Politike

A nis të premten shkarkimi i Metës? Komisioni do njihet me raportin sekret të SHISH

Pas thirrjes publike të kreut të grupit të mazhorancës, Taulant Balla për shkarkimin e shpejtë të presidentit Meta nga detyra, duke i shtuar si shkelje edhe mënyrën se si u veprua për dekretimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, komisioni hetimor parlamentar do të mblidhet të premten.
Sipas burimeve të Gazeta "Si", komisioni i posaçëm hetimor do të mblidhet më 22 nëntor duke pasur si rend dite miratimin e procesverbalit të mbledhjes komisionit të datës 18 shtator, si dhe administrimin e opinionit paraprak dhe të atij final të Komisionit të Venecias dhe njoftimin i presidentit për dokumentin sekret të Shërbimit Informativ Shtetëror. Pikërisht ka qenë ky dokument sekret që Meta deklaroi para komisionit që ndikoi në vendimin e tij për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, pasi sipas tij më 8 qershor kishte informacione se do të digjej Kuvendi nga forca të armatosura nga Kosova. Por për t’u njohur me këtë informacion duhet që të gjithë deputetët e komisionit hetimor të jenë të pajisur me certifikatë sigurie, të cilën jo të gjithë e disponojnë.

Faksimile e urdhrit për mbledhjen e komisionit të firmosur nga kryekomisioneri Manja. Gazeta Si, 20 nëntor 2019


Një grup deputetësh të PS do t’i kërkojnë komisionit hetimor të marrë në shqyrtim edhe përplasjen e Kreut të Shtetit me Parlamentin dhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu mendohet që në këtë komision të dilet edhe me konkluzione parapake për të vendosur pro shkarkimit të presidentit Meta.

Alban Zeneli (qendër) gjatë një mbledhjeje të Komisionit Hetimor që po heton vendimet e Presidentit Ilir Meta. Gazeta Si, 30 nëntor 2019


Nënkryetari i komisionit, deputeti i opozitës Alban Zeneli, në një prononcim për Gazeta “Si” u shpreh se është kundër faktit të marrjes ndonjë vendimi apo miratimi të ndonjë raporti si konkluzione për shkarkimin e Presidentit. “Mendoj se jemi në fazën e paraqitjes dhe të administrimit të dokumenteve që na janë paraqitur dhe nuk duhet të nxitohemi dhe as ta përfshijmë çështjen e KED-së si pjesë të hetimit. Kjo më shumë do të shërbente si një retorikë politike, është pa kuptim dhe pa shumë interes për reformën në drejtësi”, deklaroi Zeneli për Gazetën “Si”. Deputeti i opozitës bën të ditur se sot është takuar me kryekomisionerin socialist Ulsi Manja dhe se është vendosur për rendin e ditës për mbledhjen. Afati i komisionit hetimor u shty për tre muaj, por që nga 18 shtatori nuk është mbledhur. Më 8 dhjetor përfundon dhe afati i dytë i këtij komisioni, i cili shty me arsyen se nuk kishin dalë ende konkluzionet e raportit të Venecias për t’u shprehur nëse Meta kishte shkelur Kushtetutën ose jo me dekretin për anulimin e datës së zgjedhjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë