Politike

PS mbledh Kuvendin, rezoluta: Dekreti i Metës nul, mos e zbatoni!

Parlamenti do të zhvillojë një seancë të jashtëzakonshme të premten, e kjo si një kundërpërgjigje ndaj aktit të presidentit që dekretoi Marsida Xhaferllarin si anëtare të re të Gjykatës Kushtetuese.

Pas bërjes publike të dekretit të Metës, kryeparlamentari Gramoz Ruçi mblodhi konferencën e kryetarëve për të thirrur seancën e jashtëzakonshme ku do të diskutohet në lidhje me aktin më të fundit të presidentit. Pas mbledhjes Rucci ka firmosur urdhrin për mbledhjen e seancës jashtë radhe, duke përcaktuar dhe rendin e ditës, ku një nga pikat është miratimi i projektrezolutës “Mbi nevojën e fillimit të funksionimit të gjykatës Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë”. Kjo është lëvizja e mazhorancës përballë lëvizjes së presidentit që njoftoi dekretimin e më pas kryerjes së ceremonisë së Xhaferllarit në Presidencë.

Urdhri i firmosur nga Ruçi për seancën e së premtes. Gazeta Si 14 nëntor 2019

Ashtu si edhe me dekretin për anulimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit, mazhoranca po vepron edhe për përplasjen e re me presidentin sa i takon caktimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Akti i presidenti konsiderohet në shkelje të Kushtetutës, tejkalim të kompetencave dhe si tillë pritet që Kuvendi të shprehë vullnetin se është i pavlefshëm.

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla shmangu komentet mbi aktin e Arta Vorpsit, duke u betuar përpara noteres.

Taulant Balla, kreu i grupit të PS-së. Gazeta Si 14 nëntor 2019

“Nuk dua të bëj një koment për këtë çështje këtu, pas pak minutash konferenca e kryetarëve do të ketë një diskutim për këtë çështje, unë mendoj që në këtë kontekst duhet një qëndrim nga Parlament për këtë çështje”, deklaroi Balla.

Deputetët e PS-së janë njoftuar për mbledhjen e seancës me anë të një mesazhi: “Vendimi absurd i djeshëm i Presidentit kërkon një qëndrim institucional të Kuvendit në mbrojtje të Kushtetutës”.

Mesazhi i mbërritur te deputetët është ky “Të dashur kolege e kolegë. Vendimi absurd i djeshëm i Presidentit kërkon një qëndrim institucional të Kuvendit në mbrojtje të Kushtetutës. Për këtë qëllim do të thërrasim nesër ORA 10.00 seancë plenare të Kuvendit. Merrni masat për prezencën e domosdoshme”.

Rezoluta e PS kundër Metës

Pas mbledhjes së konferencës së kryetarëve, PS ka hartuar një projektrezolutë që do të votohet në seancën parlamentar të së enjtes. “Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se Dekreti i Presidentit është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në mungesë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë”, thuhet në tekstin e siguruar nga Gazeta “Si”
Në tekst theksohet gjithashtu se në kushtet kur plotësohen disa vende vakante njëherësh, secili organ ka të drejtë të ushtrojë kompetencën e vet kushtetuese,pa u kufizuar nga zgjedhja e organit tjetër dhe as nga koha e ushtrimit të kësaj kompetence prej secilit organ, duke emëruar/zgjedhur gjyqtarin/gjyqtarët kushtetues në mënyrë të pavarur nga vendimmarrja e organit tjetër.

Drafti i Rezolutës që do të votohet në Parlament. Gazeta Si 14 nëntor 2019

Nga procedura tërësore e ndjekur, që nga shpallja e vendeve vakante për gjyqtarët kushtetues, nga Presidenti ashtu dhe nga Kuvendi, deri në shqyrtimin, vlerësimin e kandidaturave dhe njoftimet e vendimeve përkatëse të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për secilin vend vakant të krijuar, është e qartë kompetenca e emërimit/zgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues për vendin vakant respektiv, përkatësisht nga Presidenti dhe nga Kuvendi.

Në tekstin e siguruar nga Gazeta “Si” theksohet se duke vepruar në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit, Presidenti ka tentuar të bllokojë emërimin, zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që sjell zvarritjen e rifillimit të funksionimit të kësaj Gjykate. Për më tepër, ky veprim synon të ndikojë në cenimin e pavarësisë së këtij institucioni nëpërmjet ndërhyrjeve antikushtetuese në procedurat e emërimit të gjyqtarëve të kësaj Gjykate.
Për këtë sanksionohet se “Presidenti në mënyrë të përsëritur ka kryer veprime në kundërshtim me Kushtetutën, duke nxjerrë akte në tejkalim ose në mungesë të kompetencës së tij kushtetuese dhe ligjore”. Duke e cilësuar si nul dekretin e presidentit, Kuvendi i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese që të mos e zbatojë dhe të pranojë që anëtarë janë Arta Vorpsi, Fjona Papajorgji dhe Elsa Toska, pra jo Marsida Xhaferllarin.

Drafti i Rezolutës që do të votohet në Parlament. Gazeta Si 14 nëntor 2019


“Kuvendi i bën thirrje Presidentit të heqë dorë nga tentativat dhe aktet që bllokojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe funksionimin normal të organeve kushtetuese ku një prej më të rëndësishmeve është Gjykata Kushtetuese. Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë të përsëritur i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës. Kuvendi i Shqipërisë në kuadër të frymës zhbllokuese të Reformës në Drejtësi angazhohet të rishikojë legjislacionin për të penguar krijimin në të ardhmen të situatave që bllokojnë në mënyrë abuzive funksionimin e organeve kushtetuese të vendit”, thuhet në rezolutë.
Sakaq me këtë rezolutë i bën thirrje komisionit hetimor të mbyllë në kohë hetimin e nisur për shkarkimin e presidentit Meta.

Të hënën Kuvendi zgjodhi dy anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska dhe Fjona Papajorgji me 105 vota, duke vendosur që të mos e përfshinte Vorpsin në votim për shkak se mazhoranca e cilësonte se ajo u zgjodh automatikisht, pasi presidenti nuk e ushtroi të drejtën e tij.

Partia Socialiste ka nisur prej kohësh procesin për shkarkimin e presidentit Meta për shkak të përplasjeve për zgjedhjet lokale dhe anulimit të dekretit të 30 qershorit. Tashmë pritet nëse PS-ja do të kërkojë t’ia bashkëngjitë si shkelje edhe çështjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese në këtë hetim. Kuvendi e ka shtyrë me tre muaj afatin e komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit. Por që nga vendimi i marrë për shtyrjen e afatit, komisioni nuk është mbledhur në asnjëherë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë