Futboll

Juventusi flet shqip, modeli i gjigantit italian për fëmijët e Tiranës

Fatjon Rupi - Torino dhe Tirana janë dy emra të ngjashëm qytetesh, por kuptohet me diferencë të madhe mes tyre, në çdo aspekt. Përveç ngjashmërisë në shqiptim, tani e tutje këto dy qytete do të kenë një të përbashkët të madhe: Juventusin. Më saktë akademinën e tij. Klubi i madh i futbollit italian dhe atij botëror, me një numër të madh tifozësh edhe në vendin tonë, i ka thënë “Po” çeljes së “Juventus Academy Tirana”. Ka miratuar një projekt serioz, sepse me markën e tij nuk mund të bëhen eksperimente. Nuk është një “show” si ato që jemi mësuar të shohim deri tani, akademia në fjalë përfaqëson Juventusin e vërtetë, vetëm se flet shqip. Gjithçka survejohet direkt nga Torino dhe çdo hap në shkollën juventine në Tiranë është i kujdesshëm.

Një projekt i organizuar mirë dhe i kuruar në çdo detaj. Jo më kot i ka bindur drejtuesit e Juventusit t’i japin “ok”-in zyrtarizimit të tij. Gjithçka në zyrat e akademisë në fjalë, që ndodhet pranë Kopshtit Zoologjik, është nën shenjën e klubit të madh italian, me ngjyrat bardhezi të Juventusit, tek-tuk ndonjë ngjyrë të verdhë, që korrespondon me uniformën e dytë të këtij ekipi. Aktiviteti momentalisht ushtrohet në fusha të marra me qira. Çdo vendim, siç e konfirmon për Gazeta Si drejtori i “Juventus Academy Tirana”, Dritan Metaj, merret pas miratimit të drejtuesve të sektorit përkatës në Torino. Ata janë në korent për gjithçka që ndodh në Tiranë.

Ambientet e zyrave të "Juventus Academy Tirana"

Akademia në fjalë është një shkollë futbolli, që nis me moshën 5 vjeç dhe vazhdon me grupmoshat e tjera deri në 17 vjeç. Deri tani janë 4 skuadra: U-7, U-9, U-11 dhe U-13. Interesimi i prindërve dhe fëmijëve është real dhe pritet që të plotësohen të gjitha skuadrat. Çfarë sjell të re kjo akademi? Atë që është thelbësore, metodologjinë e punës me fëmijët dhe zhvillimin e tyre, sipas programit të akademisë në Torino. Një metodologji e zbatuar me përpikëri nga stafi i trajnerëve të akademisë. Parimet e punës me fëmijët nga 5 deri në 17 vjeç janë puna në grup, fryma e sakrificës dhe edukimi. Filozofia në trajnimin e lojtarëve të vegjël bazohet në pesë pika, të cilët janë: stili i lojës, aftësitë teknike, aftësitë taktike, aspekti mendor dhe faktori emocional social.

Kush paragjykon për nivelin e pagesës, duke marrë në konsideratë faktin se në mes është emri i Juventusit, gabohet. Pagesa për t’u regjistruar në këtë akademi është e përshtatshme për nivelin shqiptar të jetesës. “Drejtuesit e Juventusit kanë menduar që ta presin “kostumin” sipas vendit ku është krijuar akademia”, - pohon drejtori Metaj, i cili përpiqet të jetë shumë i kujdesshëm dhe disi i rezervuar në dhënien e informacionit për të shmangur çdo ndikim pozitiv apo negativ tek ata që do ta lexojnë. Rregullat janë të tilla dhe respektohen me fanatizëm. Është politikë e klubit të Juventusit, një prej markave më të mëdha të futbollit botëror. “Fëmijët paguajnë nga 40 deri në 75 euro për regjistrimin në akademinë tonë, që është si një français i Juventusit pak a shumë, - pohon drejtori Metaj. – Po, ka pasur një farë mosbesimi nga ana e prindërve në fillim. Ka pasur nga ata që vinin në zyrat tona dhe pyesnin: a është vërtet akademi e Juventusit kjo? Pasi kanë parë seriozitetin tonë, menjëherë kanë regjistruar fëmijët e tyre. Gjithë projekti ka një qëllim në vetvete, siç e thotë edhe vetë sllogani “të rrisim njerëz, pëpara se lojtarë”. Prandaj, them se janë të humbur ata që nuk janë pjesë e kësaj akademie”, - shton më tej ai.

Drejtori i akademisë,Dritan Metaj, dhe menaxheri i akademisë së Juventusit, Marko Degortes

Ka një mbikëqyrje absolute nga ana e përfaqësueve të klubit të madh italian për punën në akademinë e Tiranës. Madje, kur mëson kërkesat e tyre të larta duket si diçka ekstreme. “Për çdo seancë stërvitore, për çdo ndeshje, për gjithçka, ne duhet të dërgojmë një raport në Torino dhe ata më pas bëjnë vlerësimin e punës tonë. Nuk mund të vendosim ne vetë nga këtu, edhe për gjërat më të thjeshta”, - sqaron drejtori Metaj. Bëhet fjalë për një punë shumë profesionale dhe kjo është një arsye pse prindërit në Tiranë duhet t’ia besojnë fëmijët e tyre kësaj akademie. Në Tiranë ka qenë më parë një përfaqësi trajnerësh së akademisë së Juventusit në Torino, me në krye Marko Degortes. Në verë është organizuar një kampus disaditor në kompleksin e Kamzës, ndërsa verën e ardhshme pritet që “Juventus Academy Tirana” të marrë pjesë në kampionatin botëror që do të organizohet në Torino, ku do të jenë gjithë akademitë e klubit bardhezi kudo në botë. Ku i dihet fatit... Ndonjë talenti nga Tirana mund t’i buzëqeshë fati i madh.

Detajet bëjnë diferencën dhe seriozitetin e “Juventus Academy Tirana” e tregon një detaj shumë domethënës. Kjo akademi, si asnjë tjetër në vendin tonë, ka një marrëveshje me kompaninë e sigurimeve “SIGAL”, ku kjo e fundit mbulon shpenzimet për problemet e mundshme shëndetësore të fëmijëve të regjistruar deri në shumën e 2000 eurove. E konfirmon vetë drejtori i akademisë, që thotë se bën dallimin me akademitë e tjera.

Stafi i trajnerëve është përzgjedhur me kujdes, pa u bazuar aspak tek emri që kandidatët mund të kenë pasur në të kaluarën si ish-futbollistë, apo nga licenca e tyre. Sigurisht që kualifikimi ndikon. Kur ishin të pranishëm në Shqipëri, përfaqësuesit e akademisë së klubit torinez kanë kërkuar të rinj energjikë dhe mbi të gjitha të pasionuar për punën që duhet të bëjnë me fëmijët, në mënyrë që ata të përthithin sa më shpejt metodologjinë e trajnimit. Argid Sheme, Elis Metaj dhe Blendi Bahuli janë tre trajnerët aktualë që stërvitin fëmijët e “Juventus Academy Tirana”. Njëri prej tyre, Argid Sheme, i cili është ndër të parët që i është bashkuar projektit, për Gazeta Si është shprehur: “Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij projekti shumë serioz, që mban emrin e një klubi të madh si Juventusi. E di që duhet shumë punë, por e them me bindje të plotë se është një shkollë futbolli ndryshe për fëmijët shqiptarë. Punohet mbi baza të shëndosha, me një metodologji perfekte trajnimi, ku jo vetëm fëmijët përgatiten si duhet, por edhe ne trajnerët kemi mundësinë të rritemi profesionalisht hap pas hapi. Çdo seancë stërvitore ka një qëllim të caktuar. Për shembull, mund të jetë e fokusuar te mënyra si fëmijët duhet të udhëheqin topin, mënyra si duhet ta marrin topin, si duhet ta godasin atë, apo te pozicioni i tyre sipas zonave në fushë. Punojmë me një program të studiuar mirë nga specialistë të fushës dhe ne jo vetëm për çdo ndeshje, por për çdo seancë stërvitore duhet të bëjmë një raport të detajuar. Është një mënyrë pune shumë e veçantë”.

Mjaft e veçantë është një pikë e projektit të kësaj akademie, që ka gjetur edhe bashkëpunimin e Bashkisë së Tiranës: zhvillimin e seancave stërvitore të futbollit në orën e fiskulturës në shkolla të ndryshme 9-vjeçare të kryeqytetit. Një nismë që ka nisur të zbatohet në terren dhe deri tani janë bërë 6 orë futbolli në kolegjin “Turgut Ozal” nga stafi i trajnerëve të “Juventus Academy Tirana”. Një nismë që do të vazhdojë edhe në shkolla të tjera të kryeqytetit. “Juventus Academy Tirana” nuk është thjesht një akademi apo një shkollë futbolli. “Ne kemi projekte për bashkëpunim me institucione si jetimore, apo qendra sociale”, - saktëson drejtori Metaj, duke dashur të tregojë se projekti është shumë më i gjerë se thjesht disa fëmijë që stërviten me uniformat e Juventusit. Projekti nuk është sipërfaqësor dhe me kalimin e kohës kjo akademi pritet të ketë edhe infrastrukturën e vet. Është vetëm fillimi dhe akademia juventine sapo ka nisur rrugën e saj në Shqipëri, sapo ka nisur të flasë edhe gjuhën shqipe.

Gjatë një ore fiskulture në kolegjin "Turgut Ozal", e transformuar në një seancë stërvitore futbolli

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë