Opinion

“Kalaja” e fundit e Voltanës…

Lulzim Basha ka ditë që nuk del më me zë dhe figurë në media. Edhe pse vijon një tur në të gjithë vendin, me disa takime në ditë, zyra e shtypit në Partinë Demokratike shpërndan vetëm njoftime dhe fotografi me drejtues të strukturave dhe militantë. Takimet i ka me pak njerëz, nëpër kafene apo mjedise të mbyllura.

Disa herë në ditë poston edhe në faqen e tij në Facebook video dhe mesazhe kundër “hajdutit psikik” siç po e quan së fundmi Edi Ramën. Por në këto ditë përvëluese të gushtit, me një aktivitet të ngjeshur në rrjetet sociale, demokratët në qendër edhe pse u përbetuan se nuk do të lëshojnë bashkitë që drejtonin, po i dorëzojnë një nga një.

Rezistenca e parë e Devollit u duke se do të pasohej në të gjitha bashkitë që ata mbanin prej vitesh. Madje u mendua se në Kamzë mund edhe të ishte një rezistencë edhe më e madhe. Kjo pasi përbetimet e Xhelal Mziut ishin publike se nuk e lëshonte zyrën. Por një ditë më parë demokratët e dorëzuan edhe këtë bastion.

Rakip Suli hyn si kryetar i ri i Bashkisë së Kamzës në zyrën e mbajtur nga Xhelal Mziu për 12 vite me radhë. Gazeta Si, 8 gusht 2019

Xhelal Mziu ishte kujdesur që të boshatiste zyrën dhe të linte nëpër rafte vetëm fotografinë e përmbysur të presidentit Meta. Po ashtu edhe karrigen e tij, të cilën e ndërroi Rakip Suli sapo hyri në zyrë. Mziu e dinte që dera do të shqyhej siç edhe ndodhi në Kavajë, apo edhe Devoll. Ndaj betejën e mbylli në orët e pasdites me një reagim në rrjetet sociale për pushtim të bashkisë nga socialistët.

Por tashmë ka edhe një “Kala” të mbetur. Është ajo e Shkodrës. Voltana Ademi thotë se nuk e njeh procesin e fundit zgjedhor dhe nuk ka në plan që të ikë. Ishte më luftarakja para 30 qershorit. Kyçi shkolla dhe institucione që të mos lejonte mbajtjen e zgjedhjeve. Protestoi në vijën e parë kur Rama i shkoi për miting në Shkodër dhe u përball me gazin lotsjellës. Madje në këto ditë që gjithë kolegët e saj demokratë kanë ikur nga drejtimi i bashkive dhe mund të jenë edhe buzë detit, vijon të inaugurojë nisjen e punimeve në disa rrugë të qytetit.

Por duket se atje do të vonojë edhe disa ditë marrja e bashkisë. Kjo pasi ndaj fituesit socialist të zgjedhjeve, Valdrin Pjetri, Partia Demokratike ka bërë akuza publike. Opozita thotë se ai ka fshehur një ndalim në Itali kur ishte student dhe këtë nuk e ka pasqyruar në formularin e dekriminalizimit.

Prokuroria e Përgjithshme nën presionin publik të opozitës tha se ka nisur një verifikim. Ndaj deri në një përgjigje të organit qendror të akuzës, Shkodra do të mbetet bastion i fundit për t’u marrë nga socialistët. Kur t’i vijë dita edhe këshillit bashkiak atje, do të konstituohet në mjediset e prefekturës, apo ndonjë institucion tjetër dhe pas përfundimit të orarit zyrtar të zonjës Ademi, dera e bashkisë së Shkodrës do të shqyhet dhe Pjetri do të nisë punën.

61 bashkitë janë tashmë mavi, edhe pse demokratët thanë se do të bënin rezistencë dhe nuk do të lejonin asnjë socialist që të marrë drejtimin e pushtetin vendor. Po ashtu u përbetuan se nuk do të mbaheshin zgjedhje në 30 qershor, por tashmë të zgjedhurit nisën punën. Gushti i nxehtë vërtet ka edhe 3 javë të tjera përpara, por shtatori do të vijë shpejt, ndaj ccdo të bëjë më tej opozita dhe në mënyrë të veçantë Partia Demokratike? Vjeshta e gjen pa asnjë pushtet; jashtë parlamentit dhe pa asnjë drejtues nëpër bashki. 13 tetor nuk do të ketë, kjo pasi dekreti i Presidentit jo vetëm që nuk është botuar në fletore zyrtare, por KQZ refuzoi kërkesën e LSI, PR dhe PA për t’u regjistruar, ndërsa PD nuk e hodhi këtë hap.

Kryetari i PD, Lulzim Basha pret në një takim në selinë e demokratëve disa prej krerëve të partive aleate në koalicionin opozitar. Gazeta Si, 8 gusht 2019

Aleatët e Bashës po kërkojnë që kreu i PD-së të ulet në tavolinë me Ramën dhe të nisin dialogun për zgjidhjen e krizës së stërzgjatur. Presidenti Meta nuk ka asnjë rol në këtë situatë dhe më shumë se përfaqësues i unitetit, ai duket se është bërë drejtues i opozitës. Në fillim të sesionit të ri parlamentar mazhoranca pritet që të votojë shkarkimin e tij pas procedurës së nisur në korrik.

Në shtator pritet që të vijnë dy delegacione për të negociuar krizën, një nga Brukseli dhe tjetri nga Berlini. A do të ulen palët dhe a do të heqë Basha kushtin e panegociueshëm se nuk bisedon me Ramën kryeministër?

Deri në shtator edhe Shkodra do të jetë “dorëzuar”. 30 qershori do të jetë harruar. Po ashtu edhe marrja e detyrës nga 61 socialistët ‘fitues’ të 30 qershorit. Rama, Basha dhe Meta do të jenë kthyer edhe nga pushimet dhe do të jenë gati për betejën e radhës. Secili do të përpiqet të fitojë edhe një “kala”, por edhe që të mos e humbë një tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë