Futboll

Kampionët e Kosovës kërkojnë trajner në Shqipëri, ofertë Duros

Numri i trajnerëve shqiptarë në Kosovë mund të rritet shumë shpejt. Kampionët në fuqi të elitës së futbollit kosovar, Drita e Gjilanit, janë në kërkim të trajnerit të ri, pas shkarkimit të Bekim Isufit, i cili u largua pas humbjes së fundit në kampionat. Drita ka mbetur në vendet e fundit në renditje pas katër javëve të para dhe ndryshimi në stol dukej i pashmangshëm. Drejtuesit e këtij ekipi i kanë hedhur sytë në Shqipëri për pasuesin e Isufit dhe për momentin kandidatët janë dy, Shpëtim Duro dhe Ernest Gjoka. Një rastësi e bukur ndoshta, që për ta shpëtuar skuadrën nga kjo situatë të emërohej një trajner me emrin Shpëtim.

Ekipi i Dritës në stërvitje

Shpëtim Duro, ish-trajneri i Partizanit dhe disa skuadrave të tjera në Shqipëri, si dhe Shkëndijës së Tetovës në Maqedoni, është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e kampionëve të Kosovës. Ai ka kërkuar dy ditë kohë nga drejtuesit e Dritës për të vendosur, nëse do ta pranojë ofertën apo jo. Nga përgjigja e Duros varet edhe kandidati tjetër për trajner të gjilanasve, Ernest Gjoka. Aktualisht Duro është i angazhuar si opinionit televiziv, por kuptohet që e josh rikthimi në stol pas disa muajsh pushim. Ai ka stërvitur sezonin e kaluar Flamurtarin, por u largua pa u mbyllur kampionati. Kuptohet që në rastin konkret vendosnin termat ekonomikë, por edhe gjendja dhe përbërja e skuadrës së re kanë rëndësinë e vet. Kurse kandidati tjetër, Ernest Gjoka, ishte së fundi në stolin e Vllaznisë, por edhe ai u largua pa u mbyllur kampionati, ndërkohë që shkodranët ranë nga kategoria.

Shpëtim Duro

Afrimi i trajnerëve shqiptarë në Kosovë është trend tashmë, pasi janë disa trajnerë me emër që trajnojnë në këtë vend. Mirel Josa drejton Prishtinën, Gugash Magani Trepçen ’89, Samuel Nikaj Vushtrinë. Pak kohë më parë u shkarkua nga Feronikeli Sulejman Starova, ndërsa sezonin e kaluar kanë drejtuar në Kosovë edhe Bledi Shkëmbi e Bledar Devolli. Gjithashtu, në Kosovë luajnë shumë futbollistë nga Shqipëria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë