Politike

Delegatja e PD që thotë se i është falsifikuar firma për 11 dhjetorin kërkesë Palokës: Më jepni formularin. Reagon Garo: 2 ishin të pakonfirmuara dhe i hoqëm nga lista

Delegatja e Partisë Demokratike, Freskida Rapo e cila fillimisht përmes rrjeteve sociale denoncoi se firma e saj për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të PD në 11 Dhjetor është falsifikuar, i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Kryetarit të Këshillit Kombëtar Edi Paloka.

Delegatja kërkon t’i vihet në dispozicion formulari në të cilin thuhet se ajo ka hedhur firmën.

“Kërkoj të më vini në dispozicion formularin për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të PDSH-së, që sipas informacionit të dhënë nga deputeti i zonës elektorale nr 5, Agron Shehaj, rezulton i firmosur nga e nënshkruara, gjë e cila nuk përkon me të vërtetën pasi kam refuzuar të firmos formularin në fjalë”, shkruan delegatja Freskida Rapo Hani.

Një ditë më parë në një lidhje direkte në emisionin “Open”, Freskida Rapo  u përball në distancë me deputetin e PD-së, Agron Shehaj, (i ftuar në emision) i cili pasi verifikoi firmat e degëve 5 dhe 7, (ku ka qenë edhe drejtues gjatë fushatës elektorale), kishte konstatuar se Rapo dhe një delegat tjetër nuk kishin firmosur.

Delegatja fajësoi deputetin Shehaj, se përse ai nuk e kishte denoncuar shkeljen.

“Zoti Shehaj më mori mbrëmë dhe më pyeti që më rezulton se keni firmosur dhe i thash jo, i thashë firmën time kush e ka falsifikuar?! Zoti Agron duhet ta kishte denoncuar, nëse duhet të ishte e ndershme ai formular duhet të kishte dalë, të ishte bërë publik”, tha ajo.

Shehaj në anën tjetër tha se kishte bërë rreth 100 telefonata dhe 98% e tyre kishin konfirmuar firmën, vetëm 2% jo, që ishin Freskida Rapo dhe një tjetër delegat i cili po ashtu përmes një sms-je dërguar emisionit “Open” konfirmoi se nuk kishte firmosur.

Pas reagimit të delegates, deputeti Shehaj tha: “Ajo ka ndërruar mendje ndoshta dhe thotë kështu. Unë bëra atë që mund të bënte çdokush tjetër. E dini ju që unë vetë nuk kam firmosur? Nuk kam firmosur por shkova dhe bëra verifikimet që mund t’i kishte bërë dhe dikush tjetër. Nuk ka ndonjë gjë të madhe që të shkosh dhe të marrësh 100 persona në telefon. Unë i mora dhe 98% e tyre u konfirmuan. Numrin e zonjës në fjalë nuk e kisha për shembull”.

Ndërsa delegatja sqaroi bisedën që ishte bërë për marrjen e firmës:

“Më ka marrë dikush dhe i kam thënë që nuk firmos, jam në një periudhë pauze, reflektimi. Dje në orën 4 e gjysmë me mori z.Shehaj në telefon nëse kisha firmosur. Unë nuk kam ditur asgjë, unë kam qenë kryetare seksioni”.

Për rastin në fjalë ka reaguar zëdhënësja e “Foltores”, Floriana Garo.

“Gjejmë rastin për të falenderuar deputetin Agron Shehaj për verifikimin e kryer nga ai për firmosjen e formularëve për thirrjen e Kuvendit Kombëtar nga delegatët e Degëve 5 dhe 7 në Tiranë.

Në përfundim të procesit te verifikimit të bërë publik nga z.Shehaj rezultoi se në të dy degët për thirrjen e kuvendit kanë firmosur mbi 50% e delegatëve të tyre të cilët i falenderojmë për mbështetjen dhe kontributin. Vetëm 2 nga 100 delegatët e verifikuar nuk kane konfirmuar firmosjen e formularit. Garantojmë se formularët me emrat e tyre janë tërhequr nga grupi i 4700 formularëve të depozituar e ndërkohë, po bëjmë një proces  ri-verifikimi të hapave për administrimin e tyre. Verifikimi i bërë nga z.Shehaj sikundër publikimi i listës emërore të delegatëve që kanë firmosur nga Dega Nr 6 në Tiranë vërteton katërcipërisht jo vetem vullnetin e shprehur të 4700 delegatëve për mbledhjen e Kuvendit por dhe gadishmërinë e Foltores për t’i dhënë mundësinë cilitdo që dëshiron të bëjë transparencë të plotë për formularët e depozituar në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD”, shkruan Garo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë