombëtares, Klodian Duro, është trajneri i ri i Kamzës, që pas humbjes me Teutën shkarkoi Bledar Devollin. Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e klubit nga Kamza, ndërsa prezantimi i Duros para gazetarëve do të bëhet ditën e mërkurë. Kamza është skuadra e parë që ka ndryshuar trajnerin në këtë kampionat, duke kaluar çdo parashikim, pasi janë luajtur vetëm tri javë dhe ç’është më e çuditshme, ajo ka fituar javën e parë në fushën e Tiranës.

Klodian Duro, 40 vjeç, kthehet të drejtojë një skuadër në Superiore pas disa vitesh. Ai ka vetëm një përvojë si trajner, ku në sezonin 2015-2016 ka drejtuar Kukësin dhe në krye të tij ka fituar Kupën e Shqipërisë. Tani merr drejtimin e Kamzës dhe kjo është një sfidë e re për elbasanasin, që dikur ka shkëlqyer në fushat e blerta si lojtar.

Klodian Duro, kur lante me Kombëtaren

Pas shkarkimit të Devollit, kandidatë për stolin e Kazmës ishin Sulejman Starova dhe Ernest Gjoka, si dhe një trajner rus, por në fund drejtuesit e Kamzës vendosën për t’i besuar Duros. Një trajner i ri në moshë dhe me ambicie, që pritet ta udhëheq Kamzën drejt vendeve të kreut në një kampionat shumë të vështirë. Duro, përveç Kombëtares, ka luajtur me shumë klube të njohura në vend si Elbasani, Vllaznia, Partizani dhe Tirana, si dhe me ekipe të huaja, siç janë Arminia Bilefeld në Gjermani, Rizespor dhe Samsunspor në Turqi, Lask në Austri dhe Omonia Nikosia në Qipro.     


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë