Futboll

“Jeta” e re e Elseid Hysajt me maestro Ançelotin

Elseid Hysaj, mbrojtësi i Kombëtares sonë dhe trajneri i njohur italian, Karlo Ançeloti, mund të ishin bashkuar më parë te Bajerni i Mynihut, kur bavarezët kërkonin një mbrojtës të djathtë. Por fati e deshi që bashkëpunimi mes tyre të nisë në Itali, me Napolin, ku shkodrani luan prej tre sezonesh, ndërsa Ançeloti firmosi këtë verë dhe synon ta ngrejë këtë ekip në nivele më të larta. Për futbollistin kuqezi ka nisur një “jetë” e re në fushë, pasi maestro Karlo Ançeloti ka një metodikë stërvitjeje ndryshe nga të tjerët dhe që i ka dhënë sukses thuajse kudo ku ka punuar.

Hysaj në stërvitje me Napolin

Karlo Ançeloti veçohet nga trajnerët e tjerë të mëdhenj për faktin se punon thuajse gjithë kohën në fushë dhe lojtarët merren gjatë gjithë kohës me topin. Në realitet, metodolgjia e zgjedhur nga trajneri Ançeloti dhe stafi i tij është moderne dhe sipas tendencave të fundit shkencore, edhe në përdorimin e teknologjisë. Kjo do të thotë se palestra tashmë nuk është për Napolin. Lojtarët nuk kanë më punë me peshat dhe kush mendon për stërvitje të tipit “Rocky”, është jashtë mode. Edhe stërvitjen për forcën lojtarët e mnarrin në fushë. Në palestër, në ekipet e drejtuara nga trajneri Aneçeloti punojnë vetëm lojtarët që vijnë nga dëmtimet.

Stafi i ish-trajnerit të Juventusit, Milanit, Realit të Madridit, Çelsit, PSG-së dhe Bajernit të Mynihut, është i përbërë nga 8 persona. Fillon me të birin Davide, që është ndihmës, për të vazhduar me përgatitësit atletikë Françesko Mauri dhe Manuel Morabito, ata të portierëve Alesandro Nista dhe Roberto Perrone, supervizorin e stafit Beniamino Fulko, analistin e ndeshjeve Simone Montanaro dhe përgjegjësin e sistemit gps dhe të dhënave fizike Luka Karlo Guerra.

Stafi i trajnerit Ançeloti, kur drejtonte Bajernin

Parimi i trajnerit të Napolit për stërvitjen është i thjeshtë: trupi duhet të jetë i lirshëm. Puna për forcën bëhet në fushë, me ndërthurje ushtrimesh, ku ngarkesa vjen duke u rritur nga java në javë gjatë fazës përgatitore. Intensiteti nuk është i lartë fillimisht, por me kalimin e ditëve Hysaj me shokë duhet t’i nënshtrohen asaj çfarë parashikon katallogu i Ançelotit dhe matjet bëhen nëpërmjet sistemit gps që mban çdo lojtar. Një metodikë e kohëve të fundit, që i mundëson stafit teknik të Napolit të marrë çdo të dhënë në kohë reale. Luka Guerra, pjesëtari i stafit të Ançelotit, që njihet me nofkën ”njeriu çadër”, punon me kompjuterat e tij në fushë dhe jep të dhënat paraprake për trajnerin Ançeloti. Nga lart, në një platformë të ngritur, Simone Montanaro filmon lëvizjet e skuadrës, duke zëvendësuar dronin që përdorte ish-trajneri Sarri. Të gjithë këto informacione nxjerrin një shumatore të punës së bërë nga çdo lojtar i Napolit. Gjithçka shërben, siç ka shpjeguar ndihmëstrajneri Davide Ançeloti, për të kontrolluar formën e lojtarëve dhe për të përcaktuar ngarkesën për ditët në vazhdim.

Nga një seancë stërvitore e Napolit

Kjo lloj stërvitjeje është një praktikë e bazuar në stimulimin e sistemit “neuromotor”. Janë një bashkësi ushtrimesh që krijojnë situata të paqëndrueshmërisë, për të vlerësuar dhe përmirësuar më pas sinjalet që vijnë nga pjesët periferike të trupit, veçanërisht nga gjymtyrët e poshtme. Nxit reflekset dhe ndihmon për të arritur kontrollin optimal. Për të dhënë një shembull: shumë persona janë bërë kuriozë për “vallëzimet” e çuditshme në rërë të lojtarëve, madje duke ecur edhe mbrapsht, një praktikë e kërkuar kjo nga përgatitësit atletikë, Françesko Mauri e Manuel Morabito.

Hysaj dhe lojtarët tjerë të Napolit, duke u stërvitur në rërë

“Crossfit” është një tjetër sistem stërvitjeje nga stafi i Ançelotit, që përfshin një sërë lëvizjesh që kanë të bëjnë me gjestet natyrale, ato të përditshme të trupit të njeriut. Janë veprime që realizohen me përqendrim maksimal dhe muskujt veprojnë me intensitet të lartë.

Një “jetë” e re në fushë kjo për Elseid Hysajn, i cili shquhet si një lojtar i palodhur dhe me ardhjen e Ançelotit në krye të skuadrës napoletane pritet të rritet edhe më shumë në aspektin profesional. Mbrojtësi 24-vjeçar është lakuar gjatë gjithë kohës për një kalim të mundshëm në Angli, duke ndjekur nga pas Mauricio Sarrin, i cili ka marrë drejtimin e Çelsit. Hysaj dhe Sarri kanë punuar gjithmonë bashkë, që nga Empoli dhe së fundi 3 vjet te Napoli. Por shkodrani konsiderohet ende pjesë e rëndësishme e Napolit dhe me ardhjen e Ançelotit synon të fitojë titullin në Serinë A.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë