Art dhe Kulture

Kadare shpallet fitues i “Nobelit Amerikan” për 2020

Si pasardhës letrar i George Orwell dhe Franz Kafka, vepra e Ismail Kadaresë është sa imagjinare, aq edhe filozofike. Në kërkimin e tij të ngulmët për të vërtetën dhe drejtësinë, ai angazhon historinë dhe politikën në një mënyrë radikale dhe dinamike. Është ky motivacioni i jurisë së çmimin ndërkombëtar të letërsisë “Neustadt”, akorduar shkrimtarit shqiptar për vitin 2020. Ismail Kadare është i 26-ti laureat i çmimit të njohur ndërkombëtar “Neustadt” për Letërsinë, që njeh meritat e jashtëzakonshme letrare, në letërsinë botërore.

“U bëra familjar me letërsinë përpara se të njihja lirinë e kështu, ishte letërsia që më priu drejt lirisë, jo e kundërta. Besimi në letërsi dhe procesin krijues sjell përsosmëri”, do të shkruante dikur shkrimtari i madh shqiptar , me famë ndërkombëtare i cili numëron 1300 botime në 45 gjuhë të botës. Kadare u përzgjodh fitues mes një liste finalistësh të përbërë nga emra shkrimtarësh si; Emmanuel Emmanuel Carrère, Jorie Graham, Jessica Hagedorn, Eduardo Halfon, Sahar Khalifeh, Abdellatif Laâbi, Lee Maracle dhe Ho Nguyen. Kadare u kandidua nga shkrimtarja dhe poetja bullgare Kapka Kassabova, ndërsa teksti përfaqësues ishte romani “Prilli i thyer”.

Çmimi “Neustadt”, është i pari çmim letrar ndërkombëtar, i lindur në ShBA dhe një nga të paktët për të cilin poetët, romancierët dhe dramaturgët janë njësoj të vlerësuar dhe kushdo autor i gjallë që shkruan, kudo në botë është kandidat për Çmimin “Neustadt”. Juria përbëhet nga autorë të njohur ndërkombëtarë, ndërsa fituesit i akordohet shuma prej 50 mijë dollarësh dhe imitimi i një pende shqiponje e larë në argjend, si edhe një certifikatë. Çmimi financohet nga Walter dhe Doris Neustadt, për t’i siguruar çmimit vijimësinë.
Shumë prej fituesve të Nobelit të Letërsisë kanë qenë kandidatë ose fitues të çmimit Neustadt, ndërsa New York Times e ka pagëzuar si “Nobeli i Oklahomas”, por gjithaq njihet si “Nobeli Amerikan”. Ashtu si edhe Nobeli, çmimi akordohet për të gjithë opusin letrar, jo për një vepër të caktuar. Në 48 vite, 32 laureatë, kandidatë apo anëtarë jurie të Neustadt kanë fituar Nobelin.


“Çmimi Neustadt Prize, në mbrojtje të universialitetin dhe larmisë së letërsisë, mbron vetë jetën”, thoshte poeti Octavio Paz në fjalën e tij gjatë ceremonisë së marrjes së çmmit në vjeshtën e vitit 1982. Mes fituesve të çmimit bienal, që prej vitit 1970, renditen emra të mëdhenj të letërsisë botërore si Giuseppe Ungaretti, Gabriel García Márquez, Czesław Miłosz, Octavio Paz, Max Frisch apo Assia Djebar e shumë të tjerë.

"Si pasardhës letrar i George Orwell dhe Franz Kafka, vepra e Ismail Kadaresë është sa imagjinare, aq edhe filozofike" - Neustadt Prize


“Është një çmim në Oklahomën mitike të ëndrrave të Kafkës dhe vendi i shkëmbit të veçantë ngjyrë trëndafili dhe i është akorduar një shkrimtari nganjë vend ilargët dhe i mistershëm në Amerikën Latine nga një shkrimtar i madh nga e largëta Islandë. Këto rrethana mjaftojnë për ta bërë çmimin “Neustadt”, një nga më të mëdhenjtë ndërkombëtar për shkrimtarë që e meritojnë shumë, por që ende nuk janë bërë të njohur”, thoshte Gabriel García Márquez, ndërsa merrte çmimin, ndërsa më 1982 do të nderohej me Nobelin e Letërsisë.

Nobeli i Letërsisë i shkoi këtë vit austriakut Peter Handke, simpatia e të cilit për Millosheviçin dhe mohimi i gjenocidit serb solli shumë debate , edhe shumë më përtej komunitetit letrar. Kadare është kandidat prej vitesh e ndoshta çmimi “Neustadt” mund të jetë ogur i mirë për shkrimtarin shqiptar, i cili gjatë jetës është vlerësuar me çmime prestigjioze si Çmimi Ndërkombëtar Man Booker, Çmimin Botëror Cino Del Duca, Çmimin e Arteve Princi i Asturias dhe çmimin “Jerusalem” për Liri të Individit në Shoqëri më 2015-n.


Kadare iu prezantua fillimisht skenës letrare ndërkombëtare si poet në fillim të viteve ’60, pas botimit të poezive si student i gjuhës dhe letërsisë në Universitetin e Tiranës, në fund të viteve ’60 dhe ’70 ai e vendosi veten si një shkrimtar i talentuar i letërsisë artistike dhe shkroi shumë romane e tregime, ndërsa edhe u angazhua në politikë si deputet i Kuvendit në Legjislaturën e IX, nga viti 1978 e deri më 1982-shin.
Shpesh konsiderohet si pasardhës letrar i George Orwell dhe Franz Kafkës, vepra e Kadaresë është sa imagjinare aq edhe filozofike. Në kërkimin e tij të ngulmët për të vërtetën dhe drejtësinë, vepra angazhohet me historinë dhe politikën në një mënyrë radikale dhe dinamike. Narrativat trilluese dhe poetike eksplorojnë kontekste historike dhe mitologjike të përrallave, miteve dhe folklorit, ndërsa në të njëjtën kohë kërkon të përfaqësojë historinë sociale dhe politike të ballkanasve të tij. Duke folur dhe shkruar kundër establishmentit tiranik politik të Shqipërisë, rrëfimtaria e Kadaresë buron nga hetimi i tij pasionant i padrejtësisë, gjendur në sferën politike.

Trashëgimia e tij mund të gjendet si në narrativën e shkruar, ashtu edhe në përfshirjen në çështjet politike të vendit. Vepra e tij mbetet sot trazuese dhe frymëzuese në qëmtimin e palodhshëm të korrupsionit dhe shtypjes së hierarkive politike. Megjithëse, disa vënë në diskutim pozicionin e tij në lidhje me diktaturën e Enver Hoxhës, duke pretenduar se përfshirja e tij politike mohon zërat kundërshtues brenda letërsisë së tij. E megjithatë, vepra e Kadaresë shfaq cilësi disidente, e përthyer përmes alegorisë, metaforës dhe lentës së identitetit shqiptar, që ai e shfaq me krenari.


Romani i tij debutues, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” u botua më 1963-shin, kur edhe nisi karrierën si shkrimtar i shquar i letërsisë. Në një narrativë therëse të një gjenerali të ushtrisë italianë që kthehet në Shqipëri disa vjet pas luftës së Dytë Botërore për të mbledhur eshtrat e ushtarëve të rënë italianë. Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur heton provën e humanizmit në sferat e luftës dhe shkatërrimit të dhunshëm. i shkruar më 1978-n, “Prilli i Thyer”, tregoi se ishte një tjetër tekst i rëndësishëm për Kadarenë, duke u vlerësuar gjerësisht nga kritika, ndërsa popullariteti i tij rritej. Një tekst vërtet modern që studion determinizmin dhe marrëdhëniet ndërkëmbyes mes së tashmes dhe së shkuarës, Prilli i Thyer është historia e një njeriu të ri që kryen një ekzekutim, vetëm për ta vulosur fatin përmes veprimeve të tij.
Për shumë të tjerë, vepra më e vlerësuar e Kadaresë është “Koncerti”. Botuar më 1988-n, është një kryevepër që artikulon zgjimin shkatërrues të politikave qeverisëse mes një grupi miqsh ndërsa kanë vështirësi të ruajnë privatësinë mes trazirave politike. Duke eksploruar marrëdhëniet drejt shpërbërjes mes qeverisë komuniste të Kinës dhe regjimit totalitar shqiptar të 1970-s, Koncerti është një portretizimin brilant i narrativave tensionuese, që ekzistonin në shkrirjen e politikes me socialen.

Aksidenti, i botuar më 2010-n, konsiderohet si një nga sagat e ri-imagjinuara të krimit, është rrëfenja drithëruese e një burri shqiptar dhe e një gruaje të përfshirë në aksident në trafik ndërsa po qëndrojnë në Vjenë. Një mister vërtet dehës, Aksidenti sfidon me pyetje dhe i trondit lexuesit ndërsa ata janë hipur në aventurën komplotuese të Kadaresë. Vepra e tij më e fundit, botuar nëntorin e kaluar gjatë Panairit të Librit është romani “Kur sunduesit grinden”, ndërsa autori shpalos marrëdhënien e vështirë mes shkrimtarëve dhe diktatorëve, duke rimarrë një telefonatë mes shkrimtarit rus Boris Pasternak dhe Stalinit.
Vepra e Kadaresë mbetet e kremtuar në Shqipëri dhe statusi i tij prej ikone kulture e popullit shqiptar është i pohuar. Vepra e tij është testament i importit politik dhe social të letërsisë në kohë përmbysjesh, ndërsa kondenson njëherazi trazirat e sferës sociale dhe i shtyn kufijtë e shtypjes politike.

.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë