Futboll

Jo më policë në stadiumet tona

Nga Fatjon Rupi - Në stadiumet tona, duke nisur nga kjo fundjavë, kur starton Kategoria Superiore, nuk do të shohim më kordonë me policë, që të ndajnë tifozeritë kundërshtare apo të garantojnë mbarëvajtjen e një ndeshjeje. Efektivët e Policisë së Shtetit nuk do të jenë më të pranishëm në ambientet e brendshme të stadiumeve, por vetëm jashtë tyre, sepse ligji ka ndryshuar. Siguria në stadium tani e tutje do të garantohet nga policitë private, nga stjuartët. Ky është vendimi i fundit, i konfirmuar nga zyrtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit gjatë një tryeze të rrumbullakët me përfaqësuesit e klubeve në prag të sezonit të ri 2018-2019.

Vendimi është marrë pas konsultave që FSHF-ja ka jo pasur me drejtuesit e klubeve tona dhe me përfaqësues të Policisë së Shtetit, pas problematikës së njohur në sezonet e fundit mes tifozëve dhe Policisë së Shtetit, të shoqëruar më pas me dënime nga Komisioni i Disiplinës në FSHF për klubet tona. Një problematikë që i ka dëmtuar edhe ekonomikisht skuadrat tona, pasi nuk kanë pasur mundësi të arkëtojnë nga shitja e biletave, përveçse kanë humbur sportivisht.

Moment tensioni mes tifozëve dhe policëve në stadium

Konfirmimi

Përfaqësuesi ligjor i FShF-së, Aldi Topçiu, e ka bërë gjithçka të qartë gjatë mbledhjes me klubet: “Këtë sezon kemi edhe derbin dhe kemi një tërheqje vëmendjeje nga Policia. Ligji ka ndryshuar dhe Policia e Shtetit nuk do të jetë më në ambientet e brendshme të stadiumit. Ky është një hap pozitiv, por ka edhe anën tjetër që kërkon dyfishin e punës për të organizuar ndeshjet. Federata e di edhe problemin e kostos dhe duhet të diskutojmë për të gjetur një zgjidhje. Kurse shefi i sektorit të garave në FShF, Lysien Nyrishmi, shtoi: “Ndeshja në Korçë do të jetë një test. Drejtuesit e klubeve duhet të përgatiten për ndeshjen që një javë përpara. Delegati do të jetë një hallkë bashkëpunimi dhe kështu mund të minimizohen problemet e sigurisë”.

Kosto për klubet dhe dyshime

Në fakt, edhe më parë ka pasur prani të stjuartëve në stadiume të caktuara të vendit, pasi klube të ndryshme kanë pasur marrëveshje me policitë private për të garantuar rendin gjatë ndeshjes. Por përveç tyre ka pasur edhe efektivë të Policisë së Shtetit, numri i të cilëve është përcaktuar nga rëndësia e ndeshjes. Tani gjithçka sa i takon sigurisë brenda stadiumit do të garantohet nga policia private, një vendim i pranuar nga klubet tona dhe që do të nisë të zbatohet që nga ndeshja e së premtes Skënderbeu-Partizani.

Nga mbledhja mes drejtuesve të FShF-së dhe përfaqësuesve të klubeve

Kjo ndeshje do të jetë edhe një lloj testi për këtë menaxhim të ri të sigurisë në stadiume, që për klubet tona do të ketë kosto më të lartë financiare, sepse duhet të paguajnë policitë private. Por ndoshta FShF-ja mund t’i ndihmojë sadopak në këtë drejtim. Si test duhej të shërbente në fakt ndeshja e Superkupës së Shqipërisë mes Skënderbeut dhe Laçit, por ajo nuk është marrë në konsideratë, sepse numri i tifozëve ishte minimal. Shumë i rëndësishëm në këtë organizim të ri për sigurinë do të jetë roli i delegatit të ndeshjes, i cili do të ndërmjetësojë mes klubeve dhe policisë private, duke pasur parasysh numrin e tifozëve që mendohet të jenë në një ndeshje.

Ajo që shihet me dyshim për momentin ka të bëjë me faktin se sa do të jetë në gjendje policia private të përballojë e vetme ndeshjet e futbollit. Bëhet fjalë për ndeshjet më të rëndësishme, siç është për shembull derbi i kryeqytetit, ku duhet menaxhuar një numër relativisht i madh tifozësh. Kjo është edhe pika, që është diskutuar më shumë gjatë tryezës së rrumbullakët nga drejtuesit e klubeve dhe përfaqësuesit e FSHF-së. Prandaj dhe kjo mënyrë e re është vlerësuar që fillimisht të testohet dhe efektivët e Policisë së Shtetit të janë pranë stadiumit, për të ndërhyrë në çdo rast që do të jetë nevoja.

Licencimi i stadiumeve dhe numri i të huajve

Pjesë e diskutimit në mbledhjen e zhvilluar në FSHF ka qenë edhe licencimi i stadiumeve. Stadiumi “Zeqir Ymeri” i Kukësit nuk është licencuar dhe skuadra veriore do t’i luajë ndeshjet në “Elbasan Arena”, kurse Kastrioti do të luajë në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës, i licencuar nga FSHF-ja edhe për ndeshje të Superiores. Stadiumi i Krujës ndërkohë po rikonstruktohet. Nga ana tjetër, tetë nga dhjetë klubet e elitës së futbollit shqiptar kanë kërkuar rritjen e numrit të lojtarëve të huaj në fushë, që deri tani ka qenë katër. Për këtë çështje do të vendosë Komiteti Ekzekutiv i FShF-së, që do të mblidhet ditën e enjte.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë