Muzike

Kali Uchis jetonte në një parking. Tani është një yll i ri i muzikës pop

Julian Kimble / Whashington Post - Kali Uchis është tejet e veçantë. Ajo pëlqen dizajnin e hoteleve të linjës Adams Morgan, por do të donte që televizori në dhomën e saj të dilte nga montimi në mur. Ajo e shijon Los Anxhelosin, por mungesa e stinës e bën të ndihet sikur është mbërthyer në një grackë kohe, si në filmin “Groundhog Day”. Ajo është përzgjedhëse me ata që punon, thotë, për shkak se është kundër njerëzve që i thonë sesi duhet të duket. Këngëtarja kolumbiano-amerikane, e cila mbikëqyr pjesën më të madhe të punës së saj krijuese, ka një pamje të qartë jo vetëm se çfarë dëshiron të bëjë, por edhe sesi mendon ta bëjë. Dhe 24-vjeçarja është e vetëdijshme sesi bota i percepton gratë e vendosura si ajo. “Me gjasë ka shumë njerëz që mendojnë se jam një kuçkë, por mendoj se është e rëndësishme, si artiste në përgjithësi, nëse ke një vizion për veten për të mos i lënë të tjerët të të ushtrojnë presion apo të të bëjnë të ndihesh sikur po tregohesh tejet agresive”, thotë Uchis.

“Kjo më ndihmoi të ndërtoja jetën që kam sot: të isha në gjendje të largohesha nga gjithçka përreth meje dhe të isha në gjendje ta shihja se bota ishte shumë e madhe se kaq,” 

Ka qenë ajo këmbëngulje që e bëri Karlu Loaiza-n, adoleshenten që jetonte në makinën e saj Subaru Forester në Aleksandri, të bënte muzikë në Los Anxhelos dhe të shiste koncerte në vendin e saj të lindjes. Në dy vitet e shkuar, ajo është kandiduar për Grammy-in Latin dhe Amerikan, ka qenë në tur koncertor me Lana Del Rey dhe ka performuar në festivalin Coachella. Muzika e saj është shfaqur serialin “Insecure” të HBO-s dhe kënga e saj “In my dreams” ka qenë kolona zanore për reklamën e Volkswagen-it, këtë vit. Tani, turi i saj i rëndësishëm po shkon drejt fundit, pasi shumë prej aspiratave të saj – nga puna me artistë si Snoop Dogg, Tyler, the Creator, Bootsy Collins, Juanes dhe Damon Albarn , tek pjesëmarrja në Ceremoninë e çmimeve Grammy dhe vizita në Kullën Eiffel- janë përmbushur.

Po tani çfarë vjen? Në një ditë të ngrohtë tetori, Uchis po çlodhet në dhomën e saj të hotelit, pas performancës së dytë radhazi. Koncerti i natës së parë u shit i gjithi, diçka për të cilën ajo është kuptueshëm e lumtur sepse ishte takimi me bashkëqytetarët e saj. (I dyti u shtua për shkak të kërkesave.) Uchis, e cila jeton në Hollivudin e veriut dhe  ka kaluar një pjesë të mirë të vitit të kaluar në udhëtim, po gëzon mundësinë e të shpenzuarit pak më shumë kohë me familjen. Shpreson ta bëjë më shpesh (“U njoha me nipin dje; është gati gjashtë javësh”, thotë ajo), por është e vështirë t’i shohë të gjithë njëherësh, duke pasur parasysh kalendarin e saj dhe faktin se prindërit, të cilët kanë emigruar nga Pereira, Kolumbi, përpara se të lindte ajo, janë rikthyer në atdhe. “Nuk kam kaluar shumë kohë me ta, sepse kur isha adoleshente, isha shumë rebele”, thotë.

Kur ishte 17 vjeç, më 2011-ën, ajo e gjeti veten të strehuar  në makinën e saj SUV, ndërsa banoi kryesisht  në parkingun e një supermarketi njëzetekatër orësh në Aleksandri. Në një akt dashurie të ashpër, prindërit e saj – të lidhur nga refuzimi i saj për të zbatuar rregullat – e përzunë nga shtëpia pasi kishte thyer vazhdimisht orarin e kthimit në shtëpi. Uchis ndiqte shkollën e mesme T.C. Williams, por kishte pak interes për gjërat e tjera përtej artit. Shkolla e Artit, megjithatë, nuk ishte kurrë si opsion sepse ajo nuk besonte se diçka e tillë mund të mësohej. “Nuk mund të mësosh të kesh një sy stilisti apo të jesh njeri krijues’ mendoj se arti është shumë subjektiv”, thotë. “Kështu që gjithnjë kam menduar se shkolla e artit ishte mendjemadhe dhe një harxhim parash”.

Me gjasë ka shumë njerëz që mendojnë se jam një kuçkë, por mendoj se është e rëndësishme, si artiste në përgjithësi, nëse ke një vizion për veten për të mos i lënë të tjerët të të ushtrojnë presion apo të të bëjnë të ndihesh sikur po tregohesh tejet agresive”,

Kureshtja e ndihmoi Uchis-in, më të renë e pesë fëmijëve, t’i arratisej realitetit të një shtëpie të plotë, që ishte shpesh ndalesa e parë për shumë anëtarë të familjeve të mëdha,  pasi kishin ikur nga Kolumbia. Luhej gjithnjë muzikë, gatuhej ushqim, njerëzit silleshin nëpër shtëpi, ndërkohë Uchis ishte më e lumtur në dhomën e saj, duke shkruar ose vizatuar. Por Uchis, e cila luan në saksofon dhe piano dhe ka qenë anëtare e një grup xhazi përpara se të linte shkollën e mesme, kurrë nuk e kishte menduar të këndonte. Ajo ishte më e interesuar në film dhe fotografi, kështu nisi të ndërtojë një portofol, të filmonte video muzikore për artistët vendas, të krijonte  kopertina albumesh dhe të stilonte veshje për t’i shitur më pas online, të gjitha ndërkohë që shkruante muzikë, të cilën e mbante kryesisht për veten.

Nisi të ndihej më rehat me të kënduarit pasi zhvilloi zërin, por aspiratat krijuese u ballafaquan me qortime dhe tallje nga kolegët më të rritur. Familja e saj – prindërit në veçanti – ishin të hutuar. Ajo thotë se ata janë modestë dhe shumë punëtorë dhe nuk mund të kuptonin se pse ajo kërkonte një shteg kaq të pasigurt karriere. Pasi i rrëfeu qëllimet e saj një shoku të klasës, ai i tha: “Ky është numri im i telefonit; më njofto kur të jesh e pastrehë,” kujton këngëtarja duke qeshur.Ajo e mbajti veten financiarisht duke punuar si arkëtare në “Whole Foods”, pas gjimnazit. Por kur Snoop dhe Taylor, e kontaktuan përmes Twitter-it pasi kishin dëgjuar një mix-tape të saj të vitit 2012, “Drunken Babble”, ajo e dinte se muzika kishte nevojë për vëmendjen e saj të plotë. Kurseu 11 mijë dollarë, e la punën, u shpërngul në Los Anxhelos dhe iu zotua vetes: “Kur të mbetem pa para, do të gjej një mënyrë që të fitoj më shumë, por nuk do të punoj më.”

https://www.youtube.com/watch?v=7k5vfLT9roc

"Isolation,” albumi i saj debutues,  i cili u publikua në muajin prill, duket sikur rrëfen historinë e rrugëtimit të saj, me një fillim, mes dhe fund të qartë. “Tani po bëj gati të gjitha plaçkat dhe po e lë pas/ Nuk ka gjurmë aty ky po shkoj, nuk do të ketë më unë që ata ta gjejnë”, këndon ajo në një introduktë të stilit bossanova “Body Language.”Kënga “Tomorrow” ka aspirata; “Coming Home” nis e dyshimtë, po fiton sigurinë nga gjysma e dytë, “After the Storm”, me tingujt zvarritës është inkurajuese. Albumi mbyllet me këngën që të fut në mendime, “Killer”, shkruar ndërsa Uchis jetonte në makinën e saj, ku ajo krahason dashurinë e shkuar keq me vrasjen.

“Ishte shumë e veçantë të punoje me dike si Kali”, ka thënë rreperi BIA, që shfaqet në “Isolation” dhe në EP-në e Uchis. “Nice Girls Finish Last: Cuidado,” (Vajzat e mira përfundojnë të fundit: Kujdes). “Është nga të paktat që e di mirë se kush është.” Albumi e mbërthen Uchis-in në faza të ndryshme të jetës, kështu ajo përqafon vetëzbulimin retroaktiv. “Ndihem keq për këdo që mbetet i njëjti”, thotë me ton të qetë. Pjesa më e madhe e evolucionit të Uchis-it ka ardhur nga përvojat e reja dhe rehatia me vetminë. Ajo është në gjendje të rrijë vetëm pa u ndier e vetmuar, një art që e ka mjeshtëruar ndërsa ndihej si e huaj në shkollë dhe në shtëpi, gjatë viteve të rritjes.

https://www.youtube.com/watch?v=MYESVkUxWxM

“Kjo më ndihmoi të ndërtoja jetën që kam sot: të isha në gjendje të largohesha nga gjithçka përreth meje dhe të isha në gjendje ta shihja se bota ishte shumë e madhe se kaq,” thotë. Ajo është hedhur në çështje sociale, por jo pa debat. Kritikët e kanë akuzuar se e portretizon veten si një latine zeshkane, po fotot për “Por Vida” e tregonin atë me lëkurë më të çelët dhe flokë bionde. Më pas u akuzua se po përdorte pozitën dhe ndikimin e saj për t’u bërë presion kritikëve që të fshinin postimet mospëlqyese ndaj pamjes së saj, në Twitter. Ende, ajo vazhdon të flasë kundër diskriminimit të ngjyrës në komunitetin latin. “Kam qenë gjithnjë e ndjeshme kundër kolorizmit dhe besoj fort se ka një çekuilibër të pushtetit në planetin Tokë, jo vetëm në Kolumbi, që nënkupton se njerëzit me ngjyrë trajtohen më keq dhe konsiderohen frikësues dhe “të këqij” dhe nuk jam dakord me këtë”, ka thënë ajo.

Gjatë një interviste muajin e shkuar, ajo tha se askush nuk duhet të përdorë fjalën “zezak” nëse nuk janë të zinj, pikë. “Nuk mendoj se është gjëja më me mend për t’u bërë, për të folur rreth disa gjërave që po ndodhin dhe i bëjnë njerëzit të vetëdijshëm rreth privilegjeve, qoftë rreth seksizmit, kolorizmit dhe klasizimit”, thotë ajo.Uchis e di se njerëzit i qasen muzikës së saj si një arratisje, por gjithaq e di se nuk ka arratisja nga disa të vërteta të parehatshme: “Shumë njerëz nuk duan të besojnë disa gjëra sepse ato çështje nuk i prekin drejtpërdrejt ata apo njerëzit në jetët e tyre,” thotë ajo.

Pangjashmëria e asaj çka arritur ajo dhe privilegji që e shoqëron nuk ka humbur. Ajo thitë se mori dy kushërinj adoleshentë që jetojnë në Kolumbi jashtë qytetit ku kanë lindur, për të parën herë, para pak kohësh. Dhe Uchis thotë se së fundi ka nisur edhe sipërmarrjen jofitimprurëse – nuk ka të punësuar, është vetëm ajo dhe i ati, me të cilin u pajtua, pas pak kohe që kaloi si e pastrehë. Ajo nisi të shesë veshje përmes Depop, një aplikacion psonisjeje dhe dhuroi fitimet. Ajo kërkoi shërbimin e Twitter-it, për të dëgjuar të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë. Ajo çoi furnizim me medikamente për njerëzit në Pereira dhe Medellin, ndërsa ndihmoi shumë të tjerë të gjenin strehim të sigurt.

Ndërsa ecën përpara, Uchis do të donte të ndihmonte komunitetet krijuese, gjithashtu. “Njoh shumë shkolla që po i mbyllin programet e arteve,” thotë ajo. “Mbase do të angazhohem në diçka që i ndihmon fëmijët të gjejnë rrugë të tjera artistike.” Ka me siguri fëmijë të tjerë me aspirata dhe cilësi të ngjashme – energji artistike, natyrë e shpenguar, sy për detajet- që do të mund të përfitonin nga i njëjti inkurajim që Uchis kërkoi gjatë rinisë së saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë