Atletike

“Kampionia” nuk mund t’i kalojë dot pengesat e vetme

Nga Fatjon Rupi - Nëse Shqipëria do të kishte infrastrukturën e duhur për stërvitje, atletja Luiza Gega me siguri do të ishte kthyer më medalje nga Europiani i Berlinit, ku 32 të qindtat e ndanë nga vendi i tretë. Mbështetja për atleten shqiptare ka qenë e jashtëzakonshme nga njerëzit pas garës, duke e quajtur atë “kampione”, edhe pse nuk ia doli të merrte medalje. Mjafton t’i hedhësh një sy faqes së Luizës në facebook për të parë inkurajimin e madh të njerëzve që e duan sportin dhe në veçanti atletikën. Kurse vetë sportistja ka një apel për shtetin: infrastrukturë për të shpëtuar atletikën! Luiza Gega tregon në një intervistë për gazetën "Si" emocionet e garës në Berlin, trishtimin për medaljen e munguar, por edhe problematikën, që e pengon këtë sport të ecë përpara.

Luiza, si u ndjetë pas garës, që ishte dramatike për nga mënyra si shkoi për ju?

U futa për të marrë medalje, sigurisht ngjyrën s’e përcaktoja dot, por e dija që i kisha gjithë mundësitë për t’u futur në zonën e medaljes. Luftova deri në fund për këtë, por për fat të keq nuk ia dola dot për pak. Sigurisht, u mërzita, por përsëri jam e 4-ta në Europë dhe kjo është goxha arritje për mua dhe për atletikën shqiptare.

Luiza Gega

Keni ndonjë “peng” për atë garë, pasi ishit vetëm 32 të qindtat larg podit?

Sigurisht, kur ti je aq afër vendit të 3-të dhe që për pak mund t’ia dalësh, është normale që mërzitja të jetë e madhe, por ky është sporti, jo të gjithë dalin të fituar. Ky vit ka qenë vërtet një nga vitet më të rëndësishëm të karrierës sime. Më e rëndësishme është që nuk kam pasur dëmtime, pasi kishte dy vite rresht që pësoja dëmtime që më linin jashtë pistës. Por sigurisht, më është dashur të heq dorë nga shumë gara me premio, që bëja çdo vit për të siguruar të ardhurat, që më duheshin të mbaja veten. Për shkak të ngarkesës së madhe që merrja, vinte një moment që pësoja dëmtime dhe këtu infrastruktura ka ndikuar. Ky vit filloj me rekord kombëtar që e arrita në “Diamond League”, në Romë në 3000m/pengesa, me kohën 9.22.00. Kampione Mesdheu, si dhe rekord në Lojërat Mesdhetare në Tarragona të Spanjës, duke i sjellë Shqipërisë të vetmen medalje të artë nga këto lojëra. Si dhe vendi i 4-t në kampionatin europian. Në total ka qenë një vit vërtet i suksesshëm.

Çfarë biseduat me trajnerin pas garës?

Kam bërë disa gabime gjatë garës, sidomos te gropa e ujit, por duke qenë se nuk kam ku ta praktikoj, e kam shumë të vështirë ta perfeksionoj këtë gjë. Folëm rreth mënyrës se si shkoi gara, gabimet që bëra. Gjithsesi, edhe ai është shumë krenar për arritjet e këtij viti. Dhe unë e falënderoj vërtet shumë.

Kush ju kontaktoi pas garës?

Familja ime, presidenti e Federatës së Atletikës, shokë. Sot nuk kam pasur mundësi të flas, pasi kam qenë në udhëtim.

Fotoja e postuar nga Luiza Gega pas garës në Berlin dhe anash komentet inkurajuese të njerëzve të ndryshëm 

Njerëzit ju kanë mbështetur shumë në rrjetet sociale, pavarësisht se nuk arritët të merrnit medalje. Si ndiheni?

Ka shumë njerëz që e kanë ndjekur garën dhe vërtet mesazhet janë shumë pozitive dhe mbështetëse. Kanë përjetuar shumë emocione nga gara, sepse deri në sekondat e fundit ka qenë e mundur medalja. I falënderoj vërtet pa masë për gjithë urimet e tyre, që kanë shumë vlerë për mua.

Çfarë duhet bërë konkretisht në infrastrukturë, që Luiza Gega të ketë rezultate më të mira?

Për fat të keq, mungesa e infrastrukturës më ka penalizuar shumë. Në Tiranë akoma nuk kemi një pistë vrapimi. Kam bërë fazën përgatitore në qytetin e Korçës, por sigurisht që është e pamundur të plotësohen të gjitha kushtet. Për shembull, mbushja e gropës së ujit, që të përmirësoja teknikën, pasi aty çedoj shumë. Në Korçë nuk është bërë asnjëherë e mundur mbushja e saj, edhe pse unë duhet të punoj me të pothuajse çdo ditë. Janë detaje, që duken të parëndësishme, por për fat të keq, janë ato që më bënë të humbisja edhe medaljen.

Cili është apeli juaj, që atletika shqiptare të rritet?

Infrastruktura është gjëja më e rëndësishme për një sport, është sikur një gazetar të mos ketë as stilolaps, as bllok, as kompjuter, ku mund të punojë. Ashtu është edhe sporti pa infrastrukturë. Më vjen vërtet shumë keq që atletika shqiptare, sidomos Tirana, të jetë në të tilla kushte. E ardhmja e këtij sporti është vërtet në rrezik, ka shumë fëmijë të talentuar, si dhe ne që vazhdojmë, që nuk mund të japim më të mirën, sepse s’kemi ku stërvitemi. Sporti është shëndet, emocion, krenari. Duhet që sa më shpejt shteti t’i kthejë sytë nga gjërat, që vërtet kanë vlera për shoqërinë.

Disa nga komentet për atleten shqiptare pas garës

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë