Politike

Jo vetëm konsulta, Meta do të takohet me popullin për “puçin kushtetues”

Presidenti Ilir Meta pati një agjendë të ngarkuar të mërkurën duke pasur takime me ish-presidentin Sali Berisha, kreun e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Në këto takime në fokus disktuimeve ka qenë diskutimet në lidhje me anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, reforma në sistemin e drejtësisë, zgjedhja e prokurorit të ri, por edhe vendimi që ka marrë presidenti për të kallëzuar penalisht, kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.

Turi me popullin dhe takimi me "Soros"

Takimi i pasdites ishte fokusuar me shoqatat e shoqërisë civile që mbulojnë kryesisht reformën në drejtësi apo dhe çështjet zgjedhore. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i Fondacionit "Soros", Andi Dorbushi. Pas takimi gati një orë me përfaqëesuesit e shoqatave të shoqërisë civile, ish-kryetari i KQZ-sëm Kristaq Kume ka zbuluar edhe lëvizjen e radhës të presidentit Meta. Ai tha se Presidenti pritet të nisë një tur me qytetarët shqiptarë, ndërsa nuk dha detaje se si kjo do të organizohet konkretisht. Sipas tij, qëndrimi kyç i presidentit konsiston në faktin se problemet tona mund t’i zgjidhë vetëm sovrani dhe jo ndërkombëtarët.

Presidenti ne takimin me shoqerine civile. Gazeta Si 20 nentor 2019


“Nëse nuk ndërhyjmë të gjithë do vuajmë kriza të herëpashershme. Presidenti na ftoi të gjithëve që të jemi pjesë e turit të tij, por ai do ti adresohet popullit për rrugët, për instrumentet që duhet përdorur për të shëndetësuar jetën demokratike në vendin tonë. Në optikën e presidentit, ne si rezultat i kësaj qeverisjeje nuk kemi arritur në pritshmëritë e dëshiruara, por kemi prodhuar probleme, që duhen të zgjidhen. Këmbënguli po ashtu, se të gjitha këto mund të zgjidhen nga ne dhe mos ti mbajmë sytë nga ndërkombëtarë, sepse së shumti ata mund të jenë faktorë pengues se sa zgjidhës për problemet tona. Ky ishte qëndrimi i ppresidenti, që do të thotë se në shqiptarët të marrim në dorë fatet tona dhe të gjithë së bashku të punojmë për zgjidhjet më të mira për ne dhe për fëmijët tanë”-tha Kume.

Takimi me Ibrahimin e KLP

Përpara takimit me shoqërinë civile, presidenti pati një takim me kreun e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi. Takimi u zhvillua në presidencë dhe u realizua pikërisht në ditën kur mbaroi afati i kandidatëve për garën për kryeprokuror, pasi nuk e ankimuan procesin. Sipas njoftimit zyrtar të presidencës, Meta ka shprehur pakënaqësinë për mënyrën se si është zhvilluar procesi i zgjedhjes së Arta Markut si kryeprokurore. Gjithashtu, presidenca bën të ditur se takimi është kërkuar nga vetë Ibrahimi. Ai e informoi Kreun e Shtetit për hapat e mëtejshëm dhe koordinimin ndërmjet të gjithë institucioneve të përfshira në procesin e konstituimit të Prokurorisë së Posaçme. Presidenti e siguroi Ibrahimin për mbështetjen e pa kursyer në përmbylljen me sukses të procesit të ngritjes së Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Meta me Ibrahimin ne takimin e sotem, Gazeta Si 20 nentor 2019


"Presidenti Meta i bëri me dije Kryetarit të KLP-së, se pavarësisht rezervave që ai ka patur në lidhje me zgjedhjen antikushtetuese të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm dhe vonesat në krijimin e këtyre institucioneve të reja, do të mbështesë maksimalisht këtë proces në mënyrë që këto organe kaq të rëndësishme të drejtësisë penale të jenë sa më shpejt funksionale dhe që procedura e konstituimit të tyre të kryhet brenda një kohe sa më shpejt të jetë e mundur. Në këtë drejtim Presidenti i Republikës do të përmbushë çdo detyrim që do t’i kërkohet sa më parë të jetë e mundur në përputhje me ligjin dhe frymën e Kushtetutës", thuhet në njoftimin e Presidencës. Nuk dihet nëse në këtë takim është biseduar për Dvoranin ose jo. Kreu i KED është paditur nga Meta për shkelje të ligjit dhe rrëmbim të komptencave, ndërsa kallëzimi është paraqitur nga kreu i shtetit në tre prokurori. Ndërsa ka cilësuar si puç kushetues mënurën se si KED dhe mazhoranca qeverisë vepruan për të marrë atë që ai e cilësoi si kompetencë të caktimit të një anëtari të Gjykatës Kushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë