Ne rrjet

Ka humbur nuhatja! Historianët në kërkim të aromave të shekujve më parë

Një ekip historianësh e shkencëtarësh nga gjashtë vende evropiane janë duke u përpjekur që të identifikojnë dhe kategorizojnë aromat më të zakonshme të përditshmërisë përgjatë Evropës që nga shekulli XVI deri në fillim të shekullit XX, dhe të studiojnë se çfarë dëshmojnë ndryshimet e aromave për shoqërinë

Për qindra vjet, gjatë mortajave dhe pandemive të tjera, njerëzit kanë besuar që sëmundjet janë shpërndarë jo nëpërmjet spërklave apo pickimeve të insekteve, por nëpërmjet marrjes së ajrit të pakëndshëm. Për të pastruar ajrin përreth tyre, ata do të digjnin rozmarinë dhe zift.

Këto aroma, që përhapeshin nëpër rrugët gjarpërore të Londrës, ishin të zakonshme gjatë Murtajës së Madhe të shekullit XVII saqë ato u bënë sinonime të mortajës, tregojnë historianët.

Tani, derisa bota përballet me një tjetër pandemi, një ekip historianësh e shkencëtarësh nga gjashtë vende evropiane janë duke u përpjekur që të identifikojnë dhe kategorizojnë aromat më të zakonshme të përditshmërisë përgjatë Evropës që nga shekulli XVI deri në fillim të shekullit XX, dhe të studiojnë se çfarë dëshmojnë ndryshimet e aromave për shoqërinë.

Projekti 3.3 milionë dollarësh, “Odeuropa”, që është shpallur këtë javë, do të përdorë inteligjencën artificiale për të analizuar më shumë se 250 mijë imazhe, dhe qindra tekste, përfshirë edhe libra mjekësorë, romane dhe revista në shtatë gjuhë. Hulumtuesit do të përdorin algoritmet dhe inteligjencën artificiale që nëpërmjet kompjuterëve t’i analizojnë referencat në tekste mbi aromat.

Posa të vendosen në katalog, hulumtuesit, duke punuar me kimistë dhe parfumerë, do të rikrijojnë rreth 120 aroma me shpresë që kuratorët e muzeut do të përfshijnë disa prej tyre në ekspozita për t’i bërë vizitat më gjithëpërfshirëse dhe të paharrueshme për vizitorët e muzeve.

Projekti 30-vjeçar i cili është themeluar nga Bashkimi Evropian, po ashtu do të përfshijë një udhëzues sesi muzetë mund t’i përdorin aromat në ekspozita. Historianët kanë thënë se përdorimi i aromave në ekspozita mund t’i bëjë muzetë më të qasshëm për njerëzit që janë të verbër ose që kanë shikim të limituar.

“Shpesh muzetë janë të pasigurt sesi të përdorin aromat në hapësirat e tyre”, ka thënë William Tullett, asistent i historisë moderne evropiane në universitetin “Anglia Ruskin” në Cambridge të Anglisë.

Planet për projektin që lansohet në janar kanë filluar para pandemisë, por hulumtuesit kanë thënë se koronavirusi, që ka ndryshuar aromën në qytet dhe se mund t’i bëjë njerëzit e infektuar që të humbin shqisën e nuhatjes, ka ilustruar sesi aromat dhe shoqëritë reflektojnë te njëra-tjetra.

Gjatë pandemive të kaluara, teoria Miasma, që tymi i keq është shkaktar i bartjes së sëmundjeve, ishte në qendër sesi njerëzit e shihnin shpërndarjen e infektimit.

Dr. Inger Leemans, profesoreshë e historisë kulturore në universitetin “Vrije” në Amsterdam, ka thënë se tani, edhe një herë, njerëzit në veçanti janë vetëdijesuar për aromat rreth tyre dhe ndonjëherë janë shqetësuar nëse arrijnë që të nuhasin dikë afër tyre, pasi që ai person mund të spërkasë rreth tyre dhe prandaj është shumë afër. “Prapë, edhe një herë, aromat kthehen në një indikator të mundshëm të sëmundjeve dhe infeksioneve”.

Edhe karantinimi ka ndryshuar aromën e qytetit, me më pak vetura në rrugë, dhe erërat që dalin nga restorantet. Hulumtuesit kanë thënë se ndryshimet theksojnë sesi studimi i aromave në komunitet, kohë pas kohe japin një pasqyrë të sjelljeve historike ndaj sëmundjeve dhe aspekteve të tjera kulturore të përditshmërisë. Aromat janë neglizhuar me të madhe në qarqet akademike, por kanë marrë më shumë vëmendje në këto dekadat e fundit.

“Me aroma, ju mund të hapni pyetje në lidhje me kulturën kombëtare, atë botërore, ndryshimet në mes të komuniteteve”, ka thënë Dr. Leemans, duke shtuar se prezantimi i aromave në ekspozitat muzeore i shtynë njerëzit që të hapin diskutime në mënyra që ata zakonisht nuk i bëjnë kur është fjala për çështje të tjera lidhur me identitetin kombëtar. “Është një temë aq e gjerë dhe ka aspekte të shumta eksploruese dhe komunikative”.

Dr. Leemans ka thënë se hulumtuesit nuk janë të interesuar që të studiojnë vetëm aromat e mira të shekujve të kaluar, por edhe ato erërat e këqija, si bajga dhe kundërmimet e industrializimit dhe ujërat e zeza që u shkaktuan probleme qyteteve evropiane. Edhe këto mund të bëhen pjesë e muzeve për t’i ndihmuar njerëzit që të lidhen me të kaluarën, për aq gjatë sa nuk i frikësojnë vizitorët.

“Ajo që ne dëshirojmë të bëjmë është të mendojmë së bashku me artistë sesi mund të shpalosim historinë te hunda – si i bëni njerëzit që të kuptojnë se çfarë kemi bërë me industrializimin e Evropës”, ka thënë dr. Leemans. “Kjo është sfida”. /Burimi: The New York Times/ Përktheu: Koha.net


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë