Mendim

Jo zoti Ambasador, Kosova nuk është Krimea (dhe as Serbia)

Nga Xhuliana Toci- Më 17 shkurt të 2008-ës pjesa më e madhe e botës (109 shtete) vendosën se Kosova duhet të shpallej zyrtarsisht një shtet i pavarur, pavarësisht notave të ashpra të protestës nga Serbia dhe Rusia. Që nga ajo ditë e në vazhdim, Presidenti Vladimir Putin ka akuzuar vazhdimisht Europën dhe Shtetet e Bashkuara për standarde të dyfishta, duke përmenduar të gjitha rajonet separatiste që kërkojnë pavarësinë dhe duke e konsideruar pavarësisë së Kosovës si "të paligjshme dhe imorale". Megjithatë, kur të gjithë menduan se Moska kishte zbutur tonet ndaj Prishtinës zyrtare, Ambasadori rus në Serbi ka njoftuar se vendi i tij do të përfshihet edhe më thellë në zgjidhjen e “problemit” të Kosovës. Në një opinioin të pashembullt, në gazetën serbe “Politika”, Aleksandër Chepurin shkruan ndër të tjera se “Krimeja është Rusi dhe se Kosova është Serbi!”

Shkrimi, i publikuar me rastin e Ditës së Rusisë, sinjalizon edhe njëhere se edhe pse kanë kaluar 10 vite, Rusia (ashtu si Serbia) nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e shtetit të Kosovës, ashtu siç Moska nuk arriti ta pranonte kurrë Krimenë si pjesë të Ukrainës. Madje sipas ambasadorit Chepurin, Beogradi përballet me "presion ultimatum nga armiqtë tradicionalë serbë" sa herë që bie fjala për Kosovën. Por ai thekson se Rusia ka qenë dhe do të jetë gjithnjë në anën e Serbisë.

Alexander Chepurin

"Pozicioni ynë mbetet i pandryshuar, ne do të mbështesim çdo vendim që Serbia dhe populli serb do ta konsiderojnë të pranueshme për veten e tyre”, shkuante ndër të tjera ambasadori rus.

Ai vuri në dukje se janë duke u bërë një sërë paralelesh midis Kosovës dhe Krimesë, por sipas tij të dyja vendet kanë histori krejtësisht të ndryshme, pasi Krimeja u nda nga Ukraina në përputhje me Deklaratën e OKB-së të vitit 1970."

"Çështja e Krimesë është e mbyllur në mënyrë përfundimtare, Krimeja është Rusi, dhe Kosova është Serbi. Nuk është thjesh një slogan, është një realitet ligjor që duhet respektuar", shkruan Chepurin.

Chepurin dhe presidenti serb

Me tone aspak të përshtatshme për një amabasador, Chepurin duket se i ka hedhur benzinë një zjarri që vazhdon të digjet në zemrat e shumë shqiptarëve dhe serbëve. Vetëm pak muaj më parë, Presidenti Putin bëri një tjetër paralelizëm të ngjashëm midis Kosovës dhe Katalonjës, duke akuzuar Bashkimin Europian për standarte të dyfishta pasi aprovoi pavarësinë e Prishtinës, por nuk njihte shkëputjen e rajonit spanjoll. Në fakt, krahasime të tilla duket se janë “asi nën mëngë” i Rusisë për të akuzuar Bruskelin se ndërhyn në sovranitetin dhe integritetin rajonal të kombeve europiane, një kartë që u përdor gjithashtu edhe si një arsyetim për aneksimin e Krimesë në vitin 2014.

Por Kosova nuk është Krimeja

 Duke folur për marrëdhëniet e mira midis Rusisë dhe Serbisë, Ambasadori rus tha se ato datojnë nga lindja e shtetit rus në shekullin e 10-të dhe shtoi se tani bazohen në marrëdhëniet e mira mes udhëheqësve të dy shteteve, në lidhjet ekonomike dhe unitetin shekullor kulturor dhe shpirtëror.

Në fakt, pavarësia e Kosovës ishte një humbje e madhe shpirtërore si për Serbinë, ashtu edhe për Rusinë, e cila u detyrua të pranonte një rezolutë paqeruajtëse, pas sulmeve ajore amerikane kundër Serbisë, pavarësisht lidhjeve të Moskës me Beogradin dhe interesave ruse në Ballkan. Ky hap pasqyroi dobësinë ushtarake, ekonomike dhe diplomatike të Rusisë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Pavarësisht zemërimit ndaj veprimeve ushtarake së NATO-s në vitin 1999, ka pasur pak udhëheqës rusë që mendonin se mund t’i kundërpërgjigjeshin ndërhyrjes së Perëndimit në Kosovë.

Megjjithatë, “hakmarrja” e Rusisë erdhi disa vite më vonë, kur Putin aneksoi Krimenë nga Rusia, duke ngritur paralele të ngjashme midis saj dhe Kovovës. Në fakt, po ta shikosh njërën anë të monedhës, Kosova nuk është shumë ndryshe nga Krimea, ishte një republikë autonome, me shumicën e qytetarëve që i përkisnin një pakice etnike. Shqiptarët që jetonin në Kosovë kishin frikë nga represioni serb, ashtu siç rusët që jetonin në Krime kishin frikë nga nacionalistët ukrainas.

Por ka një ndryshim të madh: Kosova u mbështet nga SHBA-ja dhe Perëndimi në betejën e saj për pavarësi, pasi ishte një rajon që kishte shpallur pavarësinë një dekadë më parë dhe kishte vuajtur nga abuzimet sistematike. Në vitin 1999, NATO përdori forcën ushtarake për të penguar dhunën dhe terrorin e pashembullt të ushtrisë serbe në një republikë autonome, ndërsa Rusia veproi në mënyrë të fshehtë dhe paqësore në Krime, duke marrë kontrollin e gadishullit në mënyrë efektive.

Por ndryshe nga rusët, shqiptarët e kosovës kanë prova të ligjshme dhe të dokumentuara të abuzimeve serbe para se të shpallnin pavarësinë. Mjafton t’i hedhim një sy rezolutës 1199 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (në favor të së cilës ka votuar edhe Rusinë), ku vendet anëtare ngrejnë shqetësime për "përdorimin pa dallim të dhunës nga forcat serbe dhe ushtrisë jugosllave në Kosovë, të cilat kanë rezultuar në viktima të shumta civile ".

Në Prishtinë, veprimet e NATO-s lanë një shtet të pavarur de facto, edhe pse Kosova u përfshi më vonë në negociata frustruese mes interesave serbe dhe ruse. Referendumi i Krimesë, nga ana tjetër, erdhi më pak se dy javë pasi Rusia mori kontrollin e rajonit. Duke u kthyer prapa në kohë, mund të shohim se dallimi i madh midis Kosovës dhe Krimesë është se SHBA-ja mori masa pas një sërë përpjekjesh të dështuara diplomatike. Rusia, nga ana tjetër, zgjodhi fillimisht të merrte kotrollin e Krimesë dhe më pas të negocionte.Ndryshimi më i madh ishte se Krimeja u aneksua për qëllime strategjike dhe kombëtare, ndërkohë që Kosova u shkëput si një shtet i pavarur për t’i dhënë fund përndjekjes, dhunës, përdhunimeve dhe dëbimeve.

Dhe duke patur këto fakte të dokumentuara, askush që fshihet nën petkun e diplomacisë nuk duhet t’i hedhë benzinë në zjarri që ka djegur vite më parë jo vetëm Kosovën dhe Serbinë, por edhe Rusinë dhe Perëndimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë